Masakrimi i të rinjve shqiptarë nga Kosova në afërsi të qytetit të Tivarit më 1 prill 1945, është një nga masakrat më të mëdha të kryera në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Në operacionet për çlirimin e popujve të tjerë të Jugosllavisë, krahas brigadave kosovare, morën pjesë edhe kontigjente të tëra të të rinjve shqiptarë nga Kosova që u inkuadruan në formacionet ushtarake nëpërmjet mobilizimit të përgjithshëm të meshkujve të moshës 18-45 vjeç. Në 20 mars të vitit 1945, Shtabi Suprem i UNÇ të Jugosllavisë e urdhëroi Shtabin Operativ të Kosovës që të rinjtë e mobilizuar në krahinë të niseshin të ndarë në grupe drejt Veriut, sepse ata ishin caktuar për të plotësuar radhët e Armatës së 4-t Jugosllave.
Rruga që do të përshkonin ata kalonte nga Prizreni në Pukë, në Shkodër dhe deri në Tivar. Më pas, nëpërmjet detit, ata do të transportoheshin për në veri të Jugosllavisë. Sipas Shtabit Operativ të Kosovës ishte menduar që grupin e parë të të mobilizuarve do ta përbënin të rinjtë e rretheve ushtarake të Ferizajt (2200 luftëtarë) dhe të Prizrenit (1500 luftëtarë). Të mobilizuarit e rrethit ushtarak të Ferizajt, të çarmatosur do të shoqëroheshin deri në Prizren, sepse që aty do të fillonte nisja e të gjithë grupit. Për të shoqëruar kolonën e përbërë nga 3700 veta gjatë rrugës për në Tivar u caktuan reparte të Divizionit të 46-të Jugosllav dhe të Armatës së 4-të Jugosllave. Grupin e dytë do ta përbënin meshkujt e mobilizuar në rrethet ushtarake të Pejës (900 veta), të Mitrovicës (1400 veta) dhe të Prishtinës (1500 veta). Për të shoqëruar kolonën e dytë me 3800 veta u ngarkuan repartet e Divizionit të 46-të Jugosllav.
Pas grumbullimit të të gjitha forcave në Prizren, Shtabi Operativ i Kosovës bëri ndryshimet përkatëse. Ai i ndau të mobilizuarit në tre grupe me rreth 2500 veta secili. Për shoqërimin e tyre ngarkoi Brigadën e 27-të të Divizionit të 46-të Jugosllav.
Kolona e parë me 2394 veta u nis nga Prizreni më 24 mars dhe në fund të muajit arriti në Tivar, ku iu dorëzuar reparteve të Divizionit të 9-të Jugosllav. Kolona e dytë, e përbërë nga 2382 vetë, u nis nga Prizreni më 26 mars dhe në Tivar iu dorëzua reparteve të Brigadës së 10-të Malazeze. Më 27 mars u nis edhe kolona e tretë me 2700 veta dhe, për ta shoqëruar atë, u ngarkuan reparte më të mëdha të Brigadës së 27-të. Vetëm gjatë muajit mars të vitit 1945 u dërguan nga Kosova për të plotësuar radhët e Armatës së 4-të Jugosllave 7476 luftëtarë të rinj.
Më 11 prill Shtabi Operativ i Kosovës urdhëroi rifillimin e mobilizimit të kontigjenteve të reja të meshkujve në krahinë, të cilët do të përdoreshin përsëri për të plotësuar radhët e reparteve të Armatës se 4-t Jugosllave. Në të njëjtën kohë Shtabi Operativ i Kosovës ngarkoi komandat vartëse në Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, Ferizaj dhe Prizren për të siguruar kontigjentet përkatëse, ndërsa për shoqërimin e të mobilizuarve deri në vendin e dorëzimit ngarkoi forcat e Divizionit të 46-të Jugosllav. Kolona e parë e përbërë nga 1520 veta u nis nga Prizreni për në Tivar më 19 prill. Ajo u shoqërua nga forcat e Brigadës së 26-të të Divizionit të 46-të. Grupi i dytë me një efektiv prej 2626 vetash u nis më 20 prill nën mbikëqyrjen e forcave të Brigadës së 25-të dhe të kompanisë së zbulimit të Divizionit të 46-të Jugosllav. Më 24 prill u nis grupi i tretë me 1216 veta, i shoqëruar nga forcat e Brigadës së 26-të.
Gjatë prillit në veri të Jugosllavisë u dërguan 5362 veta. Nga Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit, në mars dhe në prill të vitit 1945, për plotësimin e Armatës së 4-t Jugosllave u dërguan 12838 luftëtarë. Në këtë mënyrë në veri të Jugosllavisë, në përbërje të brigadave kosovare dhe për plotësimin e radhëve të Armatës së 4-të Jugosllave u dërguan gjithsej 27137 luftëtarë. Gjatë kësaj kohe atje u dërguan edhe rreth 5000 luftëtarë të tjerë nëpërmjet Brigadës së 7-të që përbëhej nga partizanë shqiptarë të Dibrës, Tetovës, Gostivarit etj. Mbi 32.000 luftëtarë nga viset shqiptare morën pjesë në luftimet përfundimtare për çlirimin e popujve të tjerë, si dhe për spastrimin e krahinave të Jugosllavisë nga mbeturinat e formacioneve kuislinge.
Të mobilizuarit nga Kosova kishin një efektiv të konsiderueshëm dhe me ta mund të formoheshin formacione nga më të mëdhatë të UNÇJ, por këto kontigjente u copëtuan e u shpërndanë; ato u përdorën për të plotësuar radhët e reparteve të ndryshme jugosllave.
Në shumë raste nga shtabet e reparteve jugosllave të rinjtë e mobilizuar në Kosovë u trajtuan si shqiptarë të “dyshimtë” dhe “reaksionarë”. Kjo përcaktoi edhe qëndrimin thellësisht armiqësor që u mbajt ndaj tyre në rajone të ndryshme të Jugosllavisë. Shumë prej tyre, që mendonin se po marshonin drejt Veriut të Jugosllavisë për të ndihmuar çlirimin e popujve të atij vendi nga okupatorët nazistë, u zhdukën misteriozisht, u vranë prapa krahëve, ose u asgjësuan në masë.
Edhe nisja e të mobilizuarve ishte një dëshmi tjetër e mosbesimit ndaj popullit shqiptar. Kontigjente të tëra të të rinjve e burrave kosovarë, të aftë për luftë, u nisën të çarmatosur nga qendrat e mobilizimit në Mitrovicë, Ferizaj, Pejë, Prishtinë etj., deri në pikën e përqendrimit e të organizimit në Prizren, madje deri në vendin e mbërritjes në Tivar. Kolonat lëviznin të ruajtura nga repartet e armatosura të Divizionit të 46-të Serb. Ato më shumë u ngjanin kolonave të robërve të luftës sesa të atyre që shkonin për të luftuar kundër fashizmit. Luftëtarëve u duhej të përballonin vështirësitë e rrugës së gjatë e të mundimshme, mungesën e ushqimeve, si dhe provokimet e rojeve të armatosura serbe. Për këtë arsye një pjesë e tyre mbetën rrugës*.
Banorët e Kukësit, të Pukës e të Shkodrës ishin dëshmitarë të trajtimit që iu bë të rinjve shqiptarë që lëviznin në këtë rrugë në kolonë për tre. Me një ndjenjë të thellë ankthi e tronditjeje ata ishin të detyruar të konstatonin se bijtë e tyre kërcënoheshin, shaheshin, grabiteshin dhe asgjësoheshin nga kamxhikët dhe bajonetet e rojeve serbe, sepse guxonin të lagnin buzët, ose se tentonin të pinin ujë në krojet buzë rrugëve. Këta fshatarë bujarë që nuk ua kishin mohuar atë pak buzë, kripë e strehë udhëtarëve të panjohur, tani ishin të detyruar t’ua mohonin bijve të tyre. Komanda e qarkut në Shkodër e informonte Komandën e Përgjithshme të UNÇSH se trajtimi që iu bëhej kosovarëve të mobilizuar kishte një “karakter shumë serioz” dhe ai kishte një ndikim të përgjithshëm negativ në të gjitha krahinat e veriut ku qëndrimi ndaj tyre kishte bërë “shumë bujë dhe përshtypje shumë të keqe e dëmprurëse”.
Me atë rast ajo kërkonte që për të verifikuar saktësinë e këtyre fakteve dhe për t’u dhënë fund këtyre gjërave duhej të ndërhyhej edhe pranë misionit ushtarak jugosllav në Shqipëri. Por pavarësisht nga këto të dhëna, dhe kërkesa, vargu i kolonave vijoi të lëvizë pambarim në këtë rrugë, gjatë marsit e prillit të vitit 1945. Në mënyrë të veçantë, një përshtypje të hidhur midis popullsisë së qytetit të Shkodrës bënë vrasjet e ndërmarra në të dalë të qytetit, në urën e Bunës, përpara se kolonat të drejtoheshin nga Ana e Malit**.
Akoma më e vështirë u bë gjendja e tyre në vendin e mbërritjes në Tivar, ku lodhja e rrugës uria dhe etja, pasiguria e jetës kishin krijuar një gjendje të rëndë tensioni psikik. Në një gjendje jashtëzakonisht të vështirë u ndodhën të mobilizuarit nga Kosova, që arritën në Tivar më 1 prill. Dokumentet e kohës dhe pohimet e dëshmitarëve provojnë se pritja e tyre u shndërrua në një masakër të vërtetë me përmasa të pashembullta. Kjo masakër u krye nga Brigada e 10-të Malazeze. Për rrugën e të mobilizuarve dhe sidomos për masakrën e Tivarit, për organizimin, për zhvillimin dhe për përmasat e saj më mirë se kushdo mund të dëshmojnë dokumentet e kohës si dhe ata që e përjetuan atë***.
Sipas versionit të paraqitur nga A.Rankoviçi në Kongresin Themelues të PK të Serbisë, ngjarja u provokua nga një shqiptar i çarmatosur, i cili i hidhëruar nga sjella e përcjellësve i mori armën njerit prej tyre dhe e vrau. Vendimi i drejtuesve të kolonës për të ekzekutuar 40 shqiptarë në shenjë raprezaljeje për luftëtarin e vrarë shkaktoi kundërshtimin e shqiptarëve. Disa prej tyre filluan të hedhin bomba, kurse shokët tanë hapën zjarr. Gjatë kësaj u vranë 300 shqiptarë.
Por dëshmitë e kohës vërtetojnë të kundërtën.
Në 3 prill Komanda e Qarkut të Shkodrës e informonte Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH për gjendjen dhe trajtimin e të mobilizuarve nga Kosova. Ajo theksonte se në mesnatën e 1 prillit gjatë kalimit të kolonës në skelën e lumit Buna, për arsye të paditura e ndoshta aksidentale, u mbytën një ushtar jugosllav dhe një prej të mobilizuarve. Ushtarët jugosllavë që shoqëronin autokolonën, duke pandehur se mbytja u bë me paramendim, hapën zjarr kundër turmës së të mobilizuarve të çarmatosur, që prisnin të kalonin lumin. Shoqëruesit nga batalioni i 2-të i Brigadës 27-të të Divizionit të 46-të, që komandoheshin nga Qiro Stikoviç, vranë e plagosën mbi 17 veta.
Në radiogramin që kjo komandë i dërgonte Shtabit të Përgjithshëm më 7 prill nënvizohej se ngjarja, sipas konstatimeve të mëvonshme, ishte provokuar nga ana e jugosllavëve. Përpara një jave, theksohej në të, mëse 7.000 kosovarë kaluan për në Mal të Zi, të ndarë në tre kolona marshimi. Grupi i dytë, me mbi 3000 veta, sapo arriti në breg të detit pranë Tivarit u rrethua nga jugosllavët. Prej tij u larguan elementët sllavë, ndërsa mbi shqiptarët u hap zjarr. Informatat i kemi marrë prej atyre që mundën të shpëtonin, duke bërë sikur kishin vdekur në grumbullin e kufomave. Gati 10 prej tyre, që shpëtuan, ndodhen në Shkodër. Pohimet e dëshmitarëve janë edhe më tronditëse. Përshkrimin më të plotë të kësaj masakre e gjejmë në librin “Tragjedia e Tivarit”, të pjesëmarrësit të saj Azem Hajdini.
Sipas tij të rinjtë shqiptarë të mobilizuar, pasi arritën në Tivar i futën në një ndërtesë dhe në të dy anët e hyrjes së oborrit i prisnin ushtarë me shufra hekuri në dorë. Secilin e goditnin ku të mundnin dhe ai që binte pa ndjenja shkelej nga kolona që i vinte pas. Vetëm në hyrje të oborrit mbetën të shtrirë 100-150 veta, shumica e të cilëve të vdekur. Ndërkohë në ndërtesë ishin futur rreth 1000 veta, në oborr 2200-2500, ndërsa në rrugë të rrethuar nga ushtarët mbetën 1000-1100 veta. Me pretekste të ndryshme filloi masakrimi i tyre. I riu 17-vjeçar Ibrahim Koca nga fshati Polac i Drenicës, së bashku me 7 shokë, u drejtua tek komanda e ushtrisë me kërkesën për t’i dhënë fund masakrës dhe për t’i lejuar që të ndihmonin shokët që kishin mbetur tek hyrja e oborrit. Por, pa u afruar akoma, ata u sulmuan nga ushtarët dhe u torturuan në mënyrën më barbare. Pas këtij akti shtazarak u dha urdhër për të hapur zjarr.
Rrebeshet e plumbave të armëve të ndryshme vinin nga të katër anët. Brenda një ore, asnjë nga grumbulli i njerëzve në oborr, në shesh e në ndërtesë nuk mbeti në këmbë dhe vendi u shndërrua në liqene gjaku. Nga tmerri një pjesë u sëmurën psiqikisht, të tjerë ranë në gjendje kome. Pas ndërprerjes së zjarrit të armëve, që vazhdoi një orë e gjysmë, atyre që kishin mbetur gjallë iu bë thirrje të ngriheshin, sepse duheshin veçuar për t’u mjekuar të plagosurit. Shumë vetë filluan të ngrihen, por repartet ushtarake rihapën zjarr.
U bë thirrja e dytë sipas së cilës të plagosurve iu premtua se do të dërgoheshin në spitalet e Tivarit, Dubrovnikut e të Splitit, kurse atyre që kishin mbetur në ndërtesë iu kërkua që të ndihmonin për të hapur rrugën.
Për të biseduar me ushtarët doli Isuf Halili nga Radisheva dhe, pasi u premtuan se vrasjet do të ndërpriteshin, dolën nga ndërtesa të gjithë ata që kishin shpëtuar gjallë. Gjatë daljes ushtarët i kontrollua një për një dhe u grabitën çdo gjë të vlefshme që kishin me vete. Pamja e oborrit ishte e llahtarshme. Në atë grumbull kufomash ishte shumë e vështirë për të bërë identifikimin e njerëzve, sepse shumë vetave u ishin prerë kokat ose gjymtyrët e trupit. Të tjerë, të mbuluar nga gjaku, kërkonin ndihmë ose luteshin t’i vrisnin për t’u dhënë fund vuajtjeve.
Në këmbët e atyre që shpëtuan dëgjoheshin psherëtimat dhe klithmat e të plagosurve ndërsa oficerët kishin një orë rresht që mbanin fjalime për “vëllazërim-bashkimin e popujve”. Më pas, gjatë pastrimit të vendit, në mjetet e transportit u ngarkuan bashkërisht të vrarët dhe të plagosurit.
Pas kërkesave këmbëngulëse të atyre që shpëtuan, u bë verifikimi i të gjallëve. Ata ishin gjithsej 810 veta; mbi 90 për qind e tyre ishin nga ata që kishin qenë të mbyllur në ndërtesë. Midis të gjallëve ishin edhe disa të tjerë që kishin mbetur midis kufomave ose të plagosurve, të cilët mundën të largohen gjatë natës në drejtime të ndryshme. Sipas vlerësimeve të atyre që mbetën gjallë, një pjesë e mirë e të plagosurve mund të shpëtonin, në rast se do t’u jepej ndihmë mjekësore. Por edhe peripecitë, vuajtjet e të gjallëve nuk mbaruan me kaq.
Një nga format e përdorura për largimin nga Kosova të meshkujve ishte dhe mobilizimi i tyre në “brigadat e punës”. Brigadat do të merrnin pjesë në “aksionet për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta”. Është fakt se “brigada të punës” u krijuan edhe në viset e tjera të Jugosllavisë. Por ndërsa në viset e tjera ato punuan kryesisht për rindërtimin e krahinave të tyre, brigadat shqiptare u shpërndanë nëpër Jugosllavi.
Ata punuan në sektorët më të vështirë, me kushte shumë të vështira të jetesës e të trajtimit. Në kujtesën e dëshmitarëve ka mbetur i freskët trajtimi që iu bë “brigadës së punës”, të krijuar me shqiptarët e mobilizuar në rajonet e Shkupit, Gostivarit, Tetovës, Kërçovës, Kumanovës etj. Brigada kishte rreth 4000 veta dhe duke pritur mjetet e transportit për në Goricë të Triestes ajo ndaloi në Mal të Zi. Papritur ndërtesa ku u strehua ajo mori zjarr. Rreth 90 veta nuk patën mundësi të dilnin prej saj dhe vdiqën të përfshirë nga flakët.
Në Goricë brigada ishte e detyruar të kryente punët më të rënda dhe nën mbikëqyrjen e repateve të OZN-as. Aty u nda më shumë se gjysma, të zgjedhur një për një, të cilët, sipas dëshmitarëve, i futën në gazerma të veçanta. Mëngjesin e ditës së nesërme shumica e tyre u gjetën të vdekur, ndërsa ata që kishin mbetur gjallë nuk ishin në gjendje të flisnin dhe nga sytë u rridhnin vetëm lotë. Në dhomat e gazit u masakruan gati 2000 veta.
Në Kongresin Themelues të PK të Serbisë këto veprime ishte i detyruar t’i pohonte edhe A. Rankoviçi. Por, duke folur për këto fakte ai u përpoq ta fshihte dhe ta zvogëlonte numrin e viktimave të masakruara pa asnjë faj. Sipas tij, në Goricë u mbytën rreth 130 veta, sepse nuk dihej që vendet ku u vendosën ata kishin qenë më parë magazina baruti.
Por këto pohime nuk do të thonë se dhuna u ndal. Ajo do t’i shkaktonte për shumë vjet dëme të mëdha popullit shqiptar.
Shkrimi u publikua sot (30.03.2014) në suplementin Rilindasi te gazetës Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)