SHKODËR- Samuel Troshani dhe Izmir Sakica, të shpallur në kërkim për dhunimin 6 muaj më parë të një 62-vjeçari në mes të qytetit të Shkodrës, u vetëdorëzuan në Policinë e Shkodrës. Troshani, 25 vjeç dhe Sakica, 24 vjeç u vetëdorëzuan të shoqëruar nga avokati Sokol Tahiraj.

Policia e Shkodrës njoftoi se është ekzekutuar masa arrest me burg për dy të rinjtë. 

"Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit Samuel Troshani, 25 vjeç dhe Izmir Sakica, 24 vjeç, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Kanosja”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”. 

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas janë përfshirë në konfliktin e ndodhur për vendparkimin e automjeteve, më datë 03.06.2024, në rrugën “Pogej”, gjatë të cilit u godit fizikisht dhe me sende të forta, shtetasi Vladimir Bruçi.

Shtetasit Samuel Troshani dhe Izmir Sakica  janë vetëdorëzuar mesditën e sotme, në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër", njofton policia. 

Më 3 qershor 2024, pesë persona dhunuan me sende të forta Vladimir Bruçin, për një vendparkim, në mes të ditës në qytetin e Shkodrës. Për këtë ngjarje, më 4 qershor 2024, policia arrestoi edhe Edmond Sakicaj, 47 vjeç, ndërsa në kërkim rezultojnë ende Samet Halluni, 27 vjeç, Arlind Kajoshi, 31 vjeç dhe Alban Bruçi. 27 vjeç, të gjithë banues në Shkodër.  

Të dy të rinjtë Sakica e Troshani ishin shpallur në kërkim dhe për një tjetër ngjarje të ndodhur më herët më 23 gusht 2024 në Bushat të Shkodrës, ku dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri.