Masakra te Bulevardi ‘Zogu I’ e 2015-s, Gjykata e Lartë lë në burg përjetë Salvatore Letizian! 47 vite për vëllezërit Doçi

Masakra te Bulevardi ‘Zogu I’ e 2015-s, Gjykata e Lartë lë në burg përjetë Salvatore Letizian! 47 vite për vëllezërit Doçi

Salvatore Letizia

Tirane- Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin me burg përjetë për “killerin” me pagesë, italianin Salvatore Letizia. Në dhomë këshillimi është lënë në fuqi vendimi i ish-gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në vitin 2019 për ngjarjen e njohur si “masakra” në bulevardin “Zogu i I” 

Ngjarja ndodhi në 27 maj 2015, ditën kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiç vizitoi Tiranën. Në një atentat pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, u vranë Besnik Sulku, Mentor Lufi (Doçi) dhe Gert Goxhaj. Si autorë u arrestuan italiani Salvatore Letizzia dhe dy vëllezërit Markeljan dhe Klevis Doçi.

Edhe për këta të fundit Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me 27 dhe 20 vite burg. Salvatore Letizzia, nga Napoli, i cilësuar vrasës me pagesë njihet edhe si pjesë e organizatës mafioze italiane, "Camorra".

Masakra vijim i serialit të hakmarrjes mes Doçëve dhe Sulkut 

Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria për Krime të Rënda i ka paraqitur Gjykatës dinamikën e ngjarjes, e cila është rindërtuar në bashkëpunim edhe me autoritetet hollandeze. 

Në Dhjetor 2014, shtetasi Mentor Lufi (Doçi) plagoset me armë zjarri në zonën e ish-Stadiumit "Dinamo", në Tiranë dhe autorët largohen. Shënjestra e atentatit, Lufi, ka dyshuar se sulmi ndaj tij është organizuar nga vëllezërit Durim dhe Besnik Sulku. Ndërmjet Mentor Lufit dhe vëllezërve Sulku kishte nisur një konflikt në Hollandë, ku ata udhëtonin dhe qëndronin shpesh. Pas atentatit me pasojë plagosjen, Lufi organizon nipat e tij, Markeljan dhe Klevi Doçi, për t'u hakmarrë. 

Në Prill 2015, dy vëllezërit Doçi i bëjnë atentat me armë Durim Sulkut në qytetin Ridderkerk të Hollandës. Nga veprimet hetimore të autoriteteve hollandeze, rezulton se Durim Sulku gjendej në një automjet tip Smart, kur është qëlluar për vdekje disa herë me pistoletë nga Markeljan Doçi, i cili ishte i shoqëruar nga vëllai i tij, Klevi Doçi, gjithashtu i armatosur. Pas atentatit në Hollandë, vëllezërit Doçi rikthehen në Shqipëri, duke iu shmangur autoriteteve hollandeze.  

Pas thuajse dy muajsh nga vrasja në Hollandë, konkretisht pasditen e  datës 27 Maj 2015, Mentor Lufi, dy nipat e tij Markeljan e Klevi Doçi, si edhe miku i tyre, Gerti Goxhaj, gjendeshin në një lokal pranë Fakultetit të Shkencave, në bulevardin "Zogu i Parë" në Tiranë. Pasi janë ngritur nga lokali, ata kanë hipur në dy mjete dhe konkretisht: Mentor Lufi ishte pasagjer në mjetin e drejtuar nga Gerti Goxhaj; ndërsa vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi gjendeshin në një automjet pas të parit, ku në timon ishte Markeljani. Sapo kanë hipur në automjete, në dy pjesët anësore të makinës së parë, janë afruar dy persona të armatosur, të cilët kanë qëlluar personat që gjendeshin në bordin e saj, konkretisht Mentor Lufin (Doçi) dhe Gert Goxhaj. 

Nga goditjet me armë ka vdekur në vend Goxhaj dhe është plagosur rëndë Lufi, i cili vdiq pak çaste më vonë. Në momentin e goditjes me armë, Markeljan Doçi afron me shpejtësi makinën drejt atentatorëve, duke përplasur fillimisht njërin prej tyre. Ky i fundit, i cili më pas rezultoi se ishte Besnik Sulku, ka qëlluar me pistoletë në drejtim të mjetit të dytë, por pa u shkaktuar dëme tek vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi. Të gjendur nën goditjen e armës tip pistoletë nga ana e Besnik Sulkut, Markeljani, gjithashtu i armatosur me pistoletë, ka reaguar duke qëlluar me armë.

Markeljani dhe Sulku kanë vijuar të qëllojnë njëri-tjetrin, derisa Besnik Sulku ka mbetur i vdekur, pak metra larg nga automjetet. Menjëherë pas ngjarjes, forcat e Policisë organizuan operacionin për arrestimin e personave të përfshirë. Fillimisht, në vendngjarje u arrestuan vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi. Më vonë, pranë një hoteli në atë zonë, u arrestua edhe shtetasi italian, Salvatore Letizia, i cili rezulton se është personi që, së bashku me Besnik Sulkun, ishte pjesë e vrasjes së shtetasve Mentor Lufi dhe Gerti Goxhaj.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën