FUSHA E AVIACIONIT
Te zona e ish-Fushës se Aviacionit të ndërtosh pa leje këto ditët e fushatës është kthyer në një “modë”. Aty nga çdo anë shikon banorë që hedhin katet e tjera të shtëpive të tyre, duke shpejtuar që të paktën strukturën e saj ta kenë përfunduar para 23 qershorit.
Por përveç ndërtimeve pa leje në këtë zonë, ajo që vihet re është edhe shkatërrimi i parkut që u ndërtua para disa vitesh nga ish-kryetari i Bashkisë së Tiranë Edi Rama. Shatërvani i parkut është krejtësisht jashtë funksionit duke u shndërruar në një pellg me ujë të qelbur, një pjesë e madhe e pllakave janë thyer dhe hequr, ndërsa lokalet i kanë nxjerrë karriget dhe hapur çadrat tek pjesa që shërben si shëtitore.
Kjo fushë u rehabilitua dhe u kthye një park gjigant për banorët e zonës në maj të 2011-ës, po nga projekti ambicioz prej 290 milionë lekësh, dy vite më pas, nuk ka mbetur pothuajse asgjë. Edhe rreth e rrotull këtij parku, ndërtimet pa leje kanë mbirë si kërpudhat pas shiut.
Ndërtimet janë shfaqur edhe në zonën pranë pistës së helikopterëve dhe pranë shkollës 9 – vjeçare “Dhora Leka”, ku kanë filluar të ndërtohen shumë banesa dhe të shtohen shtesa apo kate të tjera në ato ekzistuese.
KAMPUSI
Por ndërtimet pa leje nuk kanë kursyer as fushën e sportit të Qytetit Studenti, aty ku para një viti duhet të kishte filluar puna për ndërtimin e kampusit të Universitetit të Tiranës. Përballë Fakultetit të Ekonomisë, që prej afro 20 ditësh është duke u ndërtuar një godinë, e cila sa vjen e lartësohet.
Madje sikur të mos mjaftonte kjo edhe ekskavatori i cili me sa duket po bën punimet ka ngulur në kovën e tij një flamur të PD-së. Fusha e sportit të Qytetit Studenti që ndodhet përballë Fakultetit të Ekonomisë, është planifikuar të ndërtohet kampusi Universitar i Universitetit të Tiranës.
Madje rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, në mars të viti 2012 deklaroi se projekti ishte gati dhe brenda pak ditësh do të dërgohej në bashki i gjithë dokumentacioni i kërkuar për marrjen e lejes së ndërtimit të kampusit.
Projekti kishte kushtuar 2 milionë euro, fond i dhënë nga universiteti i Tiranës, ndërkohë që ndërtimi i tij do të kushtonte është 26 milionë euro, dhe do të zgjidhte të gjithë problemin e ambienteve që ka universiteti më i madh në vend. Po kjo nuk është e vetmja zonë ku po ndërtohet.
Edhe pranë Depos së Ujit, që ndodhet sipër Qytetit Studenti, ndërtimet pa leje po njohin një kohë të artë, pasi thuajse të gjithë ose po shtojnë një kat, ose po hedhin themele të reja. Ndërkohë që nëpër njësitë bashkiake, të pakta janë rastet kur banorët e zonës denoncojnë ndërtimet e reja që po ngrihen në kundërshtim me ligjin dhe duke përfituar nga situata e ngarkuar e zgjedhjeve.
Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 18.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)