Valutat e huaja po humbasin terren ndaj monedhës kombëtare. Pas një rritjeje të vazhdueshme të euros që nga data 24 mars, sot sipas Bankës së Shqipërisë një euro sot është këmbyer me 127.68 lekë, duke humbur më shumë se 3 pikë, nga dy ditë më parë. Ndërkohë në zyrat e këmbimit ajo arriti në shifra edhe më të larta pasi tregtarët po e shisnin deri në 136 lekë, ndërkohë që e blinin me 126 lekë e lart. Këtë të enjte rënie të ndjeshme kanë pësuar edhe valutat e tjera, ku Paundi ka zbritur me 1.51 pikë, dhe është këmbyer me 144.7 , dollari ka humbur me shumë se 2 pikë dhe po këmbehet me 116.6 dhe franga zvicerane ka zbritur me 1.67 pikë dhe në treg sipas Bankës së Shqipërisë po këmbehet me 121.63 lekë.
Të gjitha valutat e huaja po njihnin një rekord në rritje duke zhvlerësuar ndjeshëm lekun, rritje që nga ekspertët është konsideruar artificiale pasi erdhi si pasojë e masave të marra kundër përhapjes së COVID-19. Për ekspertët e fushës mbyllja e aktiviteteve ekonomike, mungesa e turistëve, bllokimi i qarkullimit, si dhe të hyrat valutore në vlerë të ulët kanë çuar një luhatje në treg, duke bërë që kërkesa e qytetarëve të jetë më e lartë se oferta.