Kështu, u shpreh sot Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, i cili i shoqëruar nga përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri Clive Rumbold vizituan Shkodrën dhe kryen një takim pune me efektivat e Policisë së Drejtorisë së Qarkut verior.
Në qendër të takimit, njofton zyra e shtypit e Ministrisë së Brendshme, ishin masat e marra për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe masat shtesë të marra nga Policia e Shtetit, për sezonin turistik.
Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjate vizites ne Shkoder
Gjithashtu në takim, ku morën pjesë edhe zv/ministrja Elona Gjebrea dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, u diskutuan masat për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Qarku i Shkodrës në parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike ka arritur rezultatet të larta, pasi janë asgjesuar mbi 46 mijë rrënjë kanabis. "Për të shmangur pritjet e gjata në kufi gjatë sezonit turistik, tha ministri Saimir Tahiri, në pikat doganore janë shtuar jo vetëm efektivi policor, por edhe janë thjeshtuar procedurat për kalimin e mjeteve".
Gjatë vizitës së tij në qytetin verior, Tahiri u ndal për të biseduar edhe me pëfaqësuesit e mediave. "Sfidat janë të shumta, veçanërisht në këtë kohë, që është dhe sezoni turistik dhe Policia e Shtetit, 100% e efektivit të saj, është në shërbim të qytetarëve për të përballuar fluksin e turistëve dhe veçanërisht në qarkun e Shkodrës", theksoi Tahiri.
Ministri i Punëve të Brendshme vuri në dukje dhe domosdoshmërin për t'u shërbyer qytetarëve dhe mbi të gjitha për të pasur rezultate të forta në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat sipas tij mbeten prioritet absolut i qeverisë, i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe i tij personal.
Ministri i Punëve të Brendshme u shpreh edhe në lidhje me luftën anti-kanabis. "Policia e Shtetit ka shënuar realisht një gur-themeli në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike. Eshtë një luftë që nuk mbaron kurrë në fakt, për sa kohë ka njerëz që ende besojnë se kultivimi i lëndëve narkotike mund të jetë një mënyrë jetese. Për ne, theksoi Tahiri është një krim dhe mbetet i tillë. Jemi shumë të vendosur që të mos lejojmë parcela të kultivimit të lëndëve narkotike. Pas operacionit në Lazarat unë besoj që kemi arritur t'i bindim të gjithë mbi vullnetin tonë për të luftuar këtë fenomen.", shtoi kreu i Ministrisë së Brendshme. Sipas tij në qarkun e Shkodrës janë arritur rezultate spektakolare në kultivimin e lëndëve narkotike.
Përfaqësues i Delegacionit të BE-së, Clive Rumbold në fjalën e tij vuri në dukje se lufta kundër korrupsionit dhe lufta krimit të organizuar janë dy prioritete kryesore në këtë rrugëtim, dhe roli i Policisë në këto dy fusha është absolutisht rol kryesor.
"Unë fola gjithashtu për luftë kundër drogës dhe jam shumë i kënaqur të dëgjoj nga Policia këtu në Shkodër se ata po vijojnë të konsolidojnë punën e tyre mbi arritjet e bëra nga Shqipëria në muajt e fundit, në këtë betejë shumë të rëndësishme, duke bërë gjithçka për shkatërrimin e parcelave të mbjella me kanabis, këtu në veri të Shqipërisë", përfundoi Rumbold/ ATSH/