MASH: Shkollat tona
nuk kanë kushte

MASH: Shkollat tona<br />nuk kanë kushte
TIRANE - Pas një kontrolli që vetë IKAP ka bërë në shkollat 9 vjeçare dhe të mesme në të gjithë vendin për dy fusha kryesore “Klima dhe Etika në shkollë” si dhe “Kujdesi ndaj nxënësit”, ka gjetur një sërë mangësish, për të cilat ka përgatitur edhe një raport që ia ka dërguar Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës.

Kështu midis mangësive të konstatuara nga IKAP, është edhe fakti se në dy prej këtyre shkollave, në laboratorët që nuk janë më funksionalë, nxënësve u kanë mbetur dhuratë, nga shkolla e së kaluarës, reagentë kimikë, të cilët aktualisht janë të skaduar dhe janë izoluar nga nxënësit, por që IKAP, rekomandon MASH-in, dikasterin nën varësinë e të cilit edhe është, që të marrë masa për largimin e tyre.

“Në dy shkolla të inspektuara është konstatuar prania e reagentëve kimikë të skaduar në laboratorë, por ato janë të izoluara dhe nuk rrezikojnë sigurinë e nxënësve”, - thuhet në këtë raport.

Një tjetër mangësi e vënë re po sipas këtij raporti është fakti se ngrohja sigurohet vetëm në 57 për qind të shkollave, mungojnë palestrat dhe aq më tepër dhomat e zhveshjes, ndërsa edhe banjot në mjaft raste janë jashtë funksionit.

“Në pjesën më të madhe, shkollat e inspektuara nuk disponojnë mjedise të brendshme të përshtatshme për zhvillimin e lëndës së edukimit fizik (palestra), ndërsa mjediset e jashtme sportive jo në të gjitha rastet janë të rregulluara dhe të përshtatshme për zhvillimin normal të procesit mësimor.

Gjithashtu është evidentuar se dhomat e zhveshjes për djemtë dhe vajzat jo gjithmonë janë të përshtatshme. Shkollat, në 57% të rasteve, kanë siguruar ngrohjen e mjediseve të brendshme me dru zjarri dhe me energji elektrike duke iu dhënë prioritet klasave të ciklit të ulët, ndërsa shkollat e tjera nuk kanë marrë masa për sigurimin e ngrohjes së mjediseve.

Bibliotekat e shkollave të inspektuara në shumë shkolla janë funksionale, por në to rezultojnë pak tituj librash për të plotësuar nevojat e nxënësve dhe shkollës. Tualetet e shkollave përgjithësisht janë në nivele të pranueshme higjiene, por jo në të gjitha rastet janë funksionale dhe të mjaftueshme, krahasuar kjo me numrin e nxënësve”, - thuhet në raportin që IKAP ka përgatitur dhe i ka dërguar edhe Ministrisë së Arsimit e të Shkencës.

Shkollat të cilat janë monitoruar nga IKAP janë “Lidhja e Prizrenit” në Kukës; “Ismail Qemali” në Shkodër; “Genc Leka” në Librazhd; “Yzberisht” e Tirana Qark; “Koli Sako” në Divjakë; Instituti i nxënësve që nuk dëgjojnë dhe flasin në Tiranë;

Instituti i nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi” në Tiranë;  gjimnazi “Shyqyri Peza” në Tiranë; “Prekë Gjoni” në Bajzë,Malësi e Madhe; “Qemal Stafa” në Fushë Krujë; “Koli Gusho” Pogradec; “Shefit Hekali” në Përparim të Peqit; “Gjergj Fishta” në Lezhë; “Kushtrimi i Lirisë”, DAR Durrës; gjimnazi “Pjetër Budi” në Mat si dhe gjimnazi “Ymer Dishnica” në Korçë.

Ndërkohë që katër shkolla 9-vjeçare të Tiranës ajo: “Niket Dardani”; “Fan Noli”; “Ramazan Jarani” si dhe “Skënder Çaçi”, janë bërë objekt i këtij kontrolli, pasi kanë paraqitur ankimime për treguesit e fushës “Klima dhe Etika në shkollë”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Serie A/ Juventus dhe Roma ndahen në paqe, 0-0 në Torino! Udinese mposht Comon, Verona fiton në udhëtim

Serie A/ Juventus dhe Roma ndahen në paqe, 0-0 në Torino! Udinese mposht Comon, Verona fiton në udhëtim