Gjashtë biznese të ndryshme, nga ato të njohura të ndërtimit të rrugëve e deri te një kompani përpunimi apo tregtimi kromi, dyshohet se janë përfshirë në një skemë të organizuar mashtrimi me TVSH-në, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar shtetit

Me skemën e faturave fiktive, të lëshuara për punime apo shërbime të pakryera realisht, 6 shoqëritë kanë arritur përfitimin e padrejtë të TVSH-së dhe uljen e detyrimeve fiskale.

Skema po hetohet nga prokurori i Tiranës Ndini Tavani, i cili me vendim gjykate ka arritur të vendosë masën e sekuestros preventive dhe bllokimin e 6 llogarive bankare, me vlerën e rreth 73 milionë lekëve të rinj, (ose mbi 730 mijë euro) aq sa është vlera e faturave fiktive të dyshuara. Nga analiza financiare dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit mund të shkojë rreth 500 mijë euro.

"Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, rezultoi se këto subjekte kanë përdorur fatura fiktive me qëllim shmangjen e detyrimeve tatimore. Këto subjekte dyshohet se kanë qenë pjesë e një skeme të organizuar, ku janë lëshuar dhe përdorur fatura për punime dhe shërbime të pa kryera realisht, me qëllim përfitimin e padrejtë të TVSH-së dhe uljen e detyrimeve fiskale", njoftoi Prokuroria e Tiranës

Mes llogarive bankare të bllokuara në bankat e nivelit të dytë, duke penguar lëvizjen e fondeve, është edhe një e kompanisë së ndërtimit të rrugëve “ALBAVIA” me pronarë Hasan Hafizi dhe Shkëlqim Rakipaj. Kësaj firme të bashkëshortit të ish deputetes Mimoza Hafizi i janë bllokuar rreth 230 mijë euro. Vlera më e madhe i është sekuestruar “Kukës Chrome Minerals”, 240 mijë euro, një kompanie përpunimi dhe tregtimi kromi me qendër në Kukës me pronarë Ador Dibra, Gentian Çërraga, Petrit Koldashi dhe Sokol Dibra.

Të dyja firmat e mësipërme si dhe “Troci 2005”, me pronarë Elton Troci e Edrion Troci, që i janë sekuestruar rreth 105 mijë euro dhe “Standart”, me pronarë Demo Buci e Xhafer Bejko, që i janë bllokuar rreth 70 mijë euro, dyshohet se kanë mashtruar me TVSH dhe Tatim fitimin.

DY kompanitë e mbetura, “OLT-FLOR”dhe “OLTI-Group”, kompani shërbimesh në ndërtim, respektivisht me pronarë Nevruz Islami dhe Kujtim Elqeni, dyshohen vetëm për përfitim të paligjshëm të TVSH-së. Olt-Flor i është bllokuar llogaria me 65 mijë euro, ndërsa Olti Group vlera më e vogël me rreth 15 mijë euro.

Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për dy vepra penale të dyshuara, si “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me TVSH” dhe “Fshehja e të ardhurave”, ndërsa nuk përjashtohet marrja e masave të tjera rënduese në vijim.

Kompanitë që iu sekuestruan llogaritë dhe administratorët
 “OLT-FLOR” shpk – në vlerën 6,479,834 lekë; administrator: Nevruz Islami
“OLTI-Group” shpk – në vlerën 1,542,834 lekë; administrator: Kujtim Elqeni
“ALBAVIA” shpk – në vlerën 23,056,593 lekë (TVSH + TF); administratorë: Hasan Hafizi dhe Shkëlqim Rakipaj
“Kukës Chrome Minerals” shpk – në vlerën 24,570,607 lekë (TVSH + TF); administratorë: Ador Dibra, Gentian Çërraga, Petrit Koldashi, Sokol Dibra
“Troci 2005” shpk – në vlerën 10,521,085 lekë (TVSH + TF); administratorë: Elton Troci dhe Edrion Troci
“STANDART” shpk – në vlerën 6,880,483 lekë (TVSH + TF), administratorë: Demo Buci dhe Xhafer Bejko

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.