Prokuroria e Tiranës kërkon dënimin me 24 vite vite burg të shtatë personave të dyshuar prej saj si të përfshirë në skemën mashtruese të ilaçeve, e njohur ndryshe si “Farmacia 1”.

Këta persona, përfshirë zyrtarë dhe farmacistë, kanë qenë të përfshirë në një skemë mashtruese financiare me rimbursimin e medikamenteve, nga e cila i është shkaktuar shtetit dëm rreth 56 milionë lekë të reja.

Ndër të akuzuarit është edhe ish-drejtori Rajonal i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë, Pjerin Xhuvani.

Për të, prokuroria kërkon dënimin me 4 vite e gjashtë muaj burg, si dhe heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksionave publike.

Masën më të lartë të dënimit, prokuroria e kërkoi për Hysni Roçin me gjashtë vite burg.

Po ashtu masë dënimi me burg, prokuroria kërkoi edhe për Edlira Markun me masën e pesë viteve si dhe pezullimin e të drejtës së ushtrimit të profesionit për tre vite. Për tre nga të akuzuarit, Frida Lamçe, Mimoza Tufin, si dhe Arens Spahiun, prokuroria kërkoi pezullimin e vuajtjes së dënimit për pjesën e mbetur si dhe vënien e tyre në shërbim prove për këtë masën e dënimit të kërkuar nga prokuroria.

Të akuzuarit 

1. Hysni Roçi, akuza “mashtrim”. Ndaj tij kërkohet dënimi me 6 vjet burgim.

2. Pjerin Xhuvani, akuza “shpërdorimit detyre” në bashkëpunim kërkohet dënimi me 4 vjet e 6 muaj burgim. Ndaj tij kërkohet t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione për 3 vjet 

3. Edlira Mara, akuza “shpërdorimit detyre” në bashkëpunim si dhe “falsifikim të dokumenteve”. Ndaj saj, kërkohet dënimi me 5 vite burg si dhe heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike për tri vjet. 

4. Frida Lamçe, e akuzuar për “Falsifikimit dokumentesh”. Ndaj saj propozohet dënimi me 1 vit e 9 muaj burgim. Për këtë periudhë ajo kërkohet të vihet në shërbim prove. 

5. Fatbardh Budo, akuzuar për “Falsifikimit të dokumenteve”. Ndaj saj kërkohet dënimi me 2 vjet burgim.

6. Mimoza Tufi, akuzuar për “mashtrim” në bashkëpunim. Ndaj saj propozohet dënimi me tri vite burg. Kërkohet të vihet në provë për 18 muaj dhe t’i hiqet e drejta për të ushtruar profesionin e drejtuesit teknik për 1 vit.

7. Arens Spahiu, akuzuar për “mashtrimi” në bashkëpunim. Ndaj tij propozohet dënimi me tre vjet burgim. Për peridhën 18 muaj, kërkohet vënia e tij në provë. Gjithashtu, kërkohet që Spahiut t’i hiqet e drejta e profesionit të drejtuesit teknik për 1 vit.

Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)