Për të mësuar nëse i fejuari kishte dashnore ose jo, Migena Lika ka zgjedhur që të shohë të vërtetën nëpërmjet fatit të dorës tek një fallxhore rome. Mirëpo teksa ka kryer këtë ritual, fallxhorja ka arritur tia marrë nëpëmjet mashtrimit vathët që i kishte përfituar si dhuratë nga i fejuari i saj. Ngjarja ka ndodhur në 23 prill të këtij viti kur e dëmtuara Migena Lika, është ndaluar nga tre gra rome, të cilat i kanë kërkuar që ti shihnin fatin e dorës. Lika ka pranuar duke i zgjatur dorën. Njëra nga gratë, që prokuroria ka identifikuar shtetasen Nanije Muhaxhiri, i ka pohuar të dëmtuarës se duhet ti hiqte vathët dhe tia dorëzonte asaj, me qëllim që të shihte më mirrë fatin e dorës. Pas kësaj bisede e dëmtuar pretendon se është hutuar duke u mashtruar nga fallxhorja dhe është larguar në banesën e saj. Mirëpo më pas është kujtuar për mungesën e vathëve të floririt, duke shkuar me shpejtësi në rajonin e policisë nr. 1 në Tiranë. Nga denoncimi i kryer efektivat e polcisë së bashku me të dëmtuarën kanë shkuar në zonën e "Zogut të zi", ku kanë bërë idenktifikimin e tre grave. Mes tyre ndodhej dhe shtetësja Nanije Muhaxhiri, e cila është arrestuar nga policia për akuzën e "Mashtrimit". Në 31 gusht Muhaxhiri për këtë ngjarje është dënuar me 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar nëna e shumë fëmijëve u dënuar përfundimisht me 4 muaj burg.

Vendimi i gjykatës
Gjatë shqyrtimit gjyqësor rezultoi se, më datën 23.04.2012 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetases Nanije Muhaxhiri për veprën penale të "Mashtrimit". Nga shqyrtimi i materialit referues të ardhur nga Komisariati i Policisë Nr.1 Tiranë ka rezultuar se, më datë 23.04.2012 pranë Komisariatit të Policisë nr.1, është paraqitur shtetasja Migena Lika dhe ka bërë kallëzim penal. Kjo shtetase ka deklaruar se, në datë 23.04.2012, tre gra rome me anë të mashtrimit i kishin vjedhur një palë vathë floriri në kohën kur, ajo kishte qënë duke u kthyer në shtëpi.Kallëzuesja ka deklaruar se, njëra nga gratë rome e ka ndalur në rrugë dhe i ka propozuar t'i shikonte dorën për t'i lexuar fatin. Kallëzuesja ka pranuar dhe i ka zgjatur dorën. Në këtë kohë, gruaja rome i ka kërkuar kallëzueses të hiqte vathët e floririt dhe t'ia jepte gruas "për të lexuar më mirë fatin". Pasi ka folur për disa momente "duke i lexuar fatin" gruaja rome e ka hutuar kallëzuesen, e cila është ndarë me të dhe ka shkuar në shtëpi pa marrë me vete vathët e floririt. Kur ka shkuar në shtëpinë e saj kallëzuesja ka kuptuar se, nuk i kishte më vathët e floririt dhe është drejtuar për në polici. Sipas kallëzimit të shtetases Migena Lika, gratë rome mund të ishin nga Fushë-Kruja, pasi sipas personave të pranishëm në vend-ngjarje, këto shtetase kishin kryer edhe vjedhje të tjera. Pas marrjes së kallëzimit, nga ana e shërbimeve të policisë është shkuar tek vendi i quajtur "Zogu i Zi" Tiranë, së bashku me shtetasen Migena Lika. Në këtë vend, kallëzuesja Migena Lika ka identifikuar tre gra rome, ndër të cilave ishte dhe gruaja, që i kishte vjedhur vathët. Në këto kushte është bërë shoqërimi për në Komisariat i shtetaseve Nanije Muhaxhiri, Perjan Hymerllaj dhe Shpresa Muhaxhiri. Nga kontrolli i ushtruar kësaj shtetase në momentin e shoqërimit i janë sekuestruar një palë vathë me ngjyrë të verdhë si ajo e floririt të gdhendura në pjesën ballore, ku në pjesën e gdhendur të tyre ka ngjyrë të verdhë dhe të bardhë si dhe në pjesën e brendshme mban numrin 585. Këto vathë, të cilat të dëmtuarës i'a ka blerë i fejuari i saj, me rastin e fejesës së saj në shumën 20 000 lekë të reja, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Në këto kushte është kryer arrestimi në flagrancë i shtetases Nanije Muhaxhiri.

Dëshmia e të pandehurës
E pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetimet shtetasja Nanije Muhaxhiri ka deklaruar se më datë 23.04.2012 ka ardhur në Tiranë së bashku me dy shoqet e saj, të cilat janë Shpresa Muhaxhiri dhe Perjana Hymerllaj, pasi shesin copa të ndryshme, si dhe mbledhin kanaçe. Diku në një lagje të Tiranës janë përballur me një vajzë, e cila sipas Nanijes i ka ndaluar, i ka zgjatur dorën dhe i ka thënë t'i hidhte fall, nëse burri i saj kishte dashnore. Nanija i ka kapur dorën dhe i ka thënë që burri i vajzës nuk ka dashnore. Kjo shtetase ka hequr vathët, ja ka lënë në dorë nanijes dhe është larguar. Më pas kur kanë qënë tek furgonat e Fushë-Krujës ka ardhur policia së bashku me atë vajzën dhe e kanë ndaluar. Sipas Nanijes ajo i ka nxjerrë vathët nga pjesa e sipërme e bluzës dhe ja ka drejtuar asaj vajzës.Janë pyetur me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetaset Perjan Hymerllaj dhe Shpresa Muhaxhiri të cilat deklarojnë se, nuk kishin dijeni për vathët, por vetëm kur Nanija kishte shkuar tek to i kishte thënë që ajo vajza i kishte falur një palë vathë floriri.

(eq/shqiptarja.com)