Prokuroria e Stambollit ka kërkuar nga 3 deri në 10 vjet burg për aksionerin e 'Air Albania',  Sinan Idrizi,  i cili akuzohet për mashtrim. Denoncimi ndaj tij është bërë nga biznesmeni turk Adnan Polat, ish presidenti i klubit Galatasaray.

Polat shprehet se Idrizi i ka marrë 3.5 milionë dollarë duke dalë garant në blerjen e një kompania të hidrokarbureve në Shqipëri, që merrej me markimin e naftës.

Polat në denoncimin e  tij shprehet se i ka dhënë Sinan Idrizit  3.5 milionë dollarë si fillim, por kur marrëveshja dështoi, ai nuk ia ktheu mbrapsht paratë.

Marrëveshja kapte vlerën 17 milionë dollarë, por që në fund nuk u realizua kurrë.

Për këtë prokuroria ka dhënë pretencën ku i dyshuari Sinan Idrizi u kërkua të dënohej me 3 vjet deri në 10 vjet burg për mashtrim dhe rasti i është dërguar Gjykatës Assize të Stambollit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:50
Agron Shehaj: Sinan Idrizi, mashtrues dhe riciklues parash të pista

Për Partinë Demokratike, biznesmeni Sinan Idrizi është një riciklues parash të pista, ku është i përfshirë edhe kryeministri Rama. Në një reagim në Facebook, ish-deputeti i PD, Agron Shehaj thotë se Prokuroria shqiptare duhet të hetojë të gjitha veprimet në lidhje me përfshirjen e Edi Ramës në skemën mashtruese.

"Sinan Idrizi është një mashtrues dhe ndoshta riciklues parash të pista. Këtë tashmë e ka vërtetuar prokuroria turke e cila sapo ka kërkuar dënimin e tij me 10 vjet burg për mashtrim miliona eurosh. Biznesmeni turk, që filloi hetimin duke kallzuar Idrizin, ka përfshirë në skemë edhe kryeministrin Edi Rama.

Tani, duhet që Prokuroria shqiptare të hetojë të gjitha veprimet në lidhje me përfshirjen e Edi Ramës në skemën mashtruese për shitjen e GFI. Prokuroria duhet gjithashtu të hetojë se si u bë Sinani, pa kontribuar asnjë qindarkë, partner i shtetit në Air Albania. A është ai fasada pas aksionerit e pronarit të vërtetë, Edi Ramës në Air Albania? A po riciklon ai paratë e korrupsionit qeveritar apo të krimit të organizuar përmes Air Albania?

Këto pyetje duhet të marrin përgjigje menjëherë!", shkruan Shehaj.