SPAK kërkon burg për 18 të arrestuarit që kanë mashtruar me Call Center, ndërsa seanca është ende duke u zhvilluar në GJKKO. Sipas SPAK pronari i Call Center “Blu energy”, Erion Kasmi, Xhulian Xhafa inxhinieri IT dhe vartësit e tyre duhet të mbeten në qeli, ndërsa ka kërkuar arrest shtëpi për 4 punonjëse.
Pas letërporosisë gjermane u zbulua grupi që 'Blue energy call' me seli te Rruga e Kavajës është përfshirë në mashtrimin e rreth 2 mijë gjermanëve duke u marrë mbi 5 mln euro. SPAK ka kontrolluar 8 ambiente të Call Center-it “BLUENERGYCALL SHPK”, ndërsa zbulon se mashtrimi i shtetasve gjermanë ka nisur që në 2018 e në vijim.
Pronari Kasmi u kap në Rinas gjatë kohës që po tentonte të largohej nga vendi. Të arrestuarit akuzohen se përmes platformave BrokerZ dhe Globalix, mashtruan gjermanët që të investonin në bursë apo në metalet me vlerë dhe diamantet. Me pas paratë e vjedhura depozitoheshin në bankat off-shore.