'Blini diamante dhe investoni në bursë' si iu vodhën 5 mln euro 2 mijë gjermanëve përmes Call Center në Tiranë, SPAK arreston 15 persona, mes tyre dhe pronari

'Blue energy call' me seli te Rruga e Kavajës është përfshirë në mashtrimin e rreth 2 mijë gjermanëve duke u marrë 5 mln euro. SPAK ka kontrolluar 8 ambiente të  Call Center-it “BLUENERGYCALL SHPK”,  ndërsa zbulon se mashtrimi i shtetasve gjermanë ka nisur që në 2018 e në vijim, ndërsa vetë kompania ishte regjistruar në 2017.  

Në pranga ka përfunduar Erion Kasmi, pronari i Call Center dhe programuesi i IT së kompanisë Xhulian Xhafa dhe punonjësi Anduel Gjergji. Arrestimet ndodhën gjatë operacionit të koduar 'Skema'  ku janë shpallur në kërkim 21 të tjerë dhe 35 janë aktualisht në hetim. Pronari Kasmi u kap në Rinas gjatë kohës që po tentonte të largohej nga vendi.

Arrestimi i tyre nga SPAK dhe Policia e Tiranës është bërë pas kërkesës së autoriteteve gjermane. Të arrestuarit akuzohen se përmes platformave BrokerZ dhe Globalix,  mashtruan rreth 2 mijë gjermanë duke u vjedhur 5 milionë euro. Vetë punonjësit përdornin pseudonime dhe merrnin klientët të cilët i tundonin fillimisht përmes investimit në shuma të vogla me premtimin se do të fitonin shumë më shumë. Kryesisht pre e këtyre mashtrime binte mosha e tretë. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 200 pajisje kompjuterike, 120 pajisje të telefonisë Voip, 1 laptop, 70 telefona të lëvizshëm, USB, karta të ndryshme, dokumentacione etj. Në kryerjen e operacionit policor morën pjesë dhe organet ligjzbatuese gjermane, nën drejtimin e Prokurorit të ardhur nga Republika Federale Gjermane dhe një skuadre të strukturave të hetimit kibernetik.

Edhe në Kosovë para një javë më parë u arrestuan 36 administratorë dhe punonjës të Call Center në Kosovë për mashtrim përmes Call Center të shtetasve gjermanë. Një ndër të arrestuarit në Kosovë, ishte një person nga Kavaja dhe kjo bëri që hetimet të lidheshin edhe në Tiranë ku u zbulua lidhja e bashkëpunimit të tyre.

Përmes platformave BrokerZ dhe Globalix, të arrestuarit mashtroni shtetasit e huaj që të investonin në bursë apo në metalet me vlerë dhe diamantet. Me pas paratë e vjedhura depozitoheshin në bankat off-shore .

15 të arrestuarit do të përballen me veprat “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”.

Një ditë më parë edhe policia e Tiranës nisi hetimin penal ndaj 9 administratorëve të Call Center në Tiranë nën akuzën e mashtrimit të shtetasve të huaj, kryesisht nga vendet e BE-së, që të investonin në bursë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:18
Operacioni i SPAK në Tiranë për mashtrimet me Call Center: Mashtrimi që prej 2018, në pranga edhe administratori dhe programuesi i Call Center

SPAK ka dhënë njoftimin lidhur me operacionin e mashtrimit  të shtetasve gjermanë përmes Call Center.

Njoftimi i plotë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në bashkëpunim me Njësinë “C” në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së  Shtetit dhe në bashkëpunim me Autoritetet Gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme Bamberg, Sektorin Qëndror Cybercrime Bayern Gjermani, në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.300/2021 dhe në zbatim të Vendimit nr.359 datë 05.10.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka kryer hetime intesive në drejtim të veprës penale “Mashtrim kompjuterik, në kuadër të grupit të organizuar kriminal”.

Në këtë kuadër, me datë 16.03.2022 është ushtruar kontroll në 8 (tetë) ambjentet e subjektit “BLUENERGYCALL SHPK”, rruga e Kavajës, Condor Center, në Tiranë.

Gjatë kontrollit është arritur sekuestrohen pajisje kompjuterike, sisteme elektronike dhe prova të tjera materiale që dokumentojnë se subjekti “BLUENERGYCALL SHPK” me seli në Tiranë, i cili ushtronte aktivitetin e “Call Center”, në platformat elektronike mashtruese “BrokerZ” dhe “Globalix” nga viti 2018 e në vazhdim ka kryer mashtrimin e shumë qytetarëve gjermanë, duke përfituar prej tyre shuma të konsiderueshme parash.

Pas analizimit dhe vlerësimit të provave të grumbulluara është bërë ndalimi i 15 (pesëmbëdhjetë) shtetasve dhe konkretisht administratorit të subjektit E. K., shtetasit Xh. Xh., me funksion IT-programues elektronik dhe 13 shtetasve të tjerë me funksion “Retention (menaxherë të sallave)” të subjektit “BLUENERGYCALL SHPK”, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 143/b, 28 pika 4 dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. 

Hetimet e këtij procedimi penal vazhdojnë në drejtim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe fakteve objekt hetimi dhe evidentimit të gjithë shtetasve apo subjekteve tregëtare të përfshirë në këtë aktivitet të kundraligjshëm.

Ora 11:00
U morën 2 mijë gjermanëve 5 mln euro, ja një nga Call Center të përfshirë në mashtrim

Report Tv ka mundur të sigurojë emrin e një prej Call Center të përfshirë në mashtrimin e shtetasve gjermane përmes platformave BrokerZ dhe Globalix.

'Blue energy call' me seli te 5 Maji është një nga Call Center e përfshirë në mashtrimin e rreth 2 mijë gjermanëve duke u marrë 5 mln euro. Kompania është regjistruar në 3 prill në 2017 dhe pronar ka Redian Kuka.

 

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sonj: 17/03/2022 10:16

    Po emrat pse nuk i thoni?

    Përgjigju
    • Taulant: 17/03/2022 19:32

      Ç’i do?

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës