Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka publikuar në rrjetet sociale foto dhe identitetet e 2 protestuesve, për të cilët tha se janë të arrestuar nga Policia për drogë.

Balla shkruan në postimin e tij në rrjetet sociale se bëhet fjalë për shtetasit e identifikuar si Egzon Azemi dhe Besnik Mujeci, të cilët sipas tij kanë marrë pjesë në protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër Qeverisë.

Balla tha se 2 protestuesit në fjalë janë arrestuar për 11 mijë doza drogë, teksa shtoi se në protestat që po zhvillohen në Tiranë marrin pjesë ‘sorra inkubatorësh të urrejtjes nga Prishtina e Tetova’, që sipas tij maskohen si ‘shqiponja diaspore’.

“Transparenca e Protestës, identifikojmë sorrat. Kur unë flas për sorra inkubatorësh të urrejtjes nga Prishtina dhe Tetova, të cilët maskohen si shqiponja diaspore e kam fjalën për tipa si këta në video që sigurisht nuk kanë si të jenë pro qeverisë së Tiranës. Normal janë kundër Edi Ramës. Edhe kundër meje, pse jo. Sepse i kemi arrestuar me 11 mijë doza drogë”, shkruan Taulant Balla në postimin e tij.