Në Tiranë po mbahet protesta e 39-ë e qytetarëve, kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe gjithë klasës politike në vend.
Protestuesit u mblodhën në Sheshin Skënderbej në kryeqytet me pankarta në duar e simbole kombëtare, ku kërkojnë burgosjen e kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Sali Berisha, me thirrjet 'Rama n'burg, Berisha n'burg'. Më pas protestuesit kanë marshuar drejt Kryeministrisë.
Organizatori Arben Kola ka ashpërsuar retorikën, duke uruar që kryeministri Edi Rama 'të hidhet nga tarraca e Kryeministrisë' ditën e nesërme, në ditën e 40-ë të protestës. Kola ka kërkuar nga qytetarët që të bojkotojnë koncertin e këngëtarit Kannye West, që do të zhvillohet pas disa ditësh në Tiranë.
“Vazhdoni të prishni algoritmin dhe bojkotoni Kannye West bashkë me Ramoviçin, i cili është çmendur dhe shpresojmë që shumë shpejtë të hidhet nga tarraca e Kryeministrisë dhe Shqipëria të shpëtojë. Mbase nesër që janë të 40-at ja hamë edhe hallvën dhe të shpëtojmë. Mbase nesër vendos të hidhet ose nga charteri që po vjen nga Turqia, ose nga tarraca e Kryeministrisë. E mira e të mirave ishte siç e bëjnë në shtetet perëndimore ose në Indi, ku digjet trupi dhe hirin t’ja dërgojnë diku, në një kontinent tjetër. Që mos ta kemi hirin e tij, kockat e tij në tokën tonë. Një djall si Rama nuk i duhet vendit tonë as mbi tokë e as nën tokë”, tha organizatori Arben Kola.
Lajm në përditësim...
Një prej organizatorëve të protestave që po zhvillohen në Tiranë, Edison Lika, u ka kërkuar qytetarëve gjatë tubimit të sotëm para Kryeministrisë, që të bojkotojnë koncertin e Kanye West në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, Lika tha se West është një këngëtar anti-semit, i bojkotuar sipas tij nga të gjitha shtetet e Europës.
“Në këto momente kur Shqipëria ka 39 ditë që është bllokuar nga protestat që kanë hyrë në shtëpinë e secilit prej nesh, duket se kryeministrit Edi Rama i kishte ardhur një urgjencë. Atij i duhej të akordonte 4 milionë euro për koncertin e Kannye West. West është një anti-semit i hapur, që ka qenë qartas e nxjerrë nga Qeveria shqiptare. Kjo qeveri që ka akuzuar protestuesit për anti-semitizëm, fton një këngëtar anti-semit të ndaluar në shumicën e vendeve të Europës. Tani ai do paguajë edhe 4 milionë euro për t’i mundësuar koncertin. Ky vend ka kaluar tërmete dhe ne nuk i kemi pasur 4 milionë euro t’ja dërgojmë njerëzve të prekur”, tha mes të tjerash organizatori Edison Lika.
Komente











