Palmer: Bëjmë gjithçka të bindim BE-në për hapjen e negociatave përpara Samitit të Zagreb

I dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha sot se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Ballkani Perëndimor të ketë përspektivë europiane dhe për këtë ai tha se do të mundohen të bindim Bashkimin Europian.

Palmer i bëri komentet në një konferencë për gazetarë në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Matthew Palmer tha se me presidentin e Serbisë kanë diskutuar për situatën aktuale politike, jo vetëm në Serbi, por në të gjithë rajonin.

“Kjo është me të vërtetë e rëndësishme, veçanërisht pas dështimit të Bashkimit Evropian për të gjetur një kompromis në lidhje me hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Sipas mendimit tonë, ky ishte një gabim historik dhe ky është një mesazh i keq për të gjithë rajonin", tha Palmer duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara janë të interesuara të shohin Ballkanin Perëndimor drejt perspektivës europiane.

"Amerika dëshiron që Ballkani Perëndimor të ketë një perspektivë evropiane dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të bindur Bashkimin Europian që të ndryshojë pozicionin e tij përpara takimit të udhëheqësve të Bashkimit Europian në Zagreb, në muajin maj", tha ai.

Palmer bëri thirrje ndërkaq që të respektohet rezultati i zgjedhjeve në Kosovë, ku Lista Serbe ka marr mbështetjen e shumicës së serbëve të Kosovës dhe të drejtën për t’i përfaqësuar në qeveri. Ai tha se për këtë çështje ka diskutuar edhe me udhëheqësit në Kosovë përfshirë edhe Albin Kurtin.

Palmer tha se puna e tij “aktualisht lidhet me mundësinë e kthimit të Kosovës e Serbisë në tavolinë për të vazhduar bisedimet”, një proces ky që është pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa diplomatët shpresojnë që ripërtëritja e bisedimeve të ndodhë para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Magazinën e kthyen në ‘shtëpi bari’, 6 të shoqëruar në polici! Kultivuesit përdorinin hyrjen nga pas godinës 

Magazinën e kthyen në ‘shtëpi bari’, 6 të shoqëruar në polici! Kultivuesit përdorinin hyrjen nga pas godinës