Matura 2012, teste me
4 nivele vështirësie

Matura 2012, teste me <br />4 nivele vështirësie
TIRANE- Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë qershor testet e maturës shtetërore do të ndërtohen mbi bazën e katër niveleve të ndryshme të vështirësisë. Kjo pasi këtë vit do të aplikohen si lëndë me zgjedhje edhe lëndë që janë të thelluara, pra që kanë një informacion shumë më të madh se sa lëndët bazë. Pikërisht për këtë shkak, testet do të përmbledhin të katër nivelet: niveli i dobët që tenton thjesht për të marrë një notë kaluese, niveli i mesëm, niveli i mirë dhe i shkëlqyer, një mënyrë kjo që brenda një testi të mund ta gjejnë veten si nxënësit e dobët ashtu edhe ata që duan të marrin vlerësimin maksimal.
NDRYSHIMET
Sipas rregullores së re të Maturës Shtetërore për vitin 2012, ndryshim do të ketë edhe sa i përket mënyrës së hartimit të testeve. Sipas specialistëve të arsimit, që kanë punuar për rregulloren e re, testet e lëndëve të “avancuara” do të jenë vetëm me nivel të lartë vështirësie. Sipas tyre, përveç lëndëve të përbashkëta të kurrikulës bërthamë që mësojnë nxënësit në shkollën e mesme, një pjesë e tyre i mësojnë këto lëndë edhe si të avancuara. Pikërisht këto lëndë të avancuara do të mund të zgjidhen nga maturantët pasi do të jenë në listën e lëndëve me zgjedhje. Por MASH tërheq vëmendjen se kur bëhet fjalë për shembull për Fizikë të Avancuar, testi nuk do të jetë më me tre nivele vështirësie, por do të jetë me një nivel të vetëm që do të jetë i thelluar. Kështu, ata që zgjedhin një lëndë me prapashtesën “e avancuar” do të vihen përballë pyetjeve relativisht të vështira, ndaj duhet të maten mirë para se t’i zgjedhin ato lëndë, pasi nëse nuk janë të sigurtë në dijet e tyre, rrezikojnë që të humbasin pikë. Ndërkohë që aktualisht në shkolla po aplikohet sistemi i krediteve. Gjatë gjithë viteve të shkollës supozohet që maturanti duhet të ketë grumbulluar rreth 90 kredite në total, për t’u drejtuar më pas dyerve të fakulteteve ku synojnë të studiojnë. Në diplomën e tij do të figurojnë jo vetëm notat, por edhe pikët e kreditet, që ka mbledhur secili nxënës. Maturanti duhet të fitojë minimalisht 90 kredite, për t’u konsideruar si kalues i maturës dhe për t’u pajisur me diplomë të posaçme mature. Projektet kurrikulare, shërbimi komunitar dhe modulet profesionale kanë kreditet e tyre, por nuk vlerësohen me notë. Kreditet, një element krejt i ri për sistemin parauniversitar, rrezikojnë të djegin ata maturantë, që nuk kanë arritur normën e përcaktuar. Me sistemin e ri të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të instaluar në shkollat e mesme, vlerësimi nuk do të jetë më semestral por vjetor, duke mos mbetur thjesht një mesatare aritmetike. Për të mos rrezikuar Maturën Shtetërore, nxënësit duhet të bëjnë mirë llogaritë përmes formulës së vlerësimit. Sipas rregullores, vlerësimi i ri konsiston në përdorimin e një formule të re. Ajo merr në konsideratë vlerësimin me gojë, atë me shkrim, si dhe projektet kurrikulare.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Panik dhe frikë në Gjermani - Danimarkë, forcat speciale arrestuan tifozin e maskuar në çatinë e 'Iduna Park'

VIDEO/ Panik dhe frikë në Gjermani - Danimarkë, forcat speciale arrestuan tifozin e maskuar në çatinë e 'Iduna Park'