TIRANE- Matura Shtetërore do të pësojë një sërë ndryshimesh sa i përket mënyrës së zhvillimit të saj, por edhe përllogaritjes së pikëve. Një nga ndryshimet thelbësorë është ndarja e provimeve me zgjedhje dhe jo zhvillimi i tyre brenda të njëjtës ditë. Pas kërkesës së nxënësve Ministria e arsimit ka marrë parasysh ndarjen e këtyre provime, duke sjellë një lehtësim si në kryerjen e tyre ashtu edhe në administrimin e provimeve. “Dy kanë qenë kërkesat kryesore të nxënësve, ndarja e provimeve me zgjedhje, pra që të mos jenë më në një ditë si dhe rritja e peshës së notës mesatare. Dhe të dyja këto do të merren parasysh. Pra, këtë vit maturantët, provimet e lëndëve me zgjedhje do t'i bëjnë të ndara, pasi do zhvillohen në ditë të ndryshme” ka theksuar Nora Malaj, zv/ministre e Arsimit.

Kështu me këtë ndryshim maturantet do të zgjedhin dy lëndët e ndryshme dhe do të japin provimet në ditë të ndryshme. Në vitet e kaluara maturantet duhet të përgatiteshin të jepnin dy provime me zgjedhje brenda të njëjtës ditë, çka sillte ngarkesë si për vetë nxënësit ashtu edhe për hartuesit e tezave dhe administratorët e provimeve. Me sistemin e ri, ndryshimi i vetëm është që maturantet do të japin 5 provime dhe jo më tre si vitet e kaluara dy me detyrim dhe dy me zgjedhje por, kur këto të fundit kryheshin brenda një dite. Një tjetër ndryshim i Maturës Shtetërore ka të bëjë me notën mesatare e cila pritet të ketë më shumë peshë në përllogaritjen e pikëve.

“Notës mesatare i kemi dhënë më shumë peshë se vitet e mëparshme. Është vendosur që të jetë 10% më shumë se sa ka qenë më parë. Me këtë gjë ne i japim rëndësi formimit të përgjithshëm të çdo maturanti dhe jo vetëm lëndëve me detyrim dhe me zgjedhje. Pasi një qytetar i mirëformuar është një qytetar më aktiv, më i realizuar” ka theksuar zv/ministrja e arsimit. Ndërkohë faza përgatitore për këtë proces po ecën sipas afateve të përcaktuara. Kjo do të thotë se është duke u punuar për programet orientuese të maturanteve të cilat do të jenë gati në fillim të muajit shkurt.

Në këtë fazë është duke u punuar edhe për mënyrën e administrimit të provimeve të cilat kanë të bëjnë me menaxhimin teknik të ambienteve, ku zhvillohen provimet duke parashikuar rritje të survejimit. “Do të ketë penalitete të ashpra për abuzuesit, deri në heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit për një periudhë kohe. Shumë shpejt do të nisë një debat për të zgjedhur mekanizmat e duhura” pohon numri dy i arsimit në vend, e cila garanton se ndryshimet që do të pësojë ky proces do të sjellë me pak ankesa për nxënësit.


Shkrimi u publikua sot (26.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)