TIRANE - Në pesë qarqe të vendit ka nisur korrigjimi i provimit të letërsisë të Maturës Shtetërore. 250 mësues kanë nisur korrigjimin e këtij provimi i cili ishte dhe provimi i parë.

Shkolla “Sabaudin Gabrani” është shkolla ku po zhvillohet ky proçes i korrigjimit të tezës për Tiranën. Shkolla çdo ditë mbikqyret nga policia, për të evituar ndonjë manipulim të mundshëm.

Një javë më parë u dyshua për manipulim në provimin e letërsisë dhe u diskutua nxjerrja e tezës në shkollën “Ismail Qemali”. Drejtori i agjencisë kombëtare të provimeve shprehet se testet nuk identifikohen ne momentin e korrigjimit, por rastet e parregullsisë i janë nisur bashkangjitur provimeve për çdo shkollë të vendit.

Deri tani janë korrigjuar 30% e tezave, ndërkohë që pritet që procesi të përfundojë në mës të javës që vjen. Për ato maturantë që nuk do të jenë dakort me pikët, u vihet në dispozicion fotokopja e tezës për ta krahasuar me çelësin e përgjigjeve.

Provimi i dytë i detyrueshëm i maturës shtetërore është provimi i matematikës. Ky provim do të zhvillohet në datën 14 qershor.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)