Maturantja ekselente ende pa
“Medalje Ari”, trajtim nga ministria

Maturantja ekselente ende pa<br />“Medalje Ari”, trajtim nga ministria
TIRANE- Në 12-vitet e shkollës deri më tani, 9-at që ka marrë numërohen me gishtat e dorës. 18-vjeçarja nga Elbasani, Aurela Kulloli, është shpallur maturantja e tretë më e mirë në vend. E dashuruar me matematikën, zgjodhi të studiojë Mjekësi në universitetin publik, vetëm për shkak të ardhshmërisë së profesionit.
 
Aurela Kulloli, është maturantja më e mirë e të gjithë shkollave të mesme publike. E renditur në vendin e tretë në rang vendi, pasi dy vendet e para i kanë zënë maturantë nga shkollat e mesme private, 18-vjeçarja nuk e ka ende të qartë nëse MAS do t’i japë apo jo medaljen e Artë, megjithëse i plotëson kriteret. Ajo ka mbaruar shkollën e mesme në gjimnazin “Dhaskal Todri” të Elbasanit, me të gjitha 10-ta, dhe po ashtu është vlerësuar me notën 10 në të gjitha provimet e maturës shtetërore.

Aurela e dashuruar pas matematikës, ka vendosur të studiojë për Mjekësi vetëm në momentin e fundit, pasi e ka parë më me të ardhme profesionin e mjekut se sa atë të një mësuesi matematike.

Ashtu siç e parashikon ligji, ajo është përjashtuar nga tarifa e pagesës së shkollës së lartë prej 30 mijë lëkësh të reja, ndërsa duket se do të futet automatikisht në listën e atyre studentëve që do të përfitojnë edhe bursë, në masën 8900 lekë të reja në muaj. Por Aurela pretendon më tepër. Ajo dëshiron që të fitojë “Medaljen e Artë” për arsimin parauniversitar, për të cilën ende nuk ka marrë një përgjigje të saktë nga MAS, pavarësisht se ajo e ka dorëzuar dosjen e saj.

“Ishin mësuesit e shkollës që më nxitën për këtë gjë. Ata më thanë që i plotësoja të gjitha kriteret dhe s’kisha përse të mos e kërkoja. Dhe kështu ndodhi. Ishte stafi pedagogjik i shkollës që bëri propozimin, të cilin, sipas procedurave që përcakton ligji e përcolli në drejtorinë arsimore të Elbasanit, dhe ata e përcollën më pas edhe në Ministrinë e Arsimit.

Gati 10 ditë më parë unë kam zhvilluar një takim edhe me specialistët e arsimit në ministri, të cilët më thanë se do ta trajtonin me prioritet rastin tim. Po ashtu edhe ministrja e re e arsimit, Lindita Nikolla, më priti në zyrën e saj dhe më tha se dosja ime do iu kalojë juristëve të MAS për të parë nëse më takon apo jo “Medalja e Artë””, - na shpjegon Aurela. Ajo na tregon se dyshimi për verifikimin e kushteve për “Medaljen e Artë, ka lindur pas një udhëzimi të dalë në gusht të 2013, që përcakton se këtë titull mund ta fitojnë edhe ata që janë fitues të njërit prej tre çmimimeve të para në një olimpiadë ndërkombëtare.

“Në letërsi jam vlerësuar me 9.65; në Matematikë jam vlerësuar me 10.00; ndërsa si lëndë me zgjedhje në provimet e maturës kisha Matematikë e thelluar dhe Kimi e thelluar në të cilat jam vlerësuar në të dyja me 10.00, ndërsa mesataren e shkollës së mesme e 10.32, pasi vlerësohemi me kredite. Po ashtu kam fituar edhe olimpiandën kombëtare të Matematikës, ndërsa në olimpiadë ndërkombëtare nuk kam marrë pjesë, pasi vendi ynë u bënë dy vite që s’merr pjesë, duke qenë se të gjitha shpenzimet duhet t’i mbulosh vetë. Këtë vit olimpianda ndërkombëtare e Matematikës ishte në Kili dhe sigurisht që unë me lekët e mia nuk mund të shkoja. Unë jam konsultuar me specialistë dhe më kanë thënë që më takon, sigurisht që unë nuk dua një gjë që nuk më takon. Kam shpresë tek ministrja e Arsimit, dhe do ta da sqarojë përfundimisht nëse më takon apo jo, por sigurisht që kjo ka një procedurë të gjatë dhe ndoshta nga fundi i nëntorit do të përfundojnë të gjitha procedurat”, - na thotë Aurela.
  
Udhëzimi i gushtit 2013
Kriteret, ja kush e përfiton “Medaljen e Artë”
Sipas një urdhëzimi të ish ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, që mban datën 2 gusht 2013: Nderohen me medaljen e artë nxënësit që përfundojnë arsimin e mesëm të lartë dhe plotësojnë njëherësh këto kushte: a) kanë pikët mesatare për kredit jo më pak se 10.00; b)në secilin prej provimeve të detyruara të maturës shtetërore janë vlerësuar me jo më pak se nota e shkallëzuar 9.5; c) në provimet me zgjedhje të maturës shtetërore kanë mesataren e notave të shkallëzuar 10.00; d) kanë sjellje shumë të mirë gjatë viteve të shkollimit. 3. Nderohen me medaljen e artë nxënësit që janë fitues të njërit prej tri çmimeve të para në olimpiadat ndërkombëtare me më shumë se 15 vende pjesëmarrëse.
 
Shkrimi u publikua sot (13.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Homazhet për Bejkush Birçen, nderohet nga ish-futbollistë, trajnerë e drejtues klubesh! Marko: Ikja e tij la zbrazëti në futbollin shqiptar

Homazhet për Bejkush Birçen, nderohet nga ish-futbollistë, trajnerë e drejtues klubesh! Marko: Ikja e tij la zbrazëti në futbollin shqiptar