Reforma në drejtësi ka nevojë për tu përmirësuar. Këtë e kanë pohuar dhe vetë drejtuesit e institucioneve të drejtësisë gjatë raportimeve në Kuvend, ndërkohë maxhoranca duket se është gati për të bërë këtë ndryshime. Por një gjë është e sigurtë. Ndryshimet do të realizohen vetëm nëse do të kenë konsensusin e SHBA dhe BE-së nënvizoi kreu i grupit parlamentart të PS-së Taulant Balla.
“Reforma në drejtësi ka kaluar. A ka nevojë për përmirësime për të bërë më efektive këtë reformë pas 5-6 vitesh? Pa dyshim që ka. Prej fund korrikut të vitit të kaluar ka pasur një sërë diskutimesh. Në shtator kemi ngritur një grup pune, nga mazhoranca dhe opozita, të cilët kanë bërë një proces të hapur duke ftuar të gjithë institucionet të sjellin propozimet e tyre, pasi ata e dinë më mirë se çfarë duhet përmirësuar. Një gjë ta dini nga ky krahu këtej, ne pa u dakordësuar me SHBA dhe BE, nuk bëjmë ndryshime në reformën në drejtësi. Pa dakordësinë e këtyre 2 partnerëve, pa të cilët nuk do të kishim bërë këtë reformë, do ishte Adriatiku, nuk do të ishim këtu. Ndaj duhet të jemi seriozë të mos e përdorim këtë për politikë, pasi janë çështje të rëndësisë kombëtare”, u shpreh Balla.
Ai vuri në dukje se grupi i punës e ka përmbyllur procesin dhe të mërkurën do të iniciohet një takim me partnerët ndërkombëtarë për të diskutuar këto ndryshime
“Këtë javë, të mërkurën kemi takim me miqtë ndërkombëtarë, pa të cilët nuk mund ta bëjmë reformë dhe nëse ka vullnet politik t’i miratojmë në seancën e fundit ose ta fillojmë shtatorin me miratimin e këtyre ndryshimeve”, tha Balla.
Ai foli dhe për raportet vjetore të organeve të drejtësisë, ku ftoi opozitën të votonte rezolutat.
“Kuvendi ka vendosur një standard të mirë, fakti që 5 institucionet janë në të njëjtën ditë raporti dhe kemi bashkuar në 7 orë e gjysmë debat për këtë çështje, do të ju ftoja të bëheni pjesë e këtij debati, por do të ishte mirë që edhe rezolutat të kalonin me konsensus. E kam thënë një herë tjetër: Kuvendi duhet të shprehet me një rezolutë për drejtësinë në tërësi, do të bëjmë një rezolutë për drejtësinë në tërësi dhe nuk e shoh të bazuar në librat tonë të bëjmë një rezolutë vetëm për SPAK. Ta mendojmë dhe vitin tjetër ta adresojmë”, tha ai.
Nga ana e saj Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se zbatimi i reformës në Drejtësi është përballur me probleme dhe se propozimet e sjella nga përfaqësuesit e organeve të Drejtësisë nuk po merren parasysh nga mazhoranca.
“Ne diskutojmë sot raportet e institucioneve të drejtësisë që ka interes. Ne të gjithë e përdorim drejtësinë si retorikë të ditës, sot i kemi përfaqësuesit në Parlament për të na dëgjuar se kush janë shqetësimet tona. Ju kujtoj që nga shtatori i vitit të shkuar, institucionet e drejtësisë kanë paraqitur disa propozime dhe kërkesa në lidhje me ndryshimet. Janë bërë 8 vite që është ndryshuar Kushtetuta dhe miratuar paketa e ligjeve. Siç edhe kuptohet, ka pasur probleme që lidhen si me zbatimin, me influencën politike, me shkollën e magjistraturës, me hapësirën që hapin këto institucione me politikën”, u shpreh Tabaku gjatë seancës plenare.
Lajmi kryesor: