TIRANE- Mazhoranca qeverisëse kaloi edhe dje “testin e unitetit” në parlamentin shqiptar. Në sallën e Kuvendit e cila nuk ishte mbushur plot për shkak të largimit të deputetëve të opozitës, aleanca e majtë miratoi dy projektligje të cilat kërkonin një shumicë të cilësuar votash për t’u quajtur të ligjshëm, pra 84 vota. Në votimin e parë, atë të prezencës, ra në sy se pjesëmarrja ishte fiks 84 persona, pra votat e nevojshme për të miratuar drafte që kërkojnë 3/5 e deputetëve.

Anti-korrupsioni
Ligji i parë është ai për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale që konsiston në luftimin e korrupsionit. Sipas këtyre ndryshimeve, tanimë nën hetim do të jenë edhe zyrtarët e lartë si edhe parashikohet edhe sekuestrimi i pasurive të të gjithë individëve që kanë përfituar para nëpërmjet korrupsionit. Në emër të grupit të deputetëve të mazhorancës, deputeti Taulant Balla hodhi akuza tepër të rënda ndaj kolegëve të tij të opozitës, kur theksoi se largimi i tyre nga salla e Kuvendit u bë për shkak se ata kanë frikë sekuestron e pasurisë, duke i cilësuar në mënyrë indirekte si përfitues nga aferat korruptive.

“Këtu e kanë hallin këta që ikën sot, sepse përmes këtyre ndryshimeve ligjore që ne bëjmë, të korruptuarve nuk u garantohet burgu, ashtu siç e meritojnë, por u konfiskohet edhe pasuria. E këta që ikin e kanë merakun se, mirë po pranojnë të bëjnë ca ditë burg, por jo t’u preket dhe pasuria. Prandaj nuk vinë sot të diskutojnë këtë projektligj, këtë paketë ligjore, që gjej rastin, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ta përshëndes Ministrin e Drejtësisë për një proces gjithëpërfshirës në kuadër të diskutimit të kësaj pakete dhe për një hap shumë të rëndësishëm në materializimin e angazhimit tonë si mazhorancë, në funksion të luftës kundër korrupsionit.

Një propozim i tillë reflekton në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe sugjerimin e Këshillit të Evropës, që i ka kërkuar Shqipërisë sonë prej shumë kohësh specializimin e personave apo të organeve që merren me luftën kundër korrupsionit, si dhe mbështetjen e tyre me burime materiale dhe trajnime për të përmbushur funksionet e tyre, si një mënyrë efikase për të parandaluar korrupsionin”,- tha Balla.

Amnistia
Ndryshe nga sa kishte premtuar, opozita nuk mori pjesë dje as në miratimin e amnistisë për të dënuarit. Në seancën e djeshme plenare, i vetmi përfaqësues i opozitës gjatë votimit ishte deputetit Ardian Turku, që lajmëroi se Jozefina Topalli do të vinte në interpelancën me kryeministrin Rama, por nuk mori pjesë në votim, duke i qëndruar besnik vendimit të partisë së tij. Ky draft i miratuar dje nga ana e mazhorancës, cilësohet si akt human për të gjithë të burgosurit, por edhe rrugë për të ulur popullsinë në burgje.
 
Shkrimi u publikua sot (11.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)