Mazhoranca miraton me 74
vota ligjin për Policinë Ushtarake

Mazhoranca miraton me 74<br />vota ligjin për Policinë Ushtarake
TIRANE- Është miratuar dje me 74 vota pro dhe 34 kundër projektligji “Për Policinë Ushtarake”. Ky projektligj, përpara se të vinte në seancë plenare, ka patur një gamë të gjerë debatesh gjatë rrugëtimit të tij në komisionet parlamentare. Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji, mazhoranca dhe opozita kanë ndarë këndvështrime të ndryshme sa i përket Policisë Ushtarake. Opozita ka ngulur këmbë se ky projektligj nuk është i konsultuar me partnerët ndërkombëtarë.

Madje deputetët e opozitës kanë këmbëngulur që t’ju vihen në dispozicion dokumenti, që vërtetonte se projekligji është konsultuar me partnerët e NATO-s. Megjithatë, pavarësisht kundërshtive të opozitës, deputetët e mazhorancës u kanë nxjerrë në pah kolegëve të tyre të opozitës, fakte negative lidhur me funksionimin e Policisë Ushtarake gjatë kohës kur ata ishin në pushtet, duke thënë se, që nga viti 2007 e deri më sot, kjo strukturë brenda Forcave të Armatosura ka funksionuar pa një paketë ligjore përkatëse.

Kjo u ripërsërit edhe dje në seancë plenare nga deputeti i Partisë Socialiste Pirro Lutaj. “Ky ligj është pjesë e paketës ligjore për të kompletuar tashmë Forcat e Armatosura dhe për ta kthyer dhe Policinë Ushtarake në një instrument ligjor brenda strukturës së FA, ndryshe nga çfarë ka qenë për 7 vjet rresht. Për 7 vjet rresht, një nga elementët FA-së, Policia Ushtarake ka vepruar pa asnjë dispozitë ligjore. Jemi këtu për të plotësuar reformimin dhe transformimin e mëtejshëm të FA.

Arsyeja kryesore e këtij ligji janë përsosmëria dhe përcaktimi i qartë i veprimtarisë së kësaj strukture brenda Forcave të Armatosura”, tha Lutaj. Ndërkohë edhe vetë minstrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli është shprehur se ndryshimet në ligj janë bërë, duke pasur parasysh përcaktimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Më tej, në emër të grupit parlamentar demokrat, deputeti Ardian Turku ka shprehur shqetësimin për kompetencat e reja që i jepen Policisë Ushtarake me miratimin e këtij projektligji.

“Ky projektligj ka një problem shumë të madh, jo në tërësi, por në disa nene të tij. Policia ushtarake ka të drejtë, ndryshe nga ligji i mëparshëm, që të mbledhë informacione jo vetëm për pjesëtarë të FA, por edhe për civilë. Kjo gjë nuk na është sqaruar asnjëherë. Kemi përshtypjen se i jepen kompetenca të jashtëzakonshme Policisë Ushtarake që të futet në të dhënat personale të çdo qytetari të Republikës”, tha Turku.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

Rama i kthehet punës pas operacionit, mbledh kryebashkiakët në 10:00 në Kryeministri

Rama i kthehet punës pas operacionit, mbledh kryebashkiakët në 10:00 në Kryeministri