TIRANE- Votimi vetëm me votat e mazhorancës për shtimin e një anëtari në Komisionin e Reformës Territoriale, ka ndezur dritën jeshile për fillimin e punimeve në këtë Komision duke filluar nga dita e hënë.
Por mundësitë për pjesëmarrje të barabartë edhe nga opozita në realizimin e kësaj reforme, ngelen ende të hapura. Bashkëkryetari i Komisionit, deputeti socialist Bashkim Fino i ka bërë thirrje edhe një herë opozitës të marrë pjesë në punimet e komisionit dhe të japë kontributin e saj në këtë reformë. Sipas tij, votimi i ditës së enjte në Kuvend, mundëson kuorumin e nevojshëm për nisjen e punës në këtë komision, por në cilindo moment që opozita do vlerësojë të bëhet pjesë, numri i anëtarëve do të jetë i barabartë.

Duke e vlerësuar pjesëmarrjen e opozitës si të domosdoshme për kryerjen e ndryshimeve radikale dhe që kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës, Fino ka kujtuar edhe një herë rëndësinë dhe afatet brenda së cilave duhet të realizohet kjo reformë. “ Me pjesëmarrjen e opozitës, mund të bëjmë një reformë më radikale. Nëse s’është prezente do të bëjmë reformën e shkallës së parë për komunat dhe bashkitë. Ne pritëm 3 muaj deri në seancën e djeshme. Ne duam që brenda këtij sesioni parlamentar, ta mbyllim me një hartë të re territoriale”,-deklaroi deputeti socialist. Për ministrin për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, koha në të cilën duhet të veprojë komisioni, duhet të jetë më e përshpejtuar për shkak të vonesave që reforma ka pasur nga mungesat e opozitës.

Sipas Çuçit, reforma është mbështetur tërësisht nga kryetarët e komunave dhe bashkive të cilët janë shprehur të gatshëm për të bërë këtë reformë. “Jam i gëzuar që më në fund u kapërcye ky ngërç procedurial. Të kapim kohën e humbur gjatë periudhës së pritjes së opozitës. Ka kryetarë komunash dhe bashkish të cilët kanë thënë: “Po, Shqipëria ka nevojë ta shikojë ndarjen e re territoriale se kështu nuk vazhdohet më. Edhe shoqëria civile, gati 100 % janë në konsensus për të bërë këtë reformë”, -u shpreh ministri Çuçi.

Mazhoranca ka lajmëruar se nga e hëna, ky komision do të fillojë punën, duke marrë në shqyrtim si fillim çështje që kanë karakter teknik, në pritje edhe të një vendimi të dytë nga opozita për pjesëmarrje në këtë komision. Edhe përfaqësuesit ndërkombëtar kanë bërë thirrje për opozitën që ta vlerësojë rëndësinë e kësaj reforme dhe të marrë pjesë në komisionin e ndërtuar për të.

Shkrimi u publikua sot 26 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)