Opozita bojkoton sërish Kuvendin, dështon miratimi i ligjit të Magjistraturës dhe Kodit Rrugor

TIRANE - Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi sot seancën e radhës, e cila u bojkotua sërish nga opozita. Prezentë në sallën e Kuvendit ishin deputetët e maxhorancës, kjo pasi opozita njoftoi një ditë më parë se do të zhvendosej në Elbasan për takimin e radhës, i cili vjen pas atij të Shkodrës pasditen e të hënës. Kuvendi kishte në rend dite rishikimin e buxhetit, pr/ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe ndryshimet në Kodin Rrugor.

Magjistratura dhe Kodi Rrugor kërkonin 84 vota dhe mungesa e opozitës bëri që këto ligje të shtyheshin sërish në pritje të konsensusit të pakicës parlamentare. Ndërsa akti normativ i buxhetit të shtetit kaloi me 78 vota. Gjithashtu, Kuvendi votoi edhe zgjatjen e hetimeve me tre muaj për komisionin hetimor "Tahiri" me 72 vota pro, 3 kundër dhe dy abstenim.

Opozita mungon prej dy seancash parlamentare për shkak të mbledhjeve urgjente jashtë Tiranës, nisur nga situata shqetësuese e kriminalitetit. Të hënën opozita u mblodh në Shkodër, ndërsa sot në Elbasan. Në Shkodër u ekzekutua të shtunën e kaluar një biznesmen, ndërsa ngjarjet e rënda kriminale vijojnë prej disa muajsh të trondisin kryeqendrën e veriut. Në këto kushte PD, LSI dhe aleatët e tjerë të opozitës shpalosën nga Shkodra betejën politike të vjeshtës "luftë kriminalitetit", ndërsa hodhën akuza ndaj qeverisë se mbron dhe nxit krimin. Nga Elbasani, Lulzim Basha u shpreh sot se vendi është i terrorizuar dhe kontrollin e kanë marrë bandat.


Rendi i ditës i punimeve të Kuvendit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:38
'Tiranë-Elbasan dështimi i qeverisë', Gjiknuri-Bashës: Rrugën e nisët pa projekt, bëtë vetëm tenderë

Kryetari i PD, Lulzim Basha e quajti sot nga Elbasani autostradën e papërfunduar Tiranë-Elbasan, si dështim i qeverisë. Nga foltorja e Kuvendit, ministri për Infrastrukturën, Damian Gjiknuri fajësoi qeverinë e kaluar se e nisi rrugën pa projekt, duke u mjaftuar vetëm me miratimin e tenderit. Sipas tij, kostoja e rrugës aktualisht ka arritur mbi 400 mln euro, nga 160 mln euro që ishte vlera fillestare. 

Rrugën Tiranë-Elbasan, Basha e quajti dështimi jonë. Një rrugë e filluar pa projekt, me 160 mln euro dhe që ka shkuar mbi 400 mln euro. Pra, pa projekt. Kjo po hetohet nga prokuroria. Iu them qytetarëve të Elbasanit, rrugë ata vetëm filluan, bënë tendera, rrugët u mbaruan nga kjo qeveri në 5 vitet e fundit dhe do përfundojnë në tre vitet në vijim. Këtu krijohet një perceptim se po bëre tenderin, ka mbaruar rruga. Por jo, ne do t'i përfundojmë të gjitha akset rrugore. 

Damian Gjiknuri, ministër i Infrastrukturës

Ora 10:25
Rishikimi i buxhetit, Ahmetaj: 2018-a do mbyllet me rritje ekonomike 4.5%, rekord investimesh të huaja

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj u shpreh nga foltorja e Kuvendit, ku në rendin e ditës të seancës është edhe rishikimi i buxhetit, se situata ekonomike në vend është optimiste. Sipas kreut të Financave, 2018-a do mbyllet me rritje ekonomike 4.5%, ndërsa theksoi se investimet e huaja këtë vit do arrijnë shifra rekord. Ahmetaj iu referua edhe bojkotit të opozitës, duke theksuar se PD dhe LSI duhet të ishin në seancë për t'u përballur me përgjegjësinë e tyre. 

4.5 % rritje ekonomike për vitin 2018. Investimet e huaja arritën në 284 mln euro. Prapë sivjet i ka të gjitha gjasat që të vendosë rekord, në 6 muaj 500 mln euro investime të huaja. Janë prapë pak për pritshmërinë, por janë më shumë se viti i kaluar. Dhe kanë mundësinë të vendosin sërish një numër rekord, në 1 mld euro këtë vit. Inat me shifrat do hamë? Opozita duhet të ishte këtu dhe të pwrballej me përgjegjësinë e saj. Se shifrat e opozitës duhet të jene të zeza dhe tonat rozë? Shifrat janë të ekonomisë dhe përkthehen në mirëqenie për qytetarët shqiptarë. Ende nuk kam dëgjuar një debat nga opozita për të gjitha këto ccështje që shqetësojnë qytetarët. E gjithë vëmendja e opozitës është si do ta marrin pushteti mbi hi, tym dhe flakë, krimi-droga, krimi droga. S;do ta dijë kush cc'a ndodh me pagat, vendet e punës, investimet e huaja. Qytetari do ta shikojë të përkthyer në vende pune dhe vende pune të paguara mirë, kjo është sfida jonë sot. Sektorët realë performuan mirë, industria. A e dini se më në fund kemi bërë një kthesë në industrinë e përpunimit të mineraleve. Nnjë industri e shkatërruar, i gjithë minerali eksportohej. Sot me politikë të kujdesshme fiskale, ai që eksporton mineral paguan 6% rentë. Sot malli i përpunuar eksportohet, dhe jo materiali bruto. Vlera është edhe 1 me 6 herë në favor të të përpunuarit. U rrit tregtia 3.37%, bujqësia me 2%, ka rrritur prodhimin, eksportin. E dini që para 5 vitesh, fermerët përfitonin rimbursim 800 mijë dollarë. E dini sa është sot? 22 mln dollarë. është i rastësishëm? Jo. 

Arben Ahmetaj, ministër i Ekonomisë dhe Financave

Ahmetaj iu referua edhe shpërblimeve të fundvitit, ku tha se nga paketa e solidaritetit pensionistët do marrin nga 5 mijë lekë të reja. Sipas tij, qeveria e kaluar i shpërblente pensionistët vetëm në vite elektorale.

Për festat e fundvitit, pensionistët do marrin 3.3 mld lekë nga paketa e solidaritetit. Në 8 vite, nga qeveria e kaluar vetëm katër herë janë dhënë bonuse në fund të vitit dhe ato vetëm gjatë viteve elektorale. Dhe shuma është në 8 vite është 10.3 mld lekë. 

Arben Ahmetaj, ministër i Financave

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet ministri i Sigurisë së Bosnjës Nenad Nesic, akuzohet për korrupsion! Në pranga edhe 6 të tjerë

Arrestohet ministri i Sigurisë së Bosnjës Nenad Nesic, akuzohet për korrupsion! Në pranga edhe 6 të tjerë