Mazniku: Deri në fund reformën,
akuzat për Isufaj,pjesë e përbaltjes

Mazniku: Deri në fund reformën,<br />akuzat për Isufaj,pjesë e përbaltjes
“Genc Pollo po udhëheq prej ditësh një lukuni shquptarësh në aktin e shëmtuar të dhunimit publik të Ejona Isufaj, drejtoreshës së inspektimit të ligjshmërisë pranë inspektoriatit shtetëror të arsimit. Dhuna e përditshme verbale e zotit Pollo dhe shqupatarve të tjerë ka si shtys shpifjen se Ejona Isufaj ka paraqitur një doktoraturë të pavlefshme për të marrë vendin e punës në ministri, kjo është po aq e pavërtetë sa është e pavertëtë që zonja Isufaj është kryeinspektore që vendos kush universitet do të mbyllet dhe kush do të hapet. Zonja Isufaj nuk e ka vënë kurrë në CV këtë doktoraturë për të fituar vendin e saj në ministri”, ka thënë Mazniku.

Ai theksoi se ish- ministri Pollo është po aq përgjegjës për gjendjen në të cilën u la arsimi gjatë qeverisjes së djathtë.

”Jemi këtu për të treguar me gisht Genc Pollon si një ndër bashkëpuntorët në krimin e madh moral që iu bë Shqipërisë me këto piramida mashtruese, ashtu si në demin e jashtëzakonshëm financiar që iu shkaktua në vitet e qeverisë së PD familjeve të studentëve”, deklaroi zëvendës ministri i Arsimt.

Prej datës 4 gusht kur u bë publik raporti i ministrisë së arsimit për heqjen e licencave të disa universiteteve, Partia Demokratike ka ngritur akuza, duke deklaruar se reforma është e kompromentuar.  Demokratët kanë theksuar se ata që inspektuan ligjshmërinë e Universitete, njëra syresh Ejona Isufaj, kishte vetë një doktoraturë false.


Fjala e plotë e Zëvendësministrit të Arsimit dhe Sportit, Arbjan Mazniku

Një ndër themeluesit e piramidave mashtruese të arsimit të lartë, ish-ministri Genc Pollo, po udhëheq prej disa ditësh një lukuni shqupatarësh, në aktin e shëmtuar të dhunimit publik të Ejona Isufaj, Drejtoreshë e Inspektimit të Ligjshmërisë pranë Inspektoratit Shtetërorë të Arsimit.

Dhuna e përditshme verbale e Z. Pollo dhe e shqupatarëve të tjerë, ka si shtysë shpifjen se Ejona Isufaj ka paraqitur një doktoratë false për të marrë vendin e punës në Ministri.

Kjo është po aq e pavërtetë sa ç’është e pavërtetë se Zonja Isufaj është kryeinspektorja që gjykon kush universitet hapet e kush mbyllet.

Për këtë Zonja Isufaj ka bërë edhe padinë përkatëse në gjyq dhe ministri i piramidave në arsim le të shkojë e ta provojë para gjykatësve shpifjen e tij.

Ndryshe nga figura të larta apo të shkurtra shtetërore ose politike të shqupatarëve, ndër të cilët edhe ish-kolegë deputetë demokratë të Zotit Pollo, apo ndryshe edhe nga vetë Shefi i tij i Kabinetit, Ejona Isufaj nuk e ka përfshirë në jetëshkrimin e saj doktoraturën në fjalë, kur ka konkurruar për funksionin që ka sot, në institucionin në varësi të MAS.

Por, arsyeja pse në emër të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit unë jam sot para jush, është për ta treguar me gisht Genc Pollon si një ndër përgjegjësit kryesorë të mashtrimit të madh shtetëror me diplomat pa vlere.

Për ta treguar me gisht Genc Pollon si një ndër bashkëpunëtorët në krimin e madh moral që iu bë Shqipërisë me këto piramida mashtruese, ashtu si dhe në dëmin e jashtëzakonshëm financiar që iu shkaktua familjeve te studenteve, në vitet e qeverisjes së PD-së.

Për ta treguar me gisht Genc Pollon si një ndër të papenduarit e mëdhenj të keqqeverisjes rrënuese të tetë viteve që e katandisën Shqipërinë në skenën e sukseseve imagjinare dhe të borxheve e të falsifikimeve dërrmuese.

Këta të papenduar nuk kanë nxjerrë asnjë mësim nga 1 milionë shuplakat e 23 qershorit por, janë kthyer në një klub thashethemexhinjsh që marrin nëpër gojë kë të munden, shajnë e shpifin duke sajuar të zeza pas të zezash për kundërshtarët. Por, më e keqja hanë kot bukën e popullit që i mban me taksat e tij këta “shakaxhinj qesharakë të përparimit” siç do t’i quante Fan Noli.

Unë dua t’i them sot, Zotit Pollo, Zotit Luli, Zotit Sali, dhe gjithë klubit të shqupatarëve, se ne jemi krenarë për punën që po bëjmë e për ekipin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit

Ne jemi krenarë për reformën historike që kemi ndërmarrë dhe do e çojmë deri në fund pa u ndalur para asnjë vitrine dhe asnjë pasqyre ku shihen e krihen të papenduarit për shkatërrimin që i sollën arsimit. Ne jemi krenarë që po bëjmë realitet zotimet e Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe e shohim me neveri gjellën që klubi i shqupatarëve u servir përditë shqiptarëve.




Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)


                                           

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Indeksimi i pensioneve, të moshuarit për Report TV: Nuk është mjaftueshëm, s’na lehtëson! Ekspertja: Të ishte bërë që në pranverë

Indeksimi i pensioneve, të moshuarit për Report TV: Nuk është mjaftueshëm, s’na lehtëson! Ekspertja: Të ishte bërë që në pranverë