Kryetari i PS dhe njëherësh kryeministri Edi Rama, ka nisur të mbajë fjalën në Asamblenë e PS.
“Sot nisim organizimin e ri të PS për Tiranën. Ky organizim duhet të jetë gjithëpërfshirës, partiak, në kuptimin e angahzimit të posaçëm të çdo anëtari, qytetar, në kuptimin e aktivizimit të çdo shtrese, komunitar. Ky organizim do ta marrë forcën e vet të arritjeve të mëdha të PS për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasqyra e plotë e të cilave është buxheti 2027.
Njëkohësisht në forcë bindëse, do të duhet të kthejmë edhe deficitet që ka krijuar për Tiranën humbja e drejtpeshimit të drejtësisë së re. Nga njëra anë me paraburgimin e kryetarit të zgjedhur të bashkisë së qytetit dhe vendimin absurd të Kushtetueses për ta lënë në detyrë, edhe pse në mungesë. Ky absurditet është i pashoq në historinë e Europës demokratike”, tha Rama.
Lajm në përditësim…
Kryeministri Edi Rama njoftoi në Asamblenë e PS-së nisjen e riorganizimit të partisë në Tiranë.
“Sot nisim organizimin e ri të PS-së për Tiranën. Ky organizim duhet të jetë gjithëpërfshirës, partiak në kuptimin e angazhimit të posaçëm të çdo anëtari, qytetar në kuptimin e aktivizimit të çdo shtrese, komunitar. Ky organizim do ta marrë forcën e vet nga arritjet e mëdha të PS-së për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasqyra e plotë e të cilave është buxheti i vitit 2027.
Njëkohësisht, në forcë bindëse do të duhet të kthejmë edhe deficitet që ka krijuar për Tiranën humbja e drejtpeshimit të drejtësisë së re, nga njëra anë me paraburgimin e kryetarit të zgjedhur të bashkisë së qytetit dhe, nga ana tjetër, me vendimin absurd të Kushtetueses për ta lënë në detyrë, edhe pse në mungesë. Ky absurditet është i pashoq në historinë e Europës demokratike.
Por as nuk ishte në dorën tonë ta ndalnim, as nuk është në dorën tonë ta zhbëjmë, pavarësisht se haraçin e kripur dhe krejt të pamerituar të këtij absurditeti e paguajnë çdo ditë qytetarët e Tiranës. Në dorën tonë është t’u tregojmë atyre jashtë këtyre mureve, qytetarëve, se si do ta rifitojmë kohën që humbi Tirana në këto dy vite, si do ta mbyllim plagën ende të hapur të rindërtimit”, tha Rama.

Pensionet do të vijojnë me rritje të dyfishuar vit pas viti, tha Rama nga Asambleja e PS në Tiranë.
“Nga 1 janari, e thotë tanimë buxheti, bonusi i tyre do të rritet dhe rritja do të jetë dyfishi i vitit të shkuar, ndërsa indeksimi i pensioneve do të afrohet në muajin prill. Askush të mos mendojë nga pensionistët se unë mendoj që këto mjaftojnë. Por mendoj se ka një ndryshim mes një pensioni që nuk rritet dhe një pensioni që rritet çdo vit. Vitin e ardhshëm, pas këtij, do të dyfishohet sërish rritja dhe vitin e fundit të këtij mandati do të dyfishohet rritja e një viti më parë”, tha kryeministri.

Partia Socialiste do ta fitojë sërish Tiranën dhe Shqipërinë, tha kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar këtë forcë si të vetmen nga kalon rruga e bashkimit me BE.
“Partia Socialiste nuk mbetet thjesht alternativa më e mirë relative në një hapësirë politike ku aleternativat e tjera janë jo vetëm shumë më të dobëta, por seriozisht të rrezikshme për të nesërmen e vendit. Pas çdonjërës prej tyre vjen kaosi, konfuzioni, paqëndrueshmëria që kërcënon Shqipërinë që është e dukshme për këdo që ka sy të shikojë. PS është partia që do ta fitojë Tiranën dhe Shqipërinë sepse është rruga nga kalon bashkimi me Europën për këtë kohë kaq të ndërlikuar, Shqipëria jonë e vogël pikërisht se është bërë e madhe është bërë dhe arenë e luftës hibride kundër BE, kundër përparimit, kundër reputacionit tonë të rritur ndërkombëtar. Pse kalon nga kjo parti rruga e fuqizimit ekonomik të Shqipërisë? Këtë e tregon më së miri pasqyra e buxhetit 2027. Ai buxhet nuk ra nga qielli, nuk e prodhuan as dëshirat tona që i kemi pasur të mëdha që në krye të herës, por s’kemi pasur mundësinë t’i kthejmë në buxhete sepse nuk na e ka lejuar ekonomia e tkurrur, por e ka bërë pikërisht ekonomia shqiptare që është më e fortë”, tha Rama.
Nga Asambleja e PS, Edi Rama foli edhe për akuzat e Veliajt, duke i thënë se e ka gabim në raport me të dhe PS.
"S’e gjykoj dot Erjonin për çfarë thotë e çfarë ai bën, uroj me gjithë zemër të kuptojë se është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe në raport me PS. Por ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në Bashkinë e Tiranës që do zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë , qofshin qytetarë, apo si Erjona Lalaj ( Kreu i policisë bashkiake ), apo demokratë që punojnë në radhët e mijëra njerëzve në bashkinë e Tiranës
Mungesën e kryebashkiakut, ne do ta zgjidhim më 9 maj, me fitoren e Tiranës në ditën e madhe të Evropës dhe ne do ta fitojmë përsëri Tiranën sepse pavarësisht dhe përtej të metave, dobësive, gabimeve, apo edhe fajeve tona, në gjatësinë e një të përpjete të vështirë, sa 13 vjet përpjekje të mundimshme, PS nuk mbetet thjesht alternativa më e mirë relative, ku alternativat e tjera janë shumë më të dobëta, të rrezikshme për të nesërmen e vendit, pas çdo njërës prej tyre, vjen kaosi konfuzioni paqëndrueshmëria që e kërcënon sot Shqipërinë si një hije e dukshme për këdo ka sy të shikojë", tha Rama.
Rama: Si mund të largohet nga puna kryepolicja e Tiranës pse nuk u bën ‘like’ e ‘share’ dorëshkrimeve të Lalit nga burgu imagjinar politik?
“Prej vitesh s’u kërkon askush llogari për kë votojnë, jo më t’i largojnë nga puna pse nuk paraqiten me uniformën e partisë. Si mund të largohet një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si të tjerë drejtues dhe punonjës, pse nuk u bëjnë ‘like’ e ‘share’ dorëshkrimeve të Lali-t nga burgu imagjinar politik, apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij?
Ky i fundit i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku s’do të tolerohet më askush që sillet me popullin si e ëma e Zeqos në majë të thanës.
Asnjë tolerim për këdo socialist që flet si “e ëma e Zeqos në majë të thanës” nuk do të ketë vend në PS, tha kreu i familjes socialiste, Edi Rama.
“Partneritet i ri strategjik me operatorë të mëdhenj europianë pa harruar taksat dhe tarifat vendore për të cilat PS duhet të ketë një kontratë unike, të qartë dhe detyruese për të gjithë kandidatët e saj në rang kombëtar. Nuk bën më sens që qeveria ta ketë 0 taksën për biznesin e vogël, kurse bashkitë ta ngarkojnë me soj-soj tarifash. Për soj-soj arsyesh, Tirana është një sintezë e Shqipërisë, ku kërkesa dhe oferta duhet të jenë të një niveli tjetër.
Mbajeni mirë parasysh faktin që në Tiranën që e kemi fituar 6 herë në 7 në 26 vitet e fundit, kemi qenë një ofertë gjithnjë e një niveli tjetër. Mbajeni edhe më mirë parasysh këtë herë se atë herë që nuk e mbajtëm dot fitoren, na mundi vjedhja me vulë gjykate e zgjedhjeve, por na la në baltë edhe organizimi i bërë me mendjelehtësinë e skuadrës që hyn në fushë e bindur se e ka fitoren në xhep. Nuk besoj se ne rrezikohemi sot nga ajo lloj mendjelehtësie. Dua ta bëj shumë të qartë për të gjithë se kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës me detyrat e familjes sonë politike, nuk do të ketë më vend në këtë shtëpi të madhe politike, ku të gjithë janë të nevojshëm, por askush nu është i domosdoshëm”, tha Rama.










Komente
Komento