Gruaja e Rexhep Selimit, Shqipe Selimi ka thënë se pret ai dhe shokët e tij së shpejti të kthehen të pafajshëm në Kosovë.

Në vizitat në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës, ajo tha "Rexha po mbahet i fortë dhe nuk dorëzohet".

Në një intervistë në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës (një ditë para fjalimeve që ish-krerët do të mbajnë sot para Gjykatës Speciale), ajo tha se Prokuroria e Specializuar po paragjykon luftën e drejtë për liri dhe çlirim.

"Nesër pres që katër liderët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre ta marrin fjalën. Nuk jam e sigurt qe a do të flasin apo jo, por besoj që do ta shfrytëzojnë të drejtën që u takon që secili ta ketë nga një fjalë përfundimtare rreth këtij procesi. Megjithatë, unë besoj që nuk mund ta thonë gjithë atë nëse flasin, nuk mund ta thonë atë që mendojnë vërtet rreth kësaj gjykate për arsye të penalizimit të tyre sepse kjo prokurori nuk ka treguar shembuj konkretë që është në anën tonë, përkundrazi ata po paragjykojnë, kanë paragjykuar edhe vazhdojnë të paragjykojnë të drejtën tonë për çlirim, liri dhe për pavarësi", tha ajo.

Më pas shtoi:

"Prej kësaj prokurorie nuk presim asgjë më të mirë përveçse sikur tashmë që e keni parë në publik. Ajo fytyrë ka qenë prej fillimit prej që kur e kanë ngritur këtë aktakuzë ata kanë pretenduar. Nuk presim diçka më të mirë prej tyre, por presim drejtësi prej gjyqtarëve kompetentë. Pres ata që të mos ndikohen prej fjalëve të prokurorëve, sepse ata kanë shpifur, kanë dezinformuar edhe janë bazuar në dosjet që i kanë marrë nga Serbia. Deri tani nuk kanë arritur që të shpërfaqin ose ta dëshmojnë ato pretendimet e veta që i kanë pasur prej vitesh”, tha Selimi.

Ajo foli edhe për vizitën e fundit në qendrën e paraburgimit dhe për fjalët e Rexhep Selimit.

"Vizitat i kemi të përmuajshme, periodike për çdo muaj nga tri ditë, nga tri orë, janë të shkurtra që nuk mjaftojnë normalisht që të çmallemi, por normalisht mjafton që e kemi atë të drejtë të paktën t'i vizitojmë...Rexha mbahet i fortë, nuk dorëzohet, nuk ankohet edhe unë besoj shumë në pafajësinë e tij dhe të shokëve të tij dhe presim që shumë shpejt të kthehen të lirë në Kosovën tonë", përfundoi Selimi./KosovaPress