ROSKOVEC – “Festa e Ullirit”, një nga traditat më të dashura të Roskovecit u zhvillua të premten në fshatin Luar, duke shënuar edicionin e saj të 10-të. Pas shumë vitesh që mbahej në Kurjan, festa u zhvendos këtë vit në një zonë tjetër të pasur me ullinj, për të promovuar prodhimin vendas dhe trashëgiminë lokale.
Ky aktivitet, që organizohet prej nje dekade nga Bashkia Roskovec, synon të nxisë kulturën e kultivimit të ullirit dhe prodhimin e vajit cilësor, që përbën një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së zonës. Rreth 30% e territorit kodrinor të bashkisë është i mbjellë me pemën shekullore të ullirit, ndërsa aktualisht numërohen mbi 500 mijë rrënjë në prodhim.
Festa nisi me një maratonë vrapimi me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave 9-vjeçare, ndërsa në fushën e sportit të fshatit u hap një panair me produkte tradicionale dhe gatime vendase.
Nxënës, fermerë dhe gra të zonës ekspozuan punimet dhe gatimet e tyre, duke sjellë aromat dhe shijet karakteristike të Roskovecit.
Festën e hapi nënkryetari i bashkisë, Maksim Goga, i cili vlerësoi rëndësinë e këtij aktiviteti për komunitetin lokal.
“Sot jemi në fshatin Luar për të vazhduar traditën e festës së ullirit, që është jeta e gjithë njerëzimit. Këtë vit e kemi shoqëruar me maratonën e nxënësve dhe me panairin e produkteve të zonës,” – u shpreh Goga.
Edhe pse atmosfera ishte festive, fermerët pranuan se prodhimi i këtij viti ka qenë më i ulët, për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe dëmtimeve që solli breshëri gjatë pranverës.
Komente








Po shoqja Zegjine kishte ardhur?
Përgjigju