Kanë mbërritur përmes kamionëve nga Sllovenia, fletët e votimit që do të dërgohen tek 245 953 votues në diasporë. Ato janë vendosur në Parkun Olimpik, aty ku nga e mërkura KQZ do të nisë paketimin e tyre.

KQZ do të punojë me 3 turne, ku në 20 tavolina të ndryshme, do të paketohen zarfe të personalizuara për çdo votues, të cilat do të grupohen sipas shteteve. Secilit votues do t’i shkojë fleta e votimit për qarkun të cilit ai i përket në Shqipëri.

Komisioni mendon që puna për zarfet të zgjasë 5 ditë, duke parashikuar që çdo 24 orë të mund t’ia dalë të krijojë 54 mijë pako zgjedhore.

Kur të hapë zarfin zgjedhor, votuesi do të gjejë brenda: një zarf tjetër plastik kthimin e votës, një numërator me kontaktet e postës së shpejtë, sipas shteteve, të cilin duhet ta telefonojë në fund për t’i dorëzuar zarfin, një udhëzues i detajuar se si duhet të plotësohet fleta e votimit, zarfin e jashtëm B, që ka një kod të personalizuar të zgjedhësit, shtetin ku jeton dhe qarkun të  cilit i takon në Shqipëri.

Brenda zarfit B, është Zarfi A, i cili është një lloj për të gjithë e nuk ka asnjë shenjë dalluese e mbi të cilin nuk duhet bërë asnjë shënim.  Brenda në zarfin A, është fleta e votimit.

Votuesi duhet të lexojë udhëzuesin, të plotësojë fletën, ta fusë brenda në zarfin A, ta mbyllë mirë zarfin A, pastaj ta fusë në zarfin B, e në fund në zarfin e plastik të postës që ju ka ardhur gati nga KQZ. Adresa nuk ka nevojë të shkruhet, sepse është e shkruar paraprakisht në zarf.

Në fund duhet të telefonojë korrierin e postës sipas numrit të telefonit që gjen në numëratorin, brenda në zarfin e mbërritur nga KQZ.

Postjeri dhe votuesi dakordësojnë një orar dhe korrieri vjen dhe e merr vetë votën në shtëpinë e zgjedhësit.

Procesi duhet bërë i gjithi individualisht nga secili zgjedhës.

Dërgimi i zarfeve me fletën e votimit në 85 shtete të botës parashikohet të përfundojë më 17 Prill dhe iu mbërrin emigrantëve për 1 deri në 3 ditë. Sipas KQZ, fletët e votimit pritet të mbërrijnë në vendet evropiane deri më 22 prill, ndërsa në Amerikë dhe vende të tjera ku jetojnë shqiptarë, pritet që të mbërrijnë deri më 25 prill.

Diasporës i sugjerohet që të votojë brenda 3 ditësh nga marrja e zarfit dhe ta postojë për në KQZ, pasi çdo zarf që vjen pas orës 19:00 të datës 11 maj, nuk do të numërohet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:05
FOTO+VIDEO/ Fletët e votimit për Diasporën dhe ambienti i numërimit të tyre në Parkun Olimpik 'Feti Borova'

 

Report Tv ka siguruar disa pamje nga brenda Parkut Olimpik të Tiranës "Feti Borova" ku ndodhen fletët e votimit për zgjedhësit në diasporë. Po ashtu, në të njëjtin ambient do të ndodhë dhe numërimi i votave të diasporës.

Xh.D/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 13 Prill, 10:15

    A do e ndihmojë PD-në në fushatë strategu i Trump, LaCivita?