DURRËS- Jahti i njeriut më të pasur në Indi u ankorua mëngjesin e kësaj të enjteje në Portin e Durrësit. Jahti “Alaiya” me pronar Laksmhi Mittal erdhi në Durrës pas lundrimit disa orësh nga Porti i Triestes në Itali dhe lundron nën flamurin e ishujve Kajman.

“Alaiya” është një nga jahtet më të veçanta të prestigjiozit gjerman “Lurssen“, me një strukturë alumini prej rreth 5 mijë tonë dhe gjatësi 111.5 metra dhe mund të akomodojë deri në 18 persona. Jahti është ndërtuar në vitin 1965, ka 5 suita dhe hapësira të bollshme e moderne për të bërë pushime komode.

Laksmhi Mittal është drejtor ekzekutiv i “ArcelorMittal”, kompania më e madhe në botë e prodhimit të çelikut. Në vitin 2005, “Forbes” e renditi si personin e tretë më të pasur në botë.