Kai Trump, mbesa 18 vjeçare e Donald Trumpit, ka tërhequr vëmendje të madhe pas paraqitjes në podcastin “Impaulsive” të Logan Paul. Ajo theksoi qartë se nuk dëshiron të ketë asnjë lidhje me politikën, duke e cilësuar atë si “një gjë të rrezikshme”, pavarësisht se vjen nga një familje shumë e njohur politike.

Kai, e cila është golfiste e suksesshme dhe këtë vit fillon studimet në Universitetin e Miamit, tha se mundohet të qëndrojë larg politikës dhe nuk e sheh veten si politikane në të ardhmen. Sipas saj shoqëria është bërë tepër e polarizuar dhe se zgjidhja qëndron te kompromisi dhe gjetja e mesatares mes palëve. Më tej ajo shtoi se rrjetet sociale kontribuojnë ndjeshëm në thellimin e ndarjeve ekstreme.

Deklaratat e saj u pritën shumë pozitivisht në internet, ku shumë e vlerësuan për pjekurinë dhe mënyrën e balancuar të të menduarit. Gjatë bisedës, ajo foli edhe për vështirësitë e jetës nën mbrojtjen e vazhdueshme të Shërbimit Sekret, veçanërisht në jetën private, duke përmendur situata të sikletshme gjatë takimeve romantike. Megjithatë, tha se po përpiqet të mësohet me këtë realitet, sidomos pasi gjyshi i saj u rikthye si president.