Të mërkurën, kancelarja Angela Merkel dhe udhëheqësit e 16 landeve të Gjermanisë vendosën të zgjasin kufizimet për të mbajtur nën kontroll valën e re të infeksioneve por kjo duket se nuk ka dhënë rezultatet e pritura pasi në vend numri i të infektuarve ka kaluar mbi një milion.
Instituti Robert Koch regjistroi më shumë se 22,000 raste të reja ditore. Gjermania në fazën e parë ka qënë njëra ndër vendet e cila ka pasur shkallën më të lartë të përgjigjes ndaj virusit në pranverë, megjithatë në valën e dytë nuk e ka pasur atë sukses.
Shteti më i populluar i Rhine-Uestfalia Veriore ka regjistruar më shumë se një të katërtën e të gjitha rasteve me koronavirus dhe Berlini 62.000 raste që nga fillimi i pandemisë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, njoftoi këtë javë se Gjermania do të zgjasë afatin e kufizimeve deri në fillim të janarit dhe tregoi se masat do të lehtësohen gjatë periudhës festive të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, duke lejuar takime deri në 10 persona nga 23 dhjetori deri në Ditën e Vitit të Ri. Megjithatë Berlini ka vendosur të mos ndjekë shembullin e pjesës tjetër të Gjermanisë për të lehtësuar kufizimet antiCOVID-19 gjatë festave të fundvitit, për shkak të numrit të lartë të infeksioneve. Kjo do të thotë se maksimumi pesë persona do të kenë mundësi të takohen gjatë pushimeve, duke përjashtuar fëmijët.