Muzeu Historik i Shkodrës i ngjau një dasme të vjetër shkodrane, ku përmes këngës i këndohet dashurisë, historive të jetuara dhe zakoneve të një qyteti që ‘Ahengun’ e ka ruajtur brez pas brezi.

“Sinqerisht na ngroh zemrën, është vazhdimësia te brezi i ri, te këngëtarët e rinj. Këtë vit kemi pasur një surprizë, një vajzë në klasë të dytë fillore që vërtet këndoi shumë bukur, pra kjo është vazhdimësi dhe ogur shumë i mirë për artin në Shkodër”, tha drejtuesi artistik Ilir Zoga.

Në ‘Aheng’, shumë prej këngëve mbajnë brenda histori të vërteta. Për Drita Tahjen, mbrëmja e se premtes kishte një emocion krejt personal. Ajo u ngjit për të kënduar këngën që dikur i ati ia kishte kushtuar nënës së saj, duke sjellë përpara publikut një histori dashurie të familjes së vet.

“Ia ka dedikuar nënës sime se nëna ime ka qenë shumë e bukur. Unë kam kënduar që fëmijë, por më ka mbetur peng mos të këndoja këngët që kishte bërë babai”, tha Tahja.

Por ‘Ahengu’ nuk mbeti vetëm te kujtesa. E veçanta e kësaj mbrëmjeje ishte edhe brezi i ri, që po e merr këtë trashëgimi dhe po e përjeton me emocionin e vet.

“Sot ka qenë hera ime e parë që interpretoj një jare dhe ka qenë një eksperiencë shumë e bukur për mua, një emocion që s’mund ta përshkruaj me fjalë”, shprehet Ivan Tanushi.

“Unë quhem Mei, jam 7 vjeçe dhe kalova shumë mirë. Këndova “Ky marak”, thotë Mei Hoxha.

Nga historitë e dashurisë të kthyera në këngë, të të rinjtë që sot i këndojnë ato, ‘Ahengu Shkodran vazhdon të jetojë’. Mbi 150 vite histori që kalojnë nga një brez te tjetri, duke ruajtur të gjallë një nga traditat më të bukura të Shkodrës.