/ATSH-AFP/ - Më shumë se 230 000 refugjatë dhe imigrantë kanë mbërritur në Greqi nga deti që prej fillimit të vitit, kundrejt rreth 17 500 për të njëjtën periudhë të vitit 2014, theksoi sot zëvendësministri grek i Marinës Tregtare, Nikos Zois.
"Më shumë se 80 për qind e të mbërriturve, të regjistruar nga rojat bregdetare të vendit, janë refugjatë, të zgjedhur për të marrë azil politik", theksoi ai në një konferencë shtypi të dhënë në praninë e disa ministrave për masat e përgatitura nga vendi për të menaxhuar më mirë këtë fluks.
Kjo rritje konfirmon faktin se shumë imigrantë tentojnë të hyjnë në Evropë nga Greqia, si reagim për mbikëqyrjen e riforcuar të kufirit detar mes Libisë dhe Italisë vendosur nga BE pas një sërë anijesh të mbytura në brigjet e ishullit të Lampedusas në muajin prill.
"Duke pasur parasysh statusin e këtyre të mbërriturve, thirrjet për t'i kthyer nuk mund të jenë bazë as e një strategjie dhe as e një taktike për t'i bërë ballë fluksit", nënvizoi Zoïs.
Ministri, Nikos Christodoulakis u bëri thirrje grekëve të bëjnë të pamundurën për të ndihmuar këta imigrantë, pjesa më e madhe sirianë.