Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të zvogëlojë intensitetin e sulmeve izraelite në Liban, për të ndihmuar në sigurimin e armëpushimit dyjavor SHBA-Iran, raporton NBC.

Fill pas kërkesës së Trump, erdhi reagimi i Netanyahut, i cili deklaroi se Izraeli do të hyjë në bisedime të drejtpërdrejta me Libanin, me qëllim ç'armatosjen e Hezbollahut (grupit të mbështetur nga Irani që strehohet kryesisht në Liban). Kjo deklaratë e Netanyahut vjen pas bombardimeve masive të ditës së djeshme të Izraelit në Liban, ku mbetën të vdekur të paktën 203 persona dhe u plagosën më shumë se 1165 të tjerë, ç'ka solli edhe një reagim të ashpër ndërkombëtar. Në një nga këto sulme ajrore, Izraeli tha sot se kishte vrarë Ali Yusuf Harshi-n, sekretarin personal dhe nipin e zëvendësshefit të Hezbollahut, Naim Qassem.

Për shkak të këtyre sulmeve, Irani bllokoi dje kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit. Mediat raportojnë sot se Irani nuk do të lejojë më shumë se 15 anije të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit në ditë. 

Ndërkohë në Iran turma të mëdha njerëzish u mblodhën sot në rrugët e Teheranit për të përkujtuar Udhëheqësin Suprem Ajatollah Ali Khamenei, i cili mbush 40 ditë që ka vdekur.

Trump në një deklaratë në Truth tha se ushtarët, anijet dhe avionët luftarakë do të qëndrojnë në Lindjen e Mesme derisa marrëveshja të respektohet.

“Të gjitha anijet, avionët, armët dhe personeli ushtarak amerikan do të qëndrojnë “në vend” derisa të arrihet një marrëveshje e plotë me Iranin, tha Trump në një postim në rrjetet sociale . Nëse nuk arrihet një marrëveshje, “atëherë fillojnë sulmet, më të mëdha dhe më të forta që mund të keni parë ndonjëherë më parë”, shkroi ai.

Trump po ashtu ka sulmuar sërish sot NATO-n për mungesën e mbështetjes ndaj SHBA-ve në luftën me Iranin.

“Këta njerëz nuk kanë kuptuar asgjë, përfshirë NATO-n tonë shumë zhgënjyese, përveç kur ne ushtrojmë presion mbi ta”, shkroi ai në Truth.

Pas këtyre sulmeve të vazhdueshme një burim i afërt me NATO-n tha për ANSA-n se Trump vetëm flet dhe nuk ka bërë asnjë përparim praktik.

"Deri më tani, nuk është vënë re asnjë ndryshim kursi nga Shtetet e Bashkuara; fjalët e Donald Trump janë vetëm fjalë", citohet të ketë thënë ai.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:29
Netanyahu: Izraeli do të fillojë bisedime të drejtpërdrejta me Libanin, të përqendruara në çarmatosjen e Hezbollahut

1775752374_BenjaminNetanyahu.jpg

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka udhëzuar kabinetin e tij që të fillojë “negociata të drejtpërdrejta” me Libanin “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Sipas mediave të huaja, Netanyahu ka thënë se bisedimet do të përqendrohen në çarmatosjen e Hezbollahut dhe vendosjen e marrëdhënieve paqësore midis dy vendeve.

“Në dritën e kërkesave të përsëritura të Libanit për të hapur negociata të drejtpërdrejta me Izraelin, dje i dhashë udhëzime kabinetit që të fillojë negociatat e drejtpërdrejta me Libanin sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Netanyahu në një deklaratë.

Netanyahu tha se negociatat do të përqendroheshin në “çarmatimin e Hezbollahut dhe vendosjen e marrëdhënieve paqësore midis Izraelit dhe Libanit”.

“Izraeli mirëpret thirrjen e sotme nga Kryeministri i Libanit për të demilitarizuar Bejrutin”, shtoi Netanyahu.

Zyra e Presidentit Libanez, Joseph Aoun, i tha CNN-së se nuk kishte “asnjë koment” kur u pyet për vërejtjet e Netanyahut.

Ora 17:41
Media: Trump i kërkoi Netanyahut të zvogëlojë sulmet në Liban

Foto: Benjamin Netanyahu dhe Donald Trump

Donald Trump i ka kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të zvogëlojë intensitetin e sulmeve izraelite në Liban për të ndihmuar në sigurimin e negociatave me Iranin.

Lajmin e bën të ditur NBC, duke cituar një zyrtar të administratës Trump.

 “Izraeli ka rënë dakord të jetë një partner bashkëpunues", theksoi ai.

Ora 16:56
Tensionet në Lindjen e Mesme, nafta i afrohet sërish çmimit të 100 dollarëve për fuçi

Çmimi i naftës amerikane arriti përsëri 100 dollarë për fuçi sot, pas paralizës së vazhdueshme të trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit.

Pasi shënoi një rënie të madhe, duke u mbyllur në 94.41 dollarë dje të mërkurën, nafta bruto amerikane (WTI) për dorëzimin në maj u rikuperua me 5.83% në 99.91 dollarë sot pasdite, pasi kishte tejkaluar për pak kohë kufirin e 100 dollarëve.

Nafta bruto ‘Brent’ nga Deti i Veriut, shënoi një rritje prej 3.67% duke arritur në 98.23 dollarë.

Ora 16:45
‘Pika më kritike e marrëveshjes SHBA-Iran’, Meloni paralajmëron: Kufizimi i lëvizjes në Ngushticën e Hormuzit do sjellë pasoja të paparashikueshme!

1773418805_giorgiameloni.jpg

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni vlerësoi se Ngushtica e Hormuzit është ‘pika më kritike’ brenda marrëveshjes midis SHBA-së dhe Iranit.

Sipas mediave të huaja, gjatë fjalës së saj në Parlament, Meloni paralajmëroi se çdo kufizim shtesë nga Irani në Ngushticën e Hormuzit do të kishte “pasoja të paparashikueshme ekonomike”.

Po ashtu Meloni theksoi nevojën për rivendosjen e plotë të lirisë së lëvizjes në zonë.

“Është e nevojshme të rivendoset plotësisht liria e lëvizjes në Ngushticën e Hormuzit dhe kjo nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë kufizimi, siç ka qenë në orët e fundit”, tha Meloni.

Shefja e Qeverisë italiane tha gjithashtu se në rast se kriza në Iran përkeqësohet, Bashkimi Evropian duhet të shqyrtojë mundësinë e pezullimit të përkohshëm të Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes, një sërë rregullash që rregullojnë financat publike në BE.

Ora 16:27
Kancelari Merz zbulon bisedën me Trump: I thashë se Gjermania do të ndihmojmë në Kanalin e Hormuzit pas paqes

1773918192_friedrichmerz.jpg

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se Gjermania do të ndihmojë në sigurimin e stabilitetit në Ngushticën e Hormuzit, pas vendosjes së paqes në rajon.

Komentet Merz i bëri pas një bisede telefonike të zhvilluar me Presidentin amerikan Donald Trump.

"Duke folur me Trumpin, e sigurova se pas paqes, Gjermania do të ndihmojë në sigurimin e stabilitetit në Ngushticën e Hormuzit", tha kancelari gjerman Friedrich Merz në një deklaratë në Berlin.

"Presidenti amerikan e di se duhet të përmbushen dy kushte për Gjermaninë: një mandat ndërkombëtar, mundësisht nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, dhe miratimi i Bundestagut", shtoi ai.

Ora 16:12
Ministri i Izraelit: Hezbollahu dëshiron një armëpushim, janë të tronditur nga goditjet që kanë marrë

Foto: Israel Katz

Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz ka deklaruar se Hezbollahu dëshiron një armëpushim.

"Hezbollahu dëshiron një armëpushim. Më shumë se 200 terroristë janë eliminuar në Operacionin Errësira e Përjetshme", tha ai.

Katz shtoi se numri i të vdekurve të djeshëm "e çon numrin e të eliminuarve në këtë operacion në afërsisht 1,400.

“Hezbollahu është i tronditur nga shkalla e goditjes që ka pësuar”, shtoi Katz.

Lidhur me situatën iraniane, Ministri i Mbrojtjes deklaroi se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) janë të gatshme të përdorin forcën nëse Irani nis sulme kundër Izraelit.

Ora 15:44
Udhëheqësi i rebelëve Huthi të Jemenit: Përdorimi i Detit të Kuq për të sulmuar Iranin është parandaluar!

1775742397_txduyfo.jpg

Udhëheqësi i Lëvizjes së Rezistencës Huthi të Jemenit, Abdul Malik Al-Houthi, siguroi se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli dështuan të përdorin Detin e Kuq për të sulmuar Iranin.

"Jemeni i pengoi Shtetet e Bashkuara dhe armikun e saj, Izraelin, të përdorin Detin e Kuq për të sulmuar Iranin", tha ai për Press TV.

"Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli dështuan pavarësisht se zhvilluan luftë me të gjithë fuqinë e tyre ushtarake, politike dhe financiare", theksoi Abdul Malik Al-Houthi.

Ora 15:31
Media: Teherani nuk do të lejojë më shumë se 15 anije të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit

1774184022_ngushticaehormuzit.jpg

Irani nuk do të lejojë më shumë se 15 anije të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit në ditë.

Lajmi u raportua nga Tass, duke cituar një burim të lartë iranian.

Ora 15:24
Media: Libani bën thirrje për bisedime të drejtpërdrejta me Izraelin

Foto:Ndërtesa të shkatërruara në Liban

Libani ka thirrje për bisedime të drejtpërdrejta me Izraelin.

"Korrespondentët tanë në terren në Liban raportojnë se qeveria libaneze po bën thirrje për bisedime të drejtpërdrejta me Izraelin", shkruan transmetuesi katarian Al Jazeera.

Si pasojë e sulmeve izraelite 203 persona kanë  vdekur dhe më shumë se 1,000 kanë mbetur të plagosur.

Ora 14:47
Media:Trump i dërgon ultimatum aleatëve europianë! Duam mbështetje në Ngushticën e Hormuzit

Foto: Donald Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dërguar Europës një ultimatum të ri për të siguruar mbështetje në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas revistës gjermane Spiegel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka komunikuar kryeqyteteve europiane se Trump pret angazhime konkrete brenda pak ditëve, duke përfshirë vendosjen e anijeve luftarake ose kapaciteteve të tjera ushtarake nga Europa.

Sipas raportimeve, premtimet politike të mëparshme nuk janë më të mjaftueshme.

Ora 14:15
40 ditë nga vrasja e Ali Khamenei-t, iranianët përkujtojnë sot Udhëheqësin Suprem

1775737083_iran.avif

Sot bëhen 40 ditë nga vrasja e Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Në shenjë respekti iranianët dolën në rrugët e Teheranit duke valëvitur flamuj iranianë dhe duke mbajtur fotografi të udhëheqësit suprem.

Khamenei, i cili sundoi vendin për gati katër dekada, u vra në sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt. Djali i tij, Mojtaba Khamenei, është emëruar si pasardhës i tij, por ende nuk është shfaqur në publik. 

Ora 12:28
Kërcënimet për një sulm izraelit, hapet pas pesë ditësh kalimi kufitar Siri-Liban

Kalimi kryesor kufitar midis Libanit dhe Sirisë u rihap sot, pesë ditë pasi ushtria izraelite kërcënoi të niste një sulm, duke pretenduar se Hezbollahu po e përdorte atë për të kontrabanduar pajisje ushtarake.

Autoritetet libaneze dhe siriane e mohuan akuzën. Kërcënimi për sulm nuk ndodhi kurrë. Zyrtarët libanezë thanë se Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti ndërhynë për ta ndaluar atë.

 Autoriteti Portual dhe Doganor Sirian njoftoi "rifillimin normal të trafikut" në kalimin e njohur si Masnaa në anën libaneze dhe Jdeidet Yabous në anën siriane, "pas eliminimit të rreziqeve që kishin bërë të nevojshme mbylljen e tyre të përkohshme".

Udhëtarët ishin devijuar në një kalim tjetër në veri, duke e zgjatur udhëtimin nga Bejruti në Damask me disa orë. Më shumë se 200,000 njerëz kanë kaluar kufirin nga Libani në Siri në pesë javët që nga shpërthimi i luftës së re midis Izraelit dhe Hezbollahut.

Ora 12:10
Kryeministri izraelit: Do të vazhdojmë të sulmojmë Hezbollahun derisa të rivendosim sigurinë e plotë

Foto: Benjamin Netanyahu

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të vazhdojë të sulmojë Hezbollahun "kudo që të jetë e nevojshme".

Izraeli ka deklaruar më parë se armëpushimi 2 javor SHBA-Iran nuk e përfshin Libanin, megjithatë Irani thotë se sulmet e vazhdueshme të Izraelit kundër Libanit barazohen me një "shkelje të rëndë" të marrëveshjes .

“Mesazhi ynë është i qartë: Kushdo që vepron kundër civilëve izraelitë do të jetë në shënjestër. Ne do të vazhdojmë të sulmojmë Hezbollahun kudo që të jetë e nevojshme, derisa të rivendosim sigurinë e plotë për banorët e veriut", tha Netanyahu.

Deklarata e tij erdhi pasi Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan vrasjen e Ali Yusuf Harshi , sekretarit dhe nipit të sekretarit të përgjithshëm të Hezbollahut, Naim Qassem.

Ora 09:34
Irani qëndrim të prerë për Hormuzin: Do të rihapet kur SHBA-të të ndalin agresionin

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Saeed Khatibzadeh, tha se rihapja e Hormuzit do të ndodhë vetëm “pasi Shtetet e Bashkuara të tërhiqen realisht nga agresioni”, duke iu referuar dukshëm sulmeve të Izraelit ndaj Libanit.

Khatibzadeh tha se Irani do t’u përmbahet “normave ndërkombëtare dhe ligjit ndërkombëtar”, megjithatë, ai shtoi se ngushtica nuk ndodhet në ujëra ndërkombëtare dhe se kalimi i sigurt varet nga “vullneti i mirë i Iranit dhe Omanit”.

Ai u pyet nëse kalimi i sigurt do të thotë që Irani nuk do të “vendosë tarifa për çdo anije që kalon, apo të kërcënojë ta shpërthejë atë”.

Ministri tha se Irani dëshiron që ngushtica të jetë “paqësore”, por theksoi se kalimi i sigurt është i dyanshëm dhe se nuk do të pranojë që Gjiri të “keqpërdoret nga anijet luftarake”.

Ora 08:57
Rutte përpiqet të ruajë balancat me Trump: Takim i sinqertë! Kritikon presidenti: NATO s’ishte aty kur na duhej

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka përshkruar takimin e tij me Donald Trump si “të sinqertë” dhe të hapur, pavarësisht mospajtimeve. Rutte qëndroi në Shtëpinë e Bardhë për më shumë se dy orë.

Trump ende ka dyshime të thella për aleancën dhe vendet anëtare, të cilat ai beson se nuk e ndihmuan mjaftueshëm SHBA-të para dhe gjatë operacionit “Tërbimi i madh.”

Pjesa më e madhe e mesazhit të Rutte për Trump duket të ketë qenë se shumë vende evropiane nuk penguan veprimet amerikane. Ai theksoi që “shumica dërrmuese e vendeve evropiane kanë qenë ndihmuese me bazat, me logjistikën dhe me fluturimet mbi territor”. “Prandaj është një tablo më e nuancuar,” tha Rutte për CNN.

Presidenti amerikan Donald Trump postoi në Truth Social për takimin e tij me Rutte, ku shkroi:

“NATO nuk ishte aty kur na duhej, dhe nuk do të jetë aty nëse do të na duhet përsëri. Kujtoni Groenlandën, atë copë të madhe akulli, të keqmenaxhuar!!!”

Trump duket se i referohet qëllimit të tij të mëparshëm për të aneksuar territorin danez, një lëvizje që u kundërshtua nga shumë aleatë të SHBA-ve.

Ora 08:34
Besimtarët gati për t’u rikthyer, Izraeli rihap sot vendet e shenjta

Policia izraelite thotë se vendet e shenjta në Jerusalem do të rihapen për vizitorët dhe besimtarët pas marrëveshjes së përkohshme të armëpushimit të arritur në konfliktin në Lindjen e Mesme.

Këto vende, përfshirë kompleksin e xhamisë Al-Aksa, Murin Perëndimor dhe Kishën e Varrit të Shenjtë, të gjitha brenda Qytetit të Vjetër, janë ndër më të shenjtat në botë për islamin, judaizmin dhe krishterimin.

Për shkak të luftës kundër Iranit të nisur nga SHBA-të dhe Izraeli gjashtë javë më parë, këto vende kanë qenë të mbyllura gjatë festave të rëndësishme fetare, përfshirë Pashkët dhe pjesë të Pashkës hebraike, duke lejuar hyrjen vetëm për një numër shumë të kufizuar klerikësh.

Qyteti i Vjetër, ku rrugicat zakonisht janë plot gjallëri nga banorët, tregtarët, turistët dhe besimtarët, ka qenë jashtëzakonisht i qetë, me shumë pronarë dyqanesh dhe tezgjahesh që nuk i kanë hapur fare bizneset e tyre.

Policia tha se vendet e shenjta do të rihapen duke filluar nga mëngjesi i së enjtes, me qindra oficerë shtesë të dislokuar për të garantuar sigurinë, dhe publiku inkurajohet të tregojë durim në rast të mbingarkesës.

Ora 08:28
Trump: Ushtria amerikane do të qëndrojë në Iran derisa të arrihet një marrëveshje e vërtetë

1775564169_donaldtrump.jpeg

Ushtria amerikane do të mbetet e vendosur pranë Iranit derisa të zbatohet plotësisht një "marrëveshje e vërtetë". Presidenti i SHBA-së Donald Trump e deklaroi këtë të mërkurën në mbrëmje, një ditë pasi njoftoi një armëpushim dyjavor midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

"Të gjitha anijet, avionët dhe personeli ushtarak, së bashku me municionet dhe armët shtesë, do të qëndrojnë në dhe përreth Iranit derisa të zbatohet plotësisht MARRËVESHJA E VËRTETË e arritur", shkroi ai në Truth Social, duke paralajmëruar se përndryshe "do të qëllojë më fort se kurrë më parë".

Trump beson se është "shumë e pamundur" që të mos arrihet dhe të mos zbatohet një marrëveshje.

"Ndërkohë, ushtria jonë e madhe po furnizohet me karburant dhe po pushon, në realitet" duke pritur me padurim pushtimin e saj të radhës. AMERIKA ËSHTË KTHYER!" këmbënguli Donald Trump, duke shkruar me shkronja kapitale, pak para mesnatës sipas kohës së Uashingtonit. "U ra dakord, shumë kohë më parë...: asnjë armë bërthamore dhe Ngushtica e Hormuzit DO TË JETË E HAPUR DHE E SIGURT", shkroi ai më tej.

Ora 08:28
Negociatat SHBA-Iran, delegacioni iranian niset drejt Pakistanit

Një delegacion iranian po niset sot drejt Pakistanit për të filluar negociatat me Shtetet e Bashkuara për përfundimin e luftës, ka konfirmuar ambasadori i Iranit në Pakistan.

Ata pritet të takohen me nënpresidentin amerikan JD Vance në Islamabad të shtunën.

Reza Amiri Moghadam, ambasadori i Iranit në Pakistan, ka shkruar në X se bisedimet do të bazohen në “10 pika të propozuara nga Irani”. Siç është raportuar, ka ende paqartësi rreth asaj se cilat janë saktësisht këto pika.

Moghadam thotë se bisedimet do të zhvillohen “pavarësisht skepticizmit të opinionit publik iranian për shkak të shkeljeve të përsëritura të armëpushimit nga regjimi izraelit, me qëllim sabotimin e nismës diplomatike”.