Mbi 300 familje të evakuuara
në jug, qindra të tjera nën ujë

Mbi 300 familje të evakuuara<br />në jug, qindra të tjera nën ujë
VLORE - Jugu i Shqipërisë, veçanërisht Vlora e Fieri, vijojnë të jenë në alarm si pasojë e përmbytjeve masive që shkaktuan reshjet e shiut në vend. Prej dy ditësh tashmë operacioni i ekipeve të shpëtimit për evakuimin e banorëve të përmbytur vijon. Deri më tani janë evakuuar nga shtëpinë e zaptuara nga uji mbi 300 familje, ndërsa qindra të tjera janë ende të rrethuara nga uji. Pavarësisht se niveli i ujërave të Semanit dhe Vjosës është ulur, rreziku është ende i hapur dhe një prurje e dytë e fortë pritet në ditët në vijim, ku sipas parashikimve reshjet intensive të shiut do të vijojnë deri më 4 shkurt.

Dëmet në toka bujqësore e blegtori janë të konsiderueshme, por deri më tani vëmendja e Shtabit të Emergjencave, forcave të policisë dhe të armatosura është e përqendruar në shmangien e pasojave në jetë njerësh. Për të parë nga afër situatën e përmbytjeve, në jug udhëtoi edhe kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri Tahiri. Sipas tij, pas evakuimit, do të kryhet një raport i detajuar për dëmet, ndërsa theksoi se do të kërkohet ndihma ndërkombëtare. Cdo i dëmtuar nga kjo fatkeqësi natyrore tha Rama, do të dëmshpërblehet. Ndërsa ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, i cili nga nisja e reshjeve intensive është gjendur në terren në zonat e përmbytura, tha për A1 Report se në përkeqësimin e situatës kanë ndikuar ndërtimet pa leje, por edhe ato me leje që janë dhënë jashtë çdo kriteri e pa plan, të cilat kanë bllokuar kanalet e kullimit. Ministri tha se do të kërkohet fond nga BE për dëmshpërblimin e të prekurve.

Televizioni A1 Report i ka dhënë zë apelit të të përmbyturve drejt autoriteteve për t’i evakuuar në zonat nga ku ata ndodhen të rrezikuar. 


Video/ Novosela nen pushtetin total te ujit

Ora 18:55 OSHE: Përmbytjet, ja zonat pa energji elektrike në Vlorë e Fier
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bën me dije se si pasojë e motit të keq dhe përmbytjeve në zonën e Fierit dhe Vlorës kanë mbetur pa energji elektrike disa komuna dhe fshatra.

Kështu, në rrethin e Vlorës kanë dalë jashtë pune 3 fidra, në n/stacionin Kafaraj, duke lënë pa energji fshatrat Fitore, Dëllenje, Delisufe, Poro. Në komunën Levan, është stakuar fidri nr.20 për efekt sigurie, pasi 6 kabina janë nën ujë, duke lënë pa furnizim fshatrat Levan (një pjesë), Bishan, Cerven, Bocovë, Qarr, Ferras, Bashkim dhe Pishë Poro. Po për efekt sigurie, për të mos rrezikuar jetën e banorëve, është stakuar fidri nr.25, duke lënë pa energji fshatrat Novoselë dhe Akerni.
 
Në Qarkun e Fierit, ka dalë jashtë pune një fidër në n/stacionin Jagodinë, i cili është stakuar pasi përcjellësi i rrymës elektrike ka rënë në lumin Seman. Për pasojë, ka mbetur pa energji komuna ‘’Mbrostar Ura’’. Në rrethin Ballsh, ka dalë jashtë pune n/Stacioni Poçem (aset i ARMO-s), i cili është përmbytur i gjithi, prej të cilit furnizoheshin 4 fidrat e OSHEE, duke sjellë mungesën e energjisë elektrike për fshatrat:Kut, Çarrush, Kremenar, Ninesh, Bejar, Gadurove, Poçem, Drizar, si dhe ujësjellësin Mallakastër – Ballsh. Grupet e punës së OSHEE janë në terren për verifikimin e avarive dhe normalizimin e situatës.

permbytje vlore

Ora 17:45 Tiranë, hapen portat e digës së Bovillës, uji arrin pikën maksimale
Ndërmarrja  e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë ka hapur portën e shkarkimit në Ujëmbledhësin e Bovillës, nga i cili furnizohet me ujë ët pijshëm një pjesë e mirë e Kryeqytetit.
UKT shprehet se hapja e portave të shkarkimit ka qenë e nevojshme pas niveli i ujit ka arritur në pikën maksimale të 318. 5 metra. UKT thekson se hapja e portave të shkarkimit u bë në mënyrë të kontrolluar dhe do të qëndrojnë të hapura deri në rikthimin e ujit në parametrat normal.
 
Gjithashtu UKT bën me dije se ka njoftuar paraprakisht edhe banorët e zonës për fillimin e shkarkimit të ujit duke theksuar se nuk ka vend për shqetësim, por gjithsesi ajo paralajmëron se ata që jetojnë përgjatë lumit të Tërkuzës duhet të tregohen të kujdesshëm.Hapja e portave shkarkuese të Bovillës, pritet që të sjellë edhe një rritje të lumit të Tërkuzë që kalon nga Zall Herri dhe Kamza. Tiranë, hapen portat e digës së Bovillës

Ora 17:33 FA : 222 persona të evakuuar, gadishmëri me 250 forca në terren
 Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë në një raport të bërë publik për situatën në jug sqarojnë se bazuar në kërkesat e Prefekturës Vlorë, Berat, Gjirokastër, Fier dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, janë të angazhuara në ndihmë të qytetarëve të përmbytur në rajonet jugore të vendit.  Në fshatin Novoselë në Vlorë, FA janë të pranishme me trupa dhe automjete transporti.  Forcat e armatosura kanë kryer evakuimin e disa personave si: Ura Vajgurore: 12 familje me 15 persona, Poro Vlorë: 118 persona dhe disa automjete civile, Akërni Novoselë: 3 familje me 27 persona, Fitore Novoselë: 6 familje me 25 persona.
Gjithsej te evakuuar 222 persona  dhe disa mjete civile.

Po ashtu operacioni i  zhbllokimt vazhdon edhe në rrugët nacionale ku deri më tani janë zhbllokuar akset:  Gjirokastër Kakavijë, Riparim ure në qytetin e Përmetit, Transport ndihmash ushqimore në fshatin Noveselë, Transport i forcave të rendit në fshatrat Hoxharë dhe Levan në Fier.

Forcat e Armatosura vijojnë të jenë të gatishmëri totale me kapacitete njerëzore mbi 250 në terren,  me 30mjete transporti, 1 helikopter, mjete transporti ujor si motobarka dhe gomone. 


FA me gomone

(VIDEO: Ndihmat nga FA në zonat e përmbytura)


Ora 16:35 Rama në Levan të Fierit: Dëmshpërblejmë fermerët
Pas Novoselës, kryeministri Edi Rama mbërriti në Levan të Fierit, për tu njohur më nga afër me situatën e përmbytjeve në këtë zonë, në të cilën janë shkaktuar dëme të konsiderueshme. 

Kryeministri Rama ka premtuar dëmshpërblim për fermerët dhe banorët e dëmtuar nga përmbytjet  nga Vjosa. Deklarata është dhënë gjatë inspektimit që ai kreu në pasditen e sotme në zonën e përfshirë nga vërshimi i ujerave të lumit Vjosë.Rama: Pas evakuimit, raport i plotë i dëmeve

Ora 16:15 Shpëtohet punëtori i bllokuar në hidroforin e Novoselës
Punëtori Ali Dalipi i cili u bllokua gjatë punës në hidroforin e komunës Novoselë është shpëtuar dhe evakuuar nga ekipet e Delta Forcë. 

Ora 15:35 Serjani: Mbi 300 familje të shpëtuara dhe 10 mijë krerë bagëti
Këshilltari për median në Ministrinë e Brendshme Florian Serjani dha një ekspoze të situatës aktuale në zonat e përmbytura në jugun e vendit. Serjani theksoi se deri më tani me ndihmën dhe bashkëpunimin e Shtabit të Emergjencave, forcave policore si dhe atyre të armatosura është bërë i mundur shpëtimi i rreth 300 familjeve si dhe 10 mijë krerëve bagëti. Ai tha se situata në Hidrocentralin e Banjës është normalizuar dhe uji është në nivele normale. 



Ora 15:30 Vlorë, një punëtor bllokohet në hidrovor
Një punëtor është bllokuar në hidrovorin e Novoselës. Ali Dalipi ka mbetur i bllokuar gjatë punës në hidrofor për tërheqjen e ujit/ Delta Forcë është nisur drejt hidrovorit për ta shpëtuar.

Ora 14:30 Rama në Novoselë: Situata kritike edhe nga bllokimi i kanaleve
Kryeministri Rama mbërriti në Novoselë të Vlorës me ministrin e Punëve të Brendshme Sajmir Tahiri, për të parë nga afër pasojat e përmbytjeve në këtë komunë.
 
Rama tha se Emergjencat janë përgatitur ende pa filluar përkeqësimi i motit. Ministri i Bujqësisë, tha Rama, është angazhuar që në shtator për funksionim normal të hidorovorëve.
 
“Të gjitha strukturat janë në këmbë, është shmangur çdo dëm, nuk kemi humbje njerëzore”, tha Rama.
rama ne novosele me logo
Foto të tjera  (Kryeministri Rama në Novoselë)

Pas evakuimit të përgjithshëm të banorëve të përmbytur, kryeministri tha se do të bëhet një raport i hollësishëm i dëmeve në toka bujqësore, blegtori, biznese e familje.

“Kemi diskutuar me partnerët për mbështetje”, theksoi kreu i qeverisë.
 
Sipas shefit të mazhorancës në këtë situatë ka ndikuar edhe bllokimi i shumë kanaleve si pasojë e ndërtimeve që janë bërë buzë lumenjve. “Paguajmë edhe çka i kemi bërë vetë mjedisit. Ka shumë punë për të bërë. Problemet do t’i adresojmë”, u shpreh kryeministri Rama.
 
Në përfundim, Rama iu drejtua me një apel banorëve që t’u përgjigjen strukturave përgjegjëse kur kërkojnë evakuimin e tyre.


(Video: Kryeministri Rama në Novoselë)

Ora 13:45  Shpërndahen ndihma për banorët e përmbytur
Rreth 300 pako me ushqime do të shpërndahen për të përmbyturit , po ashtu do të ketë furnizime me bukë dhe ujë të pijshëm. 

 FOTOLAJM/ Nis shpërndarja e bukës dhe ujit në fshatrat e Novoselës

buka

Ora 13:30 Vlorë, gjatë 48 orëve u evakuuan 98 të përmbytur
Gjatë 48 orëve të fundit nga Policia e Vlorës, FNSH, Delta Force dhe Forcat e Armatosura janë evakuuar 98 persona. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë po mbahen kontaktet me banorët e fshatrave të komunës Novoselë për të bërë evakuimin e të gjithë të përmbyturve. Aktualisht ekipet e shpëtimit janë përqendruar në evakuimin e bariut Rrapo Tiko i cili ndodhet i izoluar në stan në vendin e quajtur Bishti i Malit në Selenicë.

Sipas policisë, rrugët rurale të rrjetit të Vlorës janë të gjitha të kalueshme me përjashtim të akseve Kotë-Gumenicë dhe Kotë-Lapardha të cilat janë të bllokuara përkohësisht dhe po punohet për hapjen e tyre.

Ora 13:20 Librazhd, shembet shkolla e fshatit
Reshjet intensive të shiut dhe përmbytjet në Librazhd si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Shkumbin, kanë shembur një shkollë në Dranovicë. Lajmi bëhet i ditur nga nënprefekti Enver Koci. Shkolla në Dranovicë është shembur gjatë natës dhe në të mësonin 12 nxënës.

Ora 12:47 Panariti për A1 REPORT: Ndërtimet pa kriter pranë lumenjve, përkeqësuan përmbytjet
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti tha për A1 Report se shkak për situatën kritike të përmbytjeve në jug të vendit janë bërë ndërtimet me leje dhe pa leje që janë dhënë për banesat e bizneset pranë lumenjve. Në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike për A1Report, ministri Panariti tha se ndërtimet pa kriter kanë bërë që të bllokohen kanalet e treta të kullimit, të cilat pavarësisht funksionimit të kanaleve të para dhe të dyta, e vështirësojnë tej mase tërheqjen e ujërave.



Në lidhje telefonike për A1 REPORT, Valentina Leskaj


bagetite e ngordhura
Bagëtitë e ngordhura nga përmbytjet

Ora 12:45 Fier, evakuohen dy vëllezërit e bllokuar në bunker
Dy vëllezërit Dritan dhe Benjamin Veizaj të cilët ishin bllokuar prej orësh në një bunker në fshatin Shtyllas të Fierit, janë evakuuar nga ekipet e shpëtimit. 

VIDEO/ Permbytet Ura e Gramshit, bllokohen 400 banore
Rreth 400 banorë të fshatit Trashovicë në Gramsh, rrezikojnë të izolohen, teksa ura që lidh këtë fshat me pjesën tjetër të zonës po shkon drejt degradimit. Situata është përkeqësuar si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit.

Ura është e vetmja rrugë lidhëse për këtë fshat, ndërsa prej vitesh ajo nuk njeh asnjë investim.

Ura është thuajse e pakalueshme, ndërsa banorët e fshatit i bëjnë apel instancave përkatëse të ndërhyjnë.

Uji ka pushtuar edhe tokat bujqësore si dhe disa banesa të këtij fshati.



Ora 12:08 Emergjencat: Bariu kontaktoi me ne është mirë
Bariu Vaso Terpollari i cili kishte humbur kontaktet me familjarët e tij, ka arritur të komunikojë me inspektorin e Emergjencave Civile në Skrapar, i cili tha për A1 Report se gjendja e tij është e mirë dhe se nuk rrezikohet nga përmbytjet.Terpollari aktualisht ka mbledhur bagetinë dhe është në një kodër në fshatin Oxharë të Fierit dhe po pret për ndihmë.
 
Ora 12:00 Evakuohet familja në Novoselë, edhe fëmija 3 vjeç
Pesë anëtare të familjes Aliaj të cilët ishin bllokuar në banesën e tyre në fshatin Bishan të komunës Novoselë kanë arritur të evakuohen nga ekipet e shpëtimit. Policia në mbështetje me FNSH, Delta Force dhe Forcat e Armatosura shpëtuan me mjete lundruese 5 anëtarët e familjes Avdul Aliaj mes tyre edhe një fëmijë 3 vjeç.
 
Gjithashtu janë evakuuar edhe 3 persona të tjerë të cilët ndodheshin në një zdrukthari në Novoselë.
 
Operacioni aktualisht është përqendruar në  evakuimin e bariut Vullnet Alliaj, i cili ndodhet në stan bashkë me bagëtitë

Ora 12:00 Fier, përmbyset mjeti i ushtrisë, do shpëtonte të përmbyturit
Një mjet i ushtrisë i cili ishte nisur për të ndihmuar në evakuimin e personave që kanë mbetur të bllokuar si pasojë e përmbytjeve është përmbysur gjatë operacionit.
Mjeti i ushtrisë ishte nisur për evakuimin e 5 personave të bllokuar në fshatin Shtyllas kur është përmbysur në kthesën e Qarrit në Fier. Nga aksidenti mësohet se nuk ka të lënduar ndërsa në ndihmë të tyre po shkojnë forca të tjera ushtarake.

makine e permbytur

Ora 11:45 Një bari rezulton i zhdukur, humbi kontaktet
Një bari, Vaso Terpollari rezulton i zhdukur. Ai ishte bashkë me tre barinj të tjerë në fshatin Peverlec, të cilët kanë arritur të shpëtojnë. Familjarët e tij nuk kanë mundur të kontaktojnë me bariu nga Skrapari, i cili nuk hap telefonin.

Ora 11:34 Dy vellëzër të bllokuar në bunker
Dy vëllezër kanë mbetur të bllokuar në një bunker në fshatin Shtyllas të Fierit. Varkat e shpëtimit janë nisur në drejtim të dy vëllezërve, Dritan dhe Benjamin Veizaj, të cilët janë të bllokuar prej 2 orësh.

Ora 11:30 Ferras, bllokohet roja i një pularie
Roja i një pularie në fshatin Ferras të Fierit ka mbetur i izoluar si pasojë e përmbytjeve. Ai ka kërkuar ndihmë për tu evakuar dhe ndaj tij janë nisur ekipet e shpëtimit.

Ora 11:22 Shpëtohet çifti i bashkëshortëve të bllokuar në Ferras
Pas apelit në A1Report të familjes Meçe, ekipet e shpëtimit evakuuan dy anëtarët e familjes, çiftin e bashkëshortëve. Në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike për A1 Report Lefter Meçe tha se bashkë me gruan e tij kishin mbetur të bllokuar në banesën totalisht në përmbytur prej mbrëmjes dhe bëri apel për tu evakuuar. 

Ora 11:05 Evakuohen tre barinjtë e Darzezit
Ekipet e shpëtimit kanë evakuuar me skaf tre barinjtë të cilët ishin bllokuar në fshatin Darzezë të qytetit të Fierit. jane per tu evakuuar edhe 5 barinj ne Bishan te Vlores, dhe 4 ne Ferras te Fierit.
 
permbytje fier

Ora 11:00 Rama: Moti i tërbuar sfidë, strukturat po përgjigjen me eficencë të plotë
Kryeministri Edi Rama ka shkruar në rrjetet sociale për situatën e rënduar të përmbytjeve në jug të vendit. Kreu i qeverisë tha se mot ii përkeqësuar është një sfidë, por theksoi faktin se të gjitha strukturat janë në terren për të garantuar shpëtimin e banorëve të përmbytur.
 
“Mot i tërbuar na ka vënë përpara një sfidë të rëndë, port ë gjitha strukturat po përgjigjen me eficencë të plotë”, shkruan Rama.
 
Kryeministri lajmëroi se në mesditë do të niset për në Fier dhe në Vlorë, dy qarqet që paraqiten më problematikë sa i përket përmbytjeve, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Vjosë. 

Ora 10:50 Permbytjet, Rama dhe Tahiri nisen drejt Novoseles
Për situatën emergjente në të cilën ndodhet jugu i vendit si pasojë e përmbytjeve, në komunën e Novoselës pritet të mbërrijnë pas orës 13:00 kryeministri Edi Rama dhe ministri i Punëve të Brendshme Sajmir Tahiri.

Ora 10:45 Ministria e Brendshme: Rrezikohet hapja e portave të Banjës në Elbasan
Këshilltari për mediat i Ministrisë së Punëve të Brendshme Florion Serjani në një deklaratë për situatën e përmbytjeve dhe të evakuimit të banorëve dha alarmin se reshjet intensive të cilat po bien në qarkun e Elbasanit, rrezikojnë hapjen e portave të liqenit të Banjës.Në këto kushte, tha Serjani, mund të shkaktohen përmbytje të mëdha të tokave e banesave përreth.



Ora 10:45 12 barinj të bllokuar në Fier dhe Vlorë, evakuim me helikopterë e gomone
5 barinj kanë mbetur të bllokuar në zonën mes Bishanit dhe Poros. Sipas prefektes së Vlorës Etjona Hoxha është e pamundur të ndërhyhet me mjete motorike për shkak të terrenit të panjohur të zonës. Ndaj sipas saj, ndërhyrja për evakuimin e tyre do të bëhet me helikopterë.
 
Po ashtu, 4 barinj kanë mbetur të izoluar në fshatin Ferras të Fierit dhe tre të tjerë në Darzezë. Ata kanë apeluar përmes telefonatave në media se janë të rrethuar nga uji i cili ka marrë me vetë bagëtitë e tyre. Evakuimi i tyre pritet të bëhet me gomone. 

Ora 10:20 Bllokohet nje çift bashkëshortësh në Ferras të Fierit
Një çift bashkëshortësh në fshatin Ferras midis Levanit dhe Fierit bëri apel përmes ekranit të A1 Report për tu evakuuar pasi banesa e tyre është përmbytur plotësisht. Lefter Meçe në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike në A1 Report tha se situata është mjaft e vështirë ku uji arrin deri në 1 metër. 



Menjëherë pas këtij apeli, A1 Report telefonoi prefektin e qytetit të Fierit, Xhevid Bushaj, i cili tha se drejt familjes janë nisur forcat e shpëtimit për të ndërhyrë me gomone, dhe se evakuimi i tyre është çështje minutash. “Deri tani kemi evakuuar 56 familje, janë vendosur në të afërmit e tyre dhe Shtabi i Emergjencave të njësive vendore është duke i sistemuar dhe kujdesur për mbarëvajtjen e jetës së tyre”, tha Bushaj.
 
Ai ngriti alarmin kur tha se janë 5 fshatra të cilët janë përmbytur totalisht dhe se ndërhyrja në ta paraqitet mjaft e vështirë. 



Ora 10:00 Prefektja e Vlores: Situata nen kontroll, ne terren per evakuimin
Prefektja e Vlorës, Etjona Hoxha në një lidhje të drejtëpërdrejtë telefonike për A1 Report, tha se pavarësisht uljes së nivelit të ujit për disa momente mëngjesin e sotëm, situata është përkeqësuar sërish ku në disa zona uji arrij në një metër.
 
“Patëm një moment qetësie se niveli i ujit u ul rreth 50 cm. Aktualisht arrin edhe në një metër, gjysmë metri në momente të caktuara të rrugës”, tha Hoxha.
 
Prefektja Hoxha tha se situata e evakuimit shikohet rast pas rasti në varësi të familjeve më të rrezikuara. Ajo shtoi se janë marrë masat për të garantuar furnizimin me ushqim dhe ujë të pijshëm të familjeve që janë të izoluara në zonat e përmbytura. Sipas saj një pjesë e madhe e banorëve të komunës së Novoselës janë streguar tek familjarët e tyre, ndërsa të tjerë janë evakuuar nga ekipet e shpëtimit. 

Hoxha tha se pasi të jetë garantuar shpëtimi i të gjithë banorëve të përmbytur, atëherë do të ndërhyhet përmes një plani të detajuar të masave për të ndërhyrë në kanalet e kullimit, që do të shmangte përsëritjen e një situate të njëjtë. 



Ora 09:50 Berat, “bie” Osumi, hapet Ura e Çorovodës
Në qytetin e Beratit situata duket më e qetë pasi niveli i ujit në lumin Osum ka rënë ndjeshëm. Po ashtu ura e Çorovodës, e cila u dëmtua si pasojë e prurjeve të mëdha të Osumit, është riparuar dhe tashmë është e kalueshme.

Me shpëtimin e jetëve në njerëz, tashmë vëmendja është fokusuar në evidentimin e dëmeve.


Përmbytjet në qytetin e Beratit

Ora 09:40 4 banore të bllokuar në Levan të Fierit
Reshjet e shiut të cilat vijojnë intensivisht në Fier, e kanë bërë të vështirë evakuimin e kater banoreve në Levan, shtepite e të cilëve janë përmbytur totalisht. 

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Flakët e zjarri përfshijnë edhe Llogaranë, Report Tv siguron pamjet

Flakët e zjarri përfshijnë edhe Llogaranë, Report Tv siguron pamjet