Parku Arkeologjik i Shkodrës, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Kalaja e Gjirokastrës janë tre pikat që kanë tërhequr më shumë vizitorë në Shqipëri gjatë dy muajve të parë të vitit 2026 

Në total, sipas Ministrit Blendi Gonxhja  42,251 persona kanë vizituar sitet e trashëgimisë kulturore në vend, mes tyre turistë vendas dhe të huaj. Nga këta, 21,134 kanë zgjedhur muzetë kombëtarë, 14,394 parqet arkeologjike dhe 6,723 kalatë dhe monumentet e kulturës.

I vendosur pranë Kalasë së Rozafës, mbi një kodër shkëmbore 130 metra mbi nivelin e detit, ky park shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 9 hektarësh dhe rrethohet nga lumenjtë Buna dhe Drin. Brenda tij ndodhen objekte me vlerë si Barbakani në hyrje të kalasë, Kisha e Shën Stefanit që daton në shekullin XIII dhe që më pas u kthye në xhami, si dhe godina e Kapitenerisë së periudhës veneciane që sot shërben si muze.

I dyti më i vizituar është Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë me 8,176 vizitorë.

I vendosur brenda kalasë së qytetit, muzeu i kushtohet figurës së Skënderbeut dhe historisë së rezistencës shqiptare kundër Perandorisë Osmane. I hapur në vitin 1982 dhe i projektuar nga Pranvera Hoxha dhe Pirro Vaso, ai ruan dokumente, armë, simbole dhe objekte që tregojnë jetën dhe luftërat e heroit kombëtar.

Në vend të tretë është Kalaja e Gjirokastrës me 5,513 vizitorë.

Me origjinë që daton të paktën në shekullin XIV, kjo kala mori zhvillim të madh gjatë periudhës së Ali Pashë Tepelenës, kur u fortifikua dhe u pajis me armatime. Brenda saj u ndërtua edhe kulla e sahatit, që sot është një nga elementët më të dallueshëm. Në periudha lufte ka shërbyer si strehë për banorët, ndërsa prej vitit 1968 është kthyer në qendër të rëndësishme të trashëgimisë folklorike, duke pritur Festivalin Folklorik Kombëtar.

Në total, këto tre atraksione kanë tërhequr 22,276 vizitorë, duke mbajtur peshën kryesore të interesit për turizmin kulturor në vend në fillim të këtij viti.

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 17 Mars, 11:47

    Shqipëria shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit, si e vlerësoni?