Qeveria ka miratuar projektligjin për krijimin e Fondit Kombëtar për Artin, i cili parashikon që deri në 10% e kursimeve vjetore nga prokurimet publike të përdoren për blerjen e veprave të artit dhe koleksioneve me vlerë historike e kulturore. Veprat e blera do të bëhen pronë e shtetit dhe do të ekspozohen në institucione dhe hapësira publike.

Ministri Blendi Gonxhja bëri të ditur se projektligji synon të krijojë një burim të ri financimi për artin, duke përdorur një pjesë të parave të kursyera nga tenderat publikë. Sipas tij, kjo skemë pritet të sigurojë disa milionë euro në vit për pasurimin e fondit publik kombëtar të artit.

Financimi do të bëhet përmes kursimeve të verifikuara dhe të certifikuara nga Ministria e Financave, të cilat rezultojnë të disponueshme për rishpërndarje gjatë vitit buxhetor. Shuma që do t'i kalojë Fondit Kombëtar për Artin nuk mund të jetë më e madhe se 10% e totalit vjetor të këtyre kursimeve dhe do të miratohet përmes ligjit vjetor të buxhetit.

Sipas Qeverisë, ky mekanizëm synon të financojë blerjen e veprave të artit pa krijuar shpenzime të reja buxhetore. Fondi do të ketë gjithashtu mundësi të përfitojë donacione, sponsorizime dhe grante nga Bashkimi Evropian, organizata ndërkombëtare dhe partnerë të tjerë.

Kush do t'i përzgjedhë veprat e artit?

Projektligji parashikon që blerja e veprave të artit të bëhet përmes një komisioni të përbërë nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj, me përvojë në artet pamore, historinë e artit, muzeologjinë, trashëgiminë kulturore dhe vlerësimin e tregut të artit.

Në këtë proces do të përfshihet edhe Galeria Kombëtare e Arteve, e cila do të ofrojë ekspertizë teknike dhe profesionale për vlerësimin, përzgjedhjen, blerjen dhe administrimin e veprave.

Përpara çdo blerjeje do të verifikohet pronësia dhe prejardhja e objekteve. Projektligji përjashton blerjen e veprave me autenticitet të dyshimtë, me prejardhje të paligjshme apo që janë objekt i mosmarrëveshjeve të pronësisë.

Veprat e blera do të regjistrohen në inventarin shtetëror dhe do të shpërndahen në institucione publike, ku do të ekspozohen për qytetarët.

Një tjetër synim i Fondit është ruajtja në Shqipëri e veprave me rëndësi kombëtare, si dhe rikthimi i tyre në koleksionet publike.

Si do të kontrollohen shpenzimet?

Projektligji parashikon që vendimet e komisionit për blerjen e veprave të jenë të dokumentuara, të argumentuara dhe publike.

Çdo vit do të publikohet lista e veprave të blera, së bashku me vlerat përkatëse financiare. Administrimi i Fondit do t'i nënshtrohet kontrollit të brendshëm financiar dhe auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Sipas ministrit Gonxhja, përveç mbështetjes për artistët, investimi në vepra arti synon të rrisë edhe vlerën e inventarit shtetëror ndër vite.

Projektligji pritet t'i kalojë Kuvendit për shqyrtim dhe miratim. Nëse miratohet, zbatimi i tij është parashikuar të nisë në janar 2027.