Në të gjitha akset e qarkut Dibër, Policia Rrugore ka shtuar kontrollet për të frenuar aksidentet dhe për të mbajtur trafikun nën kontroll.

Fokusi i javës që lamë pas ka qenë te shoferët që ulen në timon nën efektin e alkoolit dhe te parakalimet e gabuara, dy nga shkeljet që sipas policisë çojnë më shpesh në aksidente me pasoja të rënda.

Bilanci i javës është i lartë. Katër persona janë vënë nën hetim penal për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa 562 drejtues mjetesh janë ndëshkuar me masa administrative.

Shifrat tregojnë se 149 shoferë janë gjobitur për ndalim ose parkim në kundërshtim me sinjalistikën, 87 për parakalime të rrezikshme dhe 58 për shpejtësi mbi normat e lejuara. Janë ndëshkuar gjithashtu 51 drejtues për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 10 drejtues motomjetesh për mungesë të kaskës mbrojtëse.

Kontrollet kanë evidentuar edhe 5 raste të drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit, ndërsa 202 shoferë të tjerë janë gjobitur për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. 

Intensifikimi i kontrolleve rrugore ka ardhur në vazhdën e miratimit të Kodit të ri Penal ku parkimi dysh ndalohet dhe dënohet me ligj. 

Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat dhe të shmangin sjelljet e rrezikshme, duke theksuar se kujdesi në rrugë nuk është thjesht detyrim ligjor, por mënyra e vetme për të shmangur aksidentet dhe për të mbrojtur jetën.

Njoftimi i plotë i Policisë së Dibrës

" Monitorim intensiv me radarë, makina inteligjente dhe dragera në të gjitha akset e qarkut, për të parandaluar ngjarjet rrugore me pasoja, si dhe për të menaxhuar trafikun.Ndër fokusët e punës së Policisë Rrugore të Dibrës janë konstatimi i rasteve të drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit/në gjendje të dehur dhe parakalimet e gabuara, shkelje këto që rezultojnë burime parësore të aksidenteve rrugore me pasoja të rënda. Si rezultat i monitorimit, gjatë javës që lamë pas, janë proceduar penalisht 4 shtetas për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë ndëshkuar administrativisht 562 drejtues mjetesh, konkretisht:

-149 drejtues automjetesh, për ndalim ose pushim të automjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore;
-87 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara;
-58 drejtues mjetesh, për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara;
-10 drejtues motomjetesh, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
-51 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
-5 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit;
-202 drejtues mjetesh, për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore e Dibrës u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të tregojnë kujdes maksimal gjatë drejtimit të mjetit dhe të shmangin sjelljet e rrezikshme në rrugë, pasi çdo shkelje mund të rrezikojë jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Respektimi i rregullave është një përgjegjësi e përbashkët për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë për të gjithë."