Që nga viti 2001 e deri në shkurt 2018 janë kryer gjashtë operacione të bujshme, një pjesë e të cilëve arritën të fusnin kokainë në Shqipëri, ndërsa një pjesë tjetër u zbuluan para se lënda narkotike të mbërrinte në vendin tonë. Janë gjithsej 9 tonë e 237 kg kokainë e nisur nga Kolumbia me destinacion Shqipërinë.
“Journey Italia” në vitin 2001
Operacioni më i bujshëm i kohës, që u finalizua me prangosjen e zyrtarëve të lartë të policisë dhe prokurorisë, të cilët kishin krijuar lidhje me bandat kolumbiane, duke lejuar të futeshin në Shqipëri sasi të mëdha kokaine. Mes të arrestuarve ishte dhe ish-shefi i policisë gjyqësore, Sokol Koçia, ndërsa ‘koka’ e këtij rrjeti u përfol shtetasi Frederik Durda. Nga hetimet, rezultoi që Durda kishte udhëtuar për në Kolumbi, ku kishte krijuar kontakte me kartelin e Pablo Eskobar-it, prej ku ishte planifikuar dhe ndërtimi i një laboratori në Shqipëri.
Në gusht 2000 u kap në Venezuelë një anije me 6 tonë kokainë e destinuar për në Europë, ndërsa në Holandë u zbuluan 2 tonë të tjerë. Nga Shqipëria ishte nisur anija e Durdës për t’u ngarkuar me “lëndë të parë”, por ekuipazhi u urdhërua të kthehej. Gjatë kontrollit nga autoritete spanjolle nuk u gjet asgjë, përveç një shtrese të dyfishtë në bord, ku dyshohet se do të fshihej droga.
Pronarët e anijes u mbajtën nën përgjim për gjashtë muaj me radhë, ndërsa në pranga u vunë 21 persona nga 7 shtete të ndryshme. Në Shqipëri u prerë flet arreste për shtetasit Frederik Durda, Arben Berballa, Sokol Kociu, Din Gjonaj, Vebi Hysa dhe Alfred Nanaj, të cilët u dënuan vetëm me 66 vite burg në total.
Kokaina e fshehur në vaj palme në vitin 2011
Në nëntor të 2012, u dënua me 17 vite burg shtetasi Dhimitros (Vullnet) Harizaj, pasi akuzohej për trafikimin e 200 kg kokaine të tretur në vaj palme nga Kolumbia në Shqipëri. Duke përfituar gjykim të shkurtuar, ai u dënua me 11 vjet e 4 muaj heqje lirie. Lënda narkotike nuk mbërriti në vendin tonë, por alarmoi policinë e disa shteteve evropiane, në mars të vitit 2011.
Në atë kohë, u raportua se shqiptari Harizaj kishte porositur një kompani transporti maqedonase për të transportuar kontenierin ku ndodhej vaji i palmës në Shqipëri. Sipas Prokurorisë, nga gjurmimi nëpërmjet GPS rezultoi se kamioni ka kaluar nga Belgjika në Luksemburg, Gjermani, Austri, Kroaci, Serbi, Maqedoni dhe së fundmi, më datë 20 mars 2011, nga Maqedonia është futur në territorin shqiptar, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Qafë-Thanës.
Kokaina e kapur në Mal të Zi në vitin 2014
250 kg kokainë u sekuestrua nga autoritetet doganore të Malit të Zi, në portin jugor të Barit, dhe ishte sasia më e madhe e kokainës e mbërritur ndonjëherë në këtë vend. Kokaina u zbulua në një anije që transportonte banane nga Amerika e Jugut, (Ekuador) dhe që kishte destinacion Shqipërinë. Sasia e lëndës narkotike u gjet e fshehur nën dyshemenë e një prej kontenierëve dhe ishte e ndarë në 200 pako, ndërsa vlera e lëndës narkotike nëse do të hidhej në treg arrinte në 17 milionë dollarë.
Laborator kokaine në Fushë Kuqe në vitin 2014
Në qershor të vitit 2014, u zbulua një laborator heroine dhe kokaine në zonën e Laçit me sasi të mëdha droge. Përveç lëndës narkotike, policia sekuestroi dhe armë automatike, snajperë dhe lëndë eksplozive. Gjatë këtij aksioni përfunduan në pranga 7 persona, 4 në Tiranë, Laç dhe Morinë dhe 3 të tjerë në Kosovë, mes tyre edhe kimistja Valentina Tufa, që ishte dhe pikënisje e aksionit. Në laborator u zbuluan rreth 74 kilogram kokainë, ndërsa ‘kokë’ e këtij trafiku ishte Gëzim Çela, që ndodhet ende në arrati.
Gjatë operacionit u gjetën në një vilë në Fushë Kuqe të Laçit dhe 850 litra përzierës, një mjet i blinduar, si dhe armë e municione luftarake. Dyshohej se kjo vilë përdorej si laborator ku bëhej përzierja, ndarja dhe peshimi i lëndës narkotike, ndërsa në kasafortën e godinës u gjetën dhe 143 mijë euro, disa orë të kushtueshme dhe bizhuteri të ndryshme. Një laborator tjetër u zbulua në Prishtinë, pikërisht atje ku kontrollohej cilësia e lëndës narkotike, para se të nisej në drejtim të Shqipërisë.
Laboratori i Xibrakës në vitin 2015
Në janar të vitit 2015 u zbulua një laborator gjigant i përpunimit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit. Policia tha se zbuloi 100 kg kokainë e pastër, si dhe 4 tonë përzierës kokaine në laboratorin e drogës, i cili ishte më i madhi i zbuluar në Ballkan. 13 persona përfunduan në pranga, 11 shqiptarë dhe dy kolumbianë, që ndodheshin në laborator në momentin e aksionit.
Operacioni u organizuar nga Interpol dhe Europol pas një hetimi disamujor, ku rezultonte se droga mbërrinte e përzier me vaj palme nga vendet e Amerikës Latine, dhe këtu bëhej ndarja e saj. Më pas, droga kishte si destinacion vendet e Evropës. Gjatë operacionit u arrestua edhe nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha.
Kokaina në kontenierin e bananeve, shkurt 2018
Aksioni i 28 shkurtit 2018 kapi sasinë më të madhe të kokainës kolumbiane, që kishte destinacion Shqipërinë. Aksioni i gjashtë u finalizua me kapjen e 613 kg kokaine jashtë Portit të Durrësit, e cila ishte porositur nga kompania ‘Arbri Garden’, që transportonte fruta ekzotikë, kryesisht banane. Lënda narkotike vinte nga Kolumbia, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i kompanisë porositëse. Në pranga u vunë dy persona, ndërsa vlera e kokainës në treg arrinte në 180 milionë euro.
d.c./shqiptarja.com