TIRANE - Çdo person i cili nuk ka kryer vepra të rënda penale apo lihet në “arrest shtëpie” nga gjykatat, tani e tutje nuk do të mbikqyret më nga punonjës policie, por nga një detektor i vendosur në trupin e tij, që do të tregojë vendndodhjen e saktë 24 orë në 24.

Botimi më i fundit në Fletoren Zyrtare i hap rrugë zbatimit të mbikqyrjes elektronike ndaj personave që u kufizohet lëvizja me vendim gjyqësor, gjykimi i të cilave është në kompetencë të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit.

UDHËZIMET

Do të jetë një bashkëpunim mes ministrisë së Drejtësisë, asaj të Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme, që do të realizojë procesin. Sipas ligjit më ri, përdorimi i mbikëqyrjes elektronike urdhërohet nga gjykata me vendim gjyqësor, pas informimit nga Shërbimi i Provës për mundësinë teknike të realizimit të saj.

Do të jetë ky institucion që do të raportojë për numrin e detektorëve në dispozicion për përdorim. Personat tek të cilët do të vihen detektorët, paraqesin rrezikshmëri të ulët shoqërore, si personat e mitur dhe personat që akuzohen për një vepër penale që dënohet në maksimum jo më shumë se 5 vjet, si dhe persona ndaj të cilëve është lëshuar me vendim gjyqësor, një urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, në bazë të ndryshimeve të Kodin Penale, për masat ndaj dhunës në familje.

Vënia e pajisjes ekzekutohet vullnetarisht, por edhe në rastet kur nuk ndodh, aplikohet ekzekutimi i detyrueshëm. Shërbimi i Provës, menjëherë sapo njihet me vendimin gjyqësor, merr kontakte me Policinë e Shtetit, duke kërkuar bashkëpunimin për vëzhgimin e personit të cilit i është vendosur detektori, dhe njofton menjëherë policinë e Tiranës për të dhënat dhe identitetin e tij.

I dënuari është i detyruar të paraqitet në vendin dhe kohën e përcaktuar për vendosjen e pajisjes. Në rast mosparaqitjeje, Shërbimi i Provës njofton menjëherë Policinë e Shtetit dhe Prokurorin. Për çdo veprim në lidhje me monitorimin me anë të pajisjes, Shërbimi i Provës e bën në bashkëpunimin me Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës, Prokuroria dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, i njoftojnë njëra-tjetrës dhe shkëmbejnë të dhënat e kontaktit për punonjësit përgjegjës për një komunikim të drejtpërdrejtë lidhur me procesin e mbikëqyrjes elektronike, në rastet kur paraqitet nevoja dhe urgjenca.

RISITË

Zbatimi i mbikqyrjes elektronike do të zvogëlojë koston që shteti duhet të paguajë për mbikqyrjen e një të dënuari nga 500 euro në muaj, në 10 euro në muaj. Një numër prej 300 të dënuarish do të jenë të parët që do të mbajnë pajisjen në trupin e tyre, fillimisht në Tiranë e më pas në të gjitha rrethet e vendit.

Gjatë hartimit të këtij ligji, zyrtarë të ministrisë së Drejtësisë patën deklaruar se me zbatimin e sistemit mbikqyrës elektronik, mundësia e një personi në arrest shtëpie për t’u arratisur apo larguar është thuajse zero, sepse sistemi garanton 100% identifikimin e shpejtë dhe neutralizimin e personit që mban detektorin.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)