Mbingarkimi i sistemit të azilit, Gjermania shton kontrollet në kufi

Mbingarkimi i sistemit të azilit, Gjermania shton kontrollet në kufi

Kontrolle të policisë gjermane

Duke nisur nga kjo e hënë (16.09.2024) policia e Gjermanisë do të kontrollojë jo vetëm personat, që hyjnë në kufijtë lindorë dhe jugorë të vendit, por edhe në kufijtë veriorë dhe perëndimorë. Kjo së paku për gjashtë muaj. Rregullorja e re prek kalimet kufitare nga Danimarka, Holanda, Belgjika, Luksemburgu dhe Franca.

Duke qenë se Gjermania ndodhet në mes të "zonës Shengen", kontrollet shtesë mund të çojnë në vështirësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Kryeministri polak, Donald Tusk kritikoi se Gjermania do të rrezikonte të gjithë sistemin Shengen me kontrollet e saj të përgjithshme. Në fakt udhëtimi në zonën Shengen është i mundur pa kontrolle identiteti dhe pa radha pritjeje, pasaporta duhet të tregohet vetëm në kufijtë e jashtëm të saj dhe në aeroporte.

Shengen: kontrollet vetëm si mjeti i fundit
Kontrollet në kufijtë e brendshëm të zonës Shengen planifikohen vetëm në kushte të caktuara. Megjithatë janë vetë shtetet anëtare që vendosin, nëse kushtet janë përmbushur, dhe ata pastaj duhet t`i regjistrojnë kontrollet në Komisionin e BE në Bruksel.

Qendra e BE-së mund t`i kritikojë kontrollet kufitare, por këtë nuk e ka bërë asnjëherë deri tani. Vetëm ka theksuar se kontrollet kufitare duhet të jenë një përjashtim dhe "zgjidhja e fundit", siç tha së fundmi Anitta Hipper, zëdhënësja e Komisionit të BE. Për më tepër sipas kodeksit kufitar të Shengenit, të ndryshuar së fundmi, kontrollet vendosen "përkohësisht", më së shumti për tre vjet.

Qindra përjashtime nga rregullorja e zonës Shengen
Gjermania nuk është e vetmja, që zgjeron kontrollet kufitare. Tetë anëtarë të tjerë të Shengenit kanë vendosur ndërkohë kontrolle në kufijtë e brendshëm. Që nga viti 2006 në shtetet e zonës Shengen janë regjistruar gjithsej 441 masa kontrolli. Franca kryeson. Që nga sulmet terroriste islamiste të viteve 2015 dhe 2016 Parisi i ka rezervuar vetes të drejtën për të kontrolluar vazhdimisht të gjithë kufijtë tokësorë. Kontrollet zgjaten shpesh për arsye të ndryshme, si kërcënimi i terrorizmit, presioni i migracionit, spiunazhi rus apo ngjarjet e mëdha sportive. Edhe Gjermania kontrollon kufirin me fqinjin e saj jugor Austrinë që nga viti 2015 me shpjegimin, se dëshiron të zvogëlojë numrin e azilkërkuesve që hyjnë në vend dhe rrezikun e terrorizmit. Austria nga ana tjetër kontrollon kufijtë e saj me Sllovakinë, Republikën Çeke, Hungarinë dhe Slloveninë për të njëjtat arsye.

Kontrollet arritën kulmin e tyre gjatë pandemisë së koronës katër vjet më parë, kur pothuajse të gjitha vendet e Evropës Qendrore donin të luftonin përhapjen e virusit përmes kontrolleve të pasaportave dhe mbylljes së pjesshme të kufijve. Në atë kohë pati bllokime të gjata trafiku dhe shumë pakënaqësi tek udhëtarët dhe spedicionet e mallrave.

Kontrolle sporadike në autostrada
Për shembull kontrollet mes landit gjerman të Bavarisë dhe Austrisë, sipas ministrit të Brendshëm bavarez Joachim Herrmann, kufizohen në inspektime vizuale dhe kontrolle sporadike në autostrada. Kjo do të thotë që jo çdo personi duhet t`i kontrollohen dokumentet. Vetëm automjetet, që duken të dyshimta, nxirren nga radha. Kontrollet në autostradat gjermane janë po ashtu të mundshme, thotë Hermann, por jo në të gjithë territorin dhe gjatë gjithë kohës.

Faeser synon të pengojë hyrjet
Ministrja e Brendshme Nancy Faeser dëshiron që me kontrollet e reja të zbulojë njerëzit, që përpiqen të hyjnë në vend "pa leje". Megjithatë atyre mund t'u refuzohet hyrja në kufi vetëm, nëse nuk paraqesin kërkesë për azil. E parë teknikisht, në kufirin me Austrinë ata nuk do të hynin aspak në Gjermani, por do të vazhdonin të ishin në Austri. Prandaj refuzimi formal sipas rregullave të BE nuk është i nevojshëm në këto raste, argumenton ministri i Brendshëm bavarez Joachim Hermann. Megjithatë, kur bëhet një kërkesë për azil në kufi, autoritetet gjermane duhet të verifikojnë, nëse është në kompetencën e tyre apo nëse personi, që hyn në vend, ka bërë ose mund të kishte bërë një kërkesë për azil në një vend tjetër të BE.

Pastaj ky person mund të kthehej në vendin, ku ka aplikikuar fillimisht për azil ose ku ka prekur së pari zonën Shengen - nëse ai vend bie dakord. Këto procedura sipas të ashtuquajturave rregulla të Dublinit zgjasnin tani deri me muaj. Tani, siç kërkon ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser, kërkimet në bazat e të dhënave të BE për azilin dhe negociatat me shtetet përkatëse të BE duhet të përshpejtohen. Kështu azilkërkuesit duhet të lihen pranë kufirit gjerman dhe madje të burgosen, nëse ekziston rreziku i arratisjes. Por landet gjermane duhet t'i ngrenë njëherë këto kampe pranë kufirit.

50 përqind nuk kanë mundur të hyjnë
Policia gjermane bën të ditur se nga janari deri në korrik të këtij viti 34.000 persona kanë dashur të hyjnë ilegalisht në Gjermani. 17.000 personave u është refuzuar hyrja menjëherë në kufi. Gjysma tjetër mundi të hynte në vend dhe rastet po trajtohen sipas rregullave të Dublinit. Vitin e kaluar policia gjermane kapi në kufi 127.000 persona, të cilët donin të hynin ilegalisht në vend. Një së katërtës iu refuzua hyrja që në kufi. Se sa i lartë është numri i tentativave të paraportuara për të kaluar kufitin dhe sa të tjerë mund të ishin zbuluar me më shumë kontrolle kufitare, është e paqartë.

Hungaria ndjen kënaqësi
Hungaria, e cila aktualisht ka presidencën e radhës të Këshillit të BE, u shpreh duke komentuar me njëfarë ligësie kontrollet kufitare gjermane. Për vite me radhë Hungaria është kritikuar dhe akuzuar për qëndrimin e saj të ashpër kundër migracionit të paligjshëm. "Tani duket se ata, që e kanë refuzuar gjithmonë qasjen tonë, po e ndjekin vetë atë. Është komike, sesi disa vite dhe një krizë migrimi mund ta ndryshojnë mendimin", thuhet në një deklaratë për shtyp të qeverisë së djathtë populiste në Budapest./ DW

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?