Mbledhja, deputetët kundër
Bashës për bojkotin e zgjedhjeve

Mbledhja, deputetët kundër<br />Bashës për bojkotin e zgjedhjeve
Deputetët e Partisë Demokratike pozicionohen kundër një skenari të mundshëm të kryetarit Lulzim Basha, për bojkotin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Mundësia e bojkotit të zgjedhjeve është lakuar dhe nënkuptuar nga vetë eksponentë të PD, por një skenar i tillë është konsideruar si një alibi e Lulzim Bashës, për të justifikuar një disfatë të mundshme në zgjedhjet e 2017, e cila do të lëkundte pozitat e tij në krye të Partisë Demokratike.

Por teksa Basha, më shumë se sa për rezultatin e zgjedhjeve duket se është i shqetësuar për fatin e tij në krye të PD pas 18 Qershorit, deputetët janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre politike, e cila lidhet me listën e kandidatëve për deputetë.

Kështu, në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar demokrat, deputeti Astrit Patozi ka kërkuar që opozita të marrë pjesë në zgjedhje pavarësisht skenarëve që mund të ketë mazhoranca.

“Pavarësisht çdo skenari nga maxhoranca, ne duhet të shkojmë në zgjedhje. Asgjë tjetër nuk ka më shumë rëndësi se sa zgjedhjet. Ky është shqetësim real, duhet ta kishim pasur çështje të parë. Duhet të organizojmë strukturat në bazë dhe të ngremë ekipin e fushatës elektorale”, ka pohuar Patozi.

Ndërkaq, deputeti Genc Ruli ka theksuar në mbledhje grupi se, reforma zgjedhore nuk është vetëm përgjegjësi vetëm e mazhorancës, por edhe e opozitës.“Nuk është përgjegjësi vetëm e mazhorancës. Duhet të ishte në krye të axhendës prej 3 viteve”, mësohet se është shprehur Ruli. Në përgjigje të qëndrimit të deputetit, kryetari i PD, Lulzim Basha, ka theksuar se pjesëmarrja e PD në zgjedhje nuk diskutohet.“Zgjedhjet janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër, është e vërtetë që jemi të vonuar me reformën. Do të shkojmë në zgjedhje, kjo është çështje që s'ka diskutim, ne kemi elektoratin tonë”, ka theksuar Basha.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar, në një prononcim për mediat, Lulzim Basha theksoi se shqetësimi i grupit parlamentar ka të bëjë me faktin që kemi përballë një qeveri të korruptuar dhe të inkriminuar e cila nuk ka vullnet të organizojë zgjedhje të lira. “Shqetësimi i grupit parlamentar ka të bëjë me faktin që kemi përballë një qeveri të korruptuar dhe të inkriminuar e cila nuk ka vullnet të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se në funksion të kësaj, ka sabotuar Reformën Zgjedhore. Partia Demokratike prej datës 17 Maj ka dorëzuar platformën 12 pikëshe, ndërsa qeveria po ndërton një rrjet aleance me krimin në funksion të së cilës shpëton Klement Balili, lirohet Lul Berisha, përgatitet një amnisti për të shpëtuar Armando Prengën, trafikantët dhe shitblerësit e votës të cilët janë nën hetim, pra kemi një kryeministër që nuk ka vullnet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, u shpreh dje pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, se pas zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, opozita ka para një tjetër sfidë të madhe. “Përpara kemi një sfidë tjetër të madhe. Është sfida e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Edi Rama ka dëshmuar përmes mungesës së vullnetit për të zbatuar Ligjin e Dekriminalizimit, mungesës së vullnetit për Reformën Zgjedhore, dhe përmes zgjedhjeve të Korçës, zgjedhjeve të 2015-ës, të Dibrës dhe Kolonjës, se ai është armik i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Por me nisjen e kësaj rruge të re për Shqipërinë, ndarjen e krimit nga politika, fryteve të para të procesit të dekriminalizimit, me bashkimin e të gjithë shqiptarëve që kanë besim dhe kanë vullnet tek një Shqipëri e ndarë nga krimi, jam i sigurt që do ta fitojmë edhe betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Lulzim Basha ka deklaruar se nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. “Tani që bien topat e betejës për zgjedhje të lira e të ndershme, kuisin me dëshpërim kundër kushtit të patejkalueshëm opozitar dhe popullor që është njëkohësisht edhe ankthi i përnatshëm i “të sëmurit të Tiranës”. Nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër dhe me langot e tij të korruptuar e të bërë njësh me krimin dhe drogën. Vendimi është marrë. Është një vendim popullor i pakthyeshëm. Zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm pa Edi Ramën kryeministër”, ka deklaruar Basha. 

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Man.City shokohet para nisjes së Premier League, në janar mund të dënohet me zbritjen në Championship

Man.City shokohet para nisjes së Premier League, në janar mund të dënohet me zbritjen në Championship