Mbledhja e Byrosë/ Shpërthimi i Enverit: Mehmeti është dërguar nga unë të udhëheq veprimet ndëshkimore kundër Myzafer Pipës  

Mbledhja e Byrosë/ Shpërthimi i Enverit: Mehmeti është dërguar nga unë të udhëheq veprimet ndëshkimore kundër Myzafer Pipës  

Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al.

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI  QENDROR        Sekret

-Sektori i Përgjithshëm-

PROCES – VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE

17 E 18 DHJETOR 1981

Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.

Në këtë mbledhje marrin pjesë gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Hekuran Isai, që nuk erdhi për arsye se mbrëmë natën, i vdiq e ëma.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ashtu si gjithë shokët, e dënoj pa asnjë rezervë veprimin e shokut Mehmet, për të bërë krushqi me një familje reaksionare në gjirin e së cilës ka ballistë, armiq të hapur e aktivë kundër Partisë dhe shtetit tonë socialist. Ky veprim, përbën një gabim shumë të rëndë politik dhe ideologjik.

Gabimi që bëri shoku Mehmet dhe shoqja Fiqret, do të kishte pasoja tepër të mëdha e shumë të rrezikshme dhe Partia do të dëmtohej rëndë, sikur të mos kishte ndërhyrë menjëherë shoku Enver, sapo e mori vesh, që kritikoi rreptë veprimin e shokut Mehmet dhe e detyroi atë që kjo krushqi të prishej.

Për mendimin tim, autokritika e shokut Mehmet nuk është e plotë, por kryesorja e kryesoreve është se asaj i mungon analiza ideologjike dhe politike, si e gabimit të kryer, ashtu edhe e shkaqeve që çuan në të. Në autokritikë u jepet shumë vend, bile konsiderohen si burim kryesor i fajit, sentimentalizmi dhe njëanshmëria.

Ju, shoku Mehmet, jeni nisur shtrembër, nuk e keni kapur demin për brirësh, as në autokritikën me shkrim, as edhe këtu sot pas pyetjeve që u bënë. Në fakt, për pasojat ju flisni fare kalimthi dhe tepër në përgjithësi. Në dy vende, flitet për efektin negative që do të kishte te të tjerët, po të mos prishej fejesa, do të cënohej vija e Partisë.

Shumë thjeshtë, më duket, trajtohen çështja, kurse në mbyllje të autokritikës ju shkruani: “Besoj se një ditë do ta ndjeja se më kishte rrëshqitur këmba dhe sapo ta ndjeja vetë këtë, edhe pa sinjalizimin e shokëve, do ta mblidhja veten, do ta ndreqja gabimin e bërë e do të ecja përpara”. Këtu ju abstragoni fare nga pasojat politike dhe ideologjike, bile duket se nuk do të kishte fare të tilla dhe gabimin e shtroni vetëm si çështje kohe, nuk e patë sot, por do ta shihnit më vonë edhe pa sinjalizimin e shokëve.

Ky nuk është një arsyetim politik e ideologjik, veçanërisht nuk është një arsyetim nga pozita udhëheqësi siç është, shoku Mehmet, veprimi i mirë ose i keq i të cilit, pa tjetër ka rrjedhime shumë të mëdha në të gjithë Partinë.

Së pari, fejesa nuk u përfundua në dorë e në këmbë, siç i thonë fjalës, Brenda një dite. Për këtë çështje në familjen tuaj, shoku Mehmet, është diskutuar me javë të tëra.

Së dyti, ju siç del nga autokritika, i keni patur të gjitha të dhënat mbi familjen e vajzës, jo për të ngushtën por dhe për të gjerën, duke përfshirë dhe xhaxhallarët e dajot e arratisur, e të vrarë nga ne. Këto të dhëna i dinte djali, të cilit i’a dha i ati i vajzës me listë të shkruar, i dinin edhe shoku Mehmet dhe shoqja Fiqret, të cilëve ua dha djali, por sipas kërkesës së tyre, u’a dha edhe shoku Feçor Shehu, pra…!

SHOKU ENVER HOXHA: Mehmeti është dërguar nga unë që të udhëhiqte veprimet ndëshkimore kundër Myzafer Pipës. Mehmeti ka vajtur në krye të ekspeditës sonë që e likuidoi atë. Si të mos e dinte atëhere ç’janë Pipajt?

SHOKU RAMIZ ALIA: Myzafer Pipa është vrarë pikërisht me Jup Kazazin bashkë, Arshiu është i vëllai i Myzafer Pipës.

Pra ju shoku Mehmet, i kishit të gjitha elementet që të konkludonit se familja me të cilën po lidheshit në krushqi, ishte i një rrethi armiqësor, pra e pa pranueshme për një familje komunistësh, aq më tepër për familjen e një udhëheqësi. Kaq është e vërtetë kjo, sa shoku Mehmet në autokritikën e vet, thotë se: “po të ishte fjala për ndonjërin nga djemtë e tjerë, ose pa ta pyeste cilido shok, nuk do t’ia këshillonte kurrë një krushqi të tillë”.

Pra del qartë se, si shoku Mehmet, ashtu edhe shoqja Fiqret, i dinin, ishin të ndërgjegjshëm që, duke pranuar këtë fejesë, po vepronin në kundërshtim me vijën dhe normat e Partisë. Për mendimin tim, shkaqet pse shoku Mehmet ra në këtë gabim, janë dy:

E para, mendjemadhësia, mbivlerësimi i vetes, bindja se atij i lejohet të interpretojë vijën e Partisë, dhe se vendimet e saj janë kurdoherë të drejta, pra edhe të padiskutueshme.

E dyta, kuptimi i shtrembër i vijës së Partisë, për luftën e klasave.

Duke pranuar këtë krushqi, shoku Mehmet në fakt, ka menduar se atij i lejohet çdo gjë, se ai mund të shkel vijën dhe normat e Partisë, disiplinën e Partisë, se ai vendos për çdo gjë drejt. Mendjemadhësia e shoqëruar edhe me kuptimin jo të drejtë të normave të Partisë, e kanë shtyrë shokun Mehmet, që të mendojë se normat dhe disiplina e Partisë, vigjilenca e të tjera norma, janë për të tjerët të detyrueshme dhe jo për atë, sepse ai ka dhënë shumë prova, se është i imunizuar, etj.

Në luftën e klasave, Partia dhe shoku Enver, gjithmonë na kanë porositur që të jemi konsekuent, pa nënvleftësuar as rrezikun e majtë dhe as atë të djathtin. Gabimi që bëtë ju, shoku Mehmet, është shprehja e oportunizmit të djathtë, por, duhet thënë se ju keni dy masa: ndaj të tjerëve jeni sektar, deri në formalizëm, ndërsa ndaj vetes dhe familjes tuaj, jeni liberal.

Nuk është ekzakte se ju u treguat sentimental ndaj djalit të dytë dhe vetëm në rastin e fejesës. Po të mendoni mirë edhe më parë dhe përgjithësisht keni qenë vazhdimisht liberal me fëmijët, sidomos me dy djemtë tuaj më të rinj, të cilët kanë rënë në sy për sjellje të pahijshme.

Njerëzit flasin për Skënderin si pijanec, që ka bërë edhe skandale, njihet si vagabond që ka vendosur kontakte me gra të liga. Ju këto i keni toleruar. Po kështu, flasin për Bashkimin dhe për gruan e tij si ekstravagantë, përçues mode të huaj, etj. Ju i dinit këto, në mos, pse të mos i dinit shoku Mehmet?

Ne kemi të drejtë të pyesim: a punoni ju me fëmijët? A i kushtoni ju vëmendje edukimit të tyre? Ka patur shokë që ju kanë bërë vërejtje për sjelljet e djemve dhe të nuses, por shoqja Fiqret ka thënë: Pse të gjithë njësoj do të vishen? Ju, duhet të rishikoni qëndrimin tuaj ndaj fëmijëve, por kjo nuk bëhet me lëshime dhe me liberalizma. E them këtë, se me Skënderin, me gjithë gabimin e rëndë që bëri, dhe e bëri ai para së gjithash, sepse megjithëse është komunist, zgjodhi për grua një njeri politikisht nga një rreth armiqësor, pra me gjithë këtë gabim, ju vazhduat ta përkëdhelni.

Edhe në autokritikë, thoni se do të qetësoheni në ndërgjegje, kur djali të martohet. Që djali do të martohet, kjo me siguri do të ndodhë, por ju duhet të qetësoheni në ndërgjegje, shoku Mehmet, dhe për këtë, duhet të punoni, kur djali të kuptojë mirë mësimet dhe vijën e Partisë, që të bëhet një luftëtar i mirë i saj dhe të mos bëjë gabime që i kushtojnë Partisë. Të gjitha këto, nuk duhen parë si çështje familjare, si çështje sentimentale, por të lidhura me konceptin tuaj mbi luftën e klasave që duhet zbatuar me korrektësi nga të gjithë.

Shoku Enver, disa herë i ka bërë kritika shokut Mehmet edhe në mbledhje të Byrosë Politike edhe jashtë mbledhjeve. Unë kam parasysh, ato raste që kamë qenë vetë i pranishëm kur kam parë që e ka kritikuar pikërisht për rrëmbimin, për mos respektimin e normave të Partisë, sidomos në marrëdhëniet me kuadrot e tjerë. Nga ana ime, duke përjashtuar kritikat lidhur me punën si dhe ndonjë vërejtje të pjesëshem, megjithëse me disa veprime të gabuara të shokut Mehmet, nuk jam pajtuar, nuk e kam kritikuar në formë të plotë dhe në lidhjen e tyre siç po e bëj sot.

Këtë e them në mënyrë autokritike, pse e ndjej, që nuk e kam bërë si duhet këtë detyrë ndaj Partisë. Përse nuk e kam bërë? Në ndonjë rast, kam menduar gabim dhe ta them hapur, në mënyrë oportuniste, se: kështu e ka shoku Mehmet, nxehet shpejt, por pa u thelluar se nervozizmi i tij ishte shprehje e prirjes për të imponuar mendimin e vet dhe prekte normat dhe interesat e Partisë. Të gjithë duhet të mësojmë për sa më shumë, duhet të mësojë shoku Mehmet nga shoku Enver. Ne punojmë bashkë dhe bisedojmë çdo ditë me shokun Enver lirshëm dhe pa asnjë ndrojtje.

SHOKU ENVER HOXHA: Edhe nga të gjithë ju të tjerët, e jo vetëm nga shoku Enver.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, dakord, shoku Mehmet duhet të mësojë nga ju dhe ne të tjerët. Përkundrazi, shoku Enver, na dëgjon me durim dhe vëmendje, na këshillon dhe na korrigjon, na kritikon kur është rasti, bile edhe fort kur duhet, por asnjëherë nuk e ndjejmë veten të vrarë shpirtërisht, sepse çdo gjë na thuhet në frymë shoqërore, me frymë partie, me argumenta bindëse, që të gjithëve na ndihmon të mësojmë dhe të punojmë më mirë.

Nga këto fenomene, ju shoku Mehmet, duhet të shihni shkeljen e normave të Partisë, prirjen e gabuar për të imponuar mendimin tuaj që e quani më të drejtin, më të saktin. Te ju, është kultivuar mendimi i gabuar, se për çdo gjë jeni specialist, edhe për Bujqësinë, edhe për Ushtrinë, të tëra rregulloret ushtarake, bile edhe librin ‘Mbi Artin Popullor Ushtarak’, thuhet se i ka bërë shoku Mehmet, e kështu për çdo gjë.

Këtu pa dyshim që mbajnë përgjegjësi edhe shokët zv/kryeministra, sidomos shoku Adil, i cili bëri autokritikë, por për mendimin tim, nuk bëri si e sa duhet. Ai dhe shokët e tjerë, duhet më thellë të mendojnë, pse me një mënyrë, ose me një tjetër, ja kanë ushqyer këto prirje shokut Mehmet, bile këtë stil kanë filluar ta adoptojnë edhe vetë. Një stil i tillë pune, i bazuar në urdhra, nuk i ndihmon shokët, ai të çon në shkeljet e normave dhe në krijimin e opinioneve jo të sakta për kuadrot. Punon mirë ai që vepron ashtu si mendoni ju.

Është e njohur se shoku Mehmet, kur i qepet një pune, merr të gjitha masat që nevojiten dhe e nxjerrë atë mbanë. Kjo është një gjë shumë e mirë, por, kam vënë re, mbase dhe gabohem, se kjo ndodh veçanërisht për ato gjëra, për ato probleme, që ai vetë, ka më shumë për zëmër, ose që janë ide të vetë shokut Mehmet.

Kështu ndodhi tash së fundi, me çështjen e rritjes së gjelave të detit, ose me sanksionin për gropat e silazhit. Natyrisht, të dy këto aksione, janë me vlerë. Me nxitjen e shokut Mehmet, për këtë qëllim, dolën vendime të posaçme, u caktuan fonde, u bënë investime, u ndërtuan stalla, u krijuan organizma me specialist të veçantë, bile edhe shokut Muho Asllani, detyra e rritjes së gjelit, ju ngarkua si detyra e tij kryesore në qeveri.

E thashë, të dyja këto aksione, janë një gjë e mirë, por pyes: Përse nuk u tregua i njëjti kujdes, i njëjti entuziazëm, pse nuk u morën të njëjtat masa edhe për çështjen e përhapjes së përvojës së Plasës, ose për zbatimin e vendimit të Kongresit të VII-të mbi Fermat Blegtorale?

Këto çështje të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë sonë bujqësore, që janë përpunuar këtu e 6-7-të vjet më parë nga shoku Hysni Kapo e nga shoku Enver Hoxha, kanë mbetur pothuajse në stadin fillestar, sidomos përvoja e Plasës. Kjo mua, më duket e padrejtë. Qofsha i gabuar, por këtu shoh një prirje për t’i bërë reklamë vetes dhe për të evidentuar aftësitë “e veçanta”, të shokut Mehmet.

Kritikat dhe vërejtjet që kam unë, po jua them hapur, shoku Mehmet, ashtu siç ua thanë të gjithë shokët. Qëllimi është që nga ato, të mund të nxirrini mësimet e nevojshme. Dua të theksoj, se këto çështje dhe marrëdhëniet e hapta, pa rezerva midis nesh, kanë rëndësi të madhe për Partinë, për punën e saj, për unitetin marksist-leninist të Partisë.

Unë kam besim, se kjo mbledhje e Byrosë Politike, kritikat që po bëjmë në rrugë dhe në frymë partie, do t’i shërbejnë çështjes së Partisë, do t’i shërbejnë edhe vetë shokut Mehmet. Ato do ta forcojnë më tej unitetin tonë marksist-leninist. Unë besoj, se shoku Mehmet, do t’i kuptoj si duhet kritikat që po i bëjmë dhe si komunist, do të reagojë pozitivisht. Ai ka forca dhe ne, shokët e tij të ngushtë, do ta ndihmojmë pa kursyer asgjë. /Memorie.al

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë