Kosova dhe Shqipëria do të realizojnë mbledhjen e tyre të dytë të qeverive në fund të muajit Mars dhe ajo do të mbahet në Tiranë. Kjo është ajo që është bërë e ditur ditën e sotme nga kryeministri Edi Rama gjatë takimit me homologun e tij kosovar Isa Mustafa në përurimin e pikës së përbashkët doganore të Vërmicës.

Kryeministri Rama u shpreh se në fokus të mbledhjes së dytë të dy qeverive do të jetë bashkëpunimi në fushën e infrastrukturës, arsimit dhe kulturës për të ndërtuar sisteme unike të bashkërendimit.

Gjatë fjalës së tij Rama bëri të ditur se mbledhja e radhës së dy qeverive, pas asaj në Prizren do të mbahet në fund të marsit në Tiranë.

“Deklarata e përbashkët e mbledhjes së parë të dy qeverive në Prizren, që do të ketë raundin e dytë në fund të marsit, do të ketë bashkëpunimin e infrastrukturës, dhe bashkërendimin për të ndërtuar sisteme unike në arsim dhe kulturë. Kanë filluar të jetësohen projekte që i përkasin kësaj marrëveshje, dhe e vendosin mbledhjen e dytë në një stad shumë më të avancuar. Qysh nga pavarësia e Kosovës, qytetarët, mediat, artistët, kanë ditur të bashkërendohen më mirë dhe me më shumë efikasitet se qeveritë. Por tashmë bashkërendimi është i fokusuar në modernizim dhe zhvillim. Dua të përshëndes Kryeministrin Isa Mustafa dhe e mirëpres në fund të marsit në Tiranë kur do të bëhet edhe mbledhja e dy qeverive.” tha kryeministri Rama

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)