Mbledhja e Grupit, Rithemelimi: Alibeaj po përpiqet të zgjedhë nën-dorë presidentin e Ramës! Futemi në proces vetëm nëse maxhoranca pranon kandidatin tonë

Akt të paligjshëm e ka konsideruar zëdhënësja e Rithemelimit, Floriana Garo, thirrjen e mbledhje së Grupit Parlamentar të PD nga Enkelejd Alibeaj, për të diskutuar mbi negociatat me maxhorancën për zgjedhjen e presidentit të ri. Me një deklaratë për mediat, Garo tha se Alibeaj nuk mund të thërrasë mbledhje grupi pasi është shkakruar nga detyra e kreut të Grupit Parlamenatr të PD. Ajo e akuzoi atë se po përpiqet të zgjedhë 'nën-dorë presidentin e Ramës'

"Pas shkarkimit nga çdo detyrë nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i datës 30 Prill 2022, deputeti Enkelejd Ailbeaj nuk përfaqëson as Partinë Demokratike, e as grupin e saj parlamentar.  Me gjithë këtë, ai vazhdon të përfshihet në farsën e turpshme të Edi Ramës të negociatave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me opozitë të emëruar prej tij. Deputeti Enkelejd Alibeaj dhe cilido që merr pjesë në farsen elektorale të Edi Ramës, përfaqëson thjesht veten dhe problemet e tij dhe kurrë opozitën shqiptare.  Deputeti Alibeaj, po përpiqet që të zgjedhë nën-dorë presidentin e Edi Ramës ose më së paku ta legjitimojë atë përkundrejt ndonjë pazari të tij. Kjo përbën tradhti ndaj qindra mijra zgjedhësve shqiptarë të cilëve, Edi Rama bashke me patronazhistët, paratë e drogës dhe krimit, bandat e lidhura me qeverinë dhe duke përdorur të gjithë narkoshtetin, u rrëmbeu votën. Për rrjedhojë, Edi Rama nuk ka vota të ligjshme për të zgjedhur një president legjitim me votat e tij", tha ajo.

Ajo shtoi se Rithemelimi do të angazhohet në këtë proces vetëm në rast se mazhoranca do të pranojë kandidatin e tyre për president. Ajo i kërkon deputetëve demokratë që të mos marrin pjesë në mbledhjen e thirrur nga Alibeaj, teksa thekson se thirrja e mbledhjes së Grupit Parlamentar, bëhet vetëm nga Kryesia e Grupit Parlamentar.

"Qëndrimi i Partisë Demokratike për zgjedhjen e Presidentit është i qartë. Partia Demokratike angazhohet në këtë proces vetëm në rastin që pseudo-mazhoranca vendos të pranojë për President Republike kandidatin e opozitës së vërtetë, e jo opozitës së emëruar, i cili duhet të jetë një emër konsensual i forcave politike opozitare. Komisioni i Rithemelimit, i bën thirrje të gjithë deputetëve të PD të injorojnë këtë thirrje dhe të mos bien pre e lojrave Rama-Basha-Alibeaj me fasadë opozitë dhe axhendës së tyre antidemokratike. Thirrja e mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike bëhet vetëm nga Kryesia e Grupit Parlamentar që përbëhet nga anëtarët e saj dhe nënkryetarët e grupit parlamentar. Kryesia e grupit përcakton edhe rendin e ditës të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Mbledhja e Grupit Parlamentar të PD pas shkarkimit të zotit Alibeaj nga Kuvendi i datës 30 prill 2022 deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri, do të kryesohet nga nënkryetarët e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike", shtoi ajo.

 

 


Lajmi kryesor:

Mbledhja e grupit, Alibeaj-deputetëve: Deri të dielën sillni kriteret e procedurat për presidentin e ri! Të hënën do i diskutojmë bashkë me ‘Rithemelimin’


/B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare