Mbledhja e mbetjeve me orar/ Kumbaro inspektim në Mat: Rrisim gjobat për kundravajtjet mjedisore

Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro zhvilloi një inspektim në bashkinë Mat për të parë nga afër zbatimin e projektit pilot që bën të mundur ndarjen e mbetjeve në burim dhe mbledhjen e tyre nga ekipet e bashkisë direkt nga subjektet dhe banorët duke larguar nga përdorimi koshat e mëdhenj urbanë në qytet.

E shoqëruar nga kryetari i bashkisë Mat, Agron Malaj, ministrja Kumbaro ndaloi në qytetin e Burrelit ku u takua edhe me banorë të cilët ndanë këtë përvojë të menaxhimit të mbetjeve urbane.

“Që të bindësh një komunitet të tërë që jeton në lagje të ndryshme, që jeton në rrugë, kryesore, fshat, qytet nuk është kaq e kollajtë për shkak të diferencave, por edhe për shkak të traditës së ndryshme. E kam vënë re që dhe akset të cilat të çojnë në qytet janë të pastra dhe gjithashtu anët e rrugëve që kthehen në vendepozitime edhe të udhëtarëve, që për fat të keq vazhdojnë ende të fluturojnë nga makinat ambalazhe”, u shpreh ministrja.

Ministrja Kumbaro theksoi gjithashtu se është shumë e rëndësishme që aty ku janë hequr koshat të bëhet një rikualifikim estetik i territorit në mënyrë që  të mos rrezikohet që për shkak të forcës së zakonit, ato të kthehen përsëri në vendgrumbullime mbetjesh. Kryetari i bashkisë Mat Agron Malaj, shpjegoi detajet nga ky projekt i cili kërkoi rreth një vit kohë për t’u implementuar.

“Kemi nisur një projekt pilot në qytetin e Burrelit ku kemi bërë të mundur të gjithë heqjen e koshave të plehrave duke lënë orarin 19.00-21.00 për të gjithë banorët dhe bizneset të cilët i nxjerrin ato nëpër qese duke bërë dhe ndarjen në burim të tyre. Kemi bërë një shtrirje në 95% të qytetit. E kemi nisur fillimisht në tre lagjet më të mëdha të qytetit për ta shtrirë më pas edhe në zonat e tjera”, sqaroi Malaj.

Ministrja Kumbaro theksoi gjithashtu se këto masa të marra sot për sistemin e menaxhimit të mbetjeve i paraprijnë një situate kur flukset turistike do të shtohen, pasi zona e Matit ka potenciale të mëdha të turizmit natyror. Ministrja foli gjithashtu për projektligjin e ri që ka kaluar në qeveri ku Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka përgatitur një paketë ligjore për rritjen e masës së gjobave për kategoritë e lidhura me ndëshkimet dhe kundravajtjtet mjedisore si dhe kthimin në titull ekzekutiv.

“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit sapo ka mbyllur përgatitjen e një pakete ligjore për rritjen e masës së gjobës dhe për ta kthyer në titull ekzekutiv. Që do të thotë, edhe sot nëse vihen gjoba për ndotje mjedisore, përveçse janë shumë të ulëta gjithë procedura e ankimimit e bën atë të paekzekutueshme. Dhe duke kaluar koha, ajo humbet efektin edukativ si masë ndëshkimore. Prandaj në projektligjin e ri që kemi çuar në qeveri dhe më pas në parlament është rritja e masës së gjobës për të gjitha ato kategori që kanë të bëjnë me ndëshkimet dhe kundravajtjet mjedisore”, tha Kumbaro.

Krahas iniciativës që eliminon koshat urbanë nga rrugët e qytetit, në bashkinë Mat do të përcaktohen vendalimet e automjeteve ku do të konceptohen si sheshpushime, në të cilat do të vendosen edhe kosha mbetjesh për të krijuar një infrastrukturë që shmang hedhjen e mbetjeve nga makinat në rrugë.

SI.E./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar