Në Bruksel janë mbledhur ministrat e Financave e të Ekonomisë së Eurozonës për të diskutuar mbi borxhin grek dhe planin e shpëtimit të vendosur nga Bashkimi Europian, Banka Qëndore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Qeveria greke e drejtuar nga Syriza, kërkon rinegocimin e kushteve të Trojkës mbi borxhin 240 miliardë Eurosh, por shpresat për arritjen e një marrëveshje mes tyre janë të pakta.

Ministri gjerman i Ekonomisë Wolfgang Schauble është shprehur “skeptik” mbi mundësinë për të arritur një marrëveshje me palën greke. Ai tha se komisionet teknike gjatë fundjavës nuk kanë qenë shumë optimiste megjithatë pritet raporti i sotëm për të përcaktuar sesi do të shkojë takimi. Schauble u shpreh se Gjermania nuk kërkon daljen e Greqisë nga Eurozona, por rithekson se qeveria e re duhet të përmbushë minimumin e kërkesave të BE-së. Nëse Greqia nuk gjen një zgjidhje deri më 28 shkurt, bankat e vendit mund të mos kenë më akses mbi kreditin e tyre.

Megjithatë gjatë fundjavës kryeministri grek Aleksis Tsipras u shpreh optimist për arritjen e marrëveshjes, pavarsisht se pranoi se pret negociata të vështira. Tsipras dha sigurinë se në 6 muaj do t’a bente Greqinë një vend krejt ndryshe. Më shumë se ¾ e qytetarëve grekë mbështesin qeverinë e re dhe gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar mjaft protesta në mbështetje të saj dhe kundër trojkës.

Ditën e dielë rreth 20 mijë qytetarë u mblodhën në një protestë masive përpara parlamentit grek, kundër masave shtrënguese të BE-së për shlyerjen e borxhit të madh të shpëtimit.


(v.gj/shqiptarja.com)