Mblidhet Këshilli i Sigurisë së
Kosovës, shqyrton situatën

Mblidhet Këshilli i Sigurisë së<br />Kosovës, shqyrton situatën
Menjëherë pas protestës së mbajtur nga opozita e Kosovës dhe bilancit që bëri policia për personat e plagosur dhe dëmet e shkaktuara nga përdorimi i dhunës, është mbledhur Këshilli i Sigurisë së Kosovës.

Ky Këshill është shqyrtuar situata e krijuar nga degjenerimi i protestës në akte dhune, që çuan në djegien e një pjese të godinës së qeverisë dhe goditjes që iu bë punonjësve të zbatimit të ligjit, të cilët ishin aty për të garantuar rend e siguri për qytetarët.

Këtë mbledhje të Këshillit të Sigurisë e ka drejtuar Kryeministri Isa Mustafa, ndaj të cilit opozita ka kërkuar largimin ndërkohë që ka paralajmëruar protesta të tjera.

Në këtë protestë, sipas policisë janë 12 persona të plagosur ndërkohë që janë ndaluar nga policia e Kosovës 24 protestues të cilët kanë udhtruar dhunë ndaj institucioneve dhe punonjësve të policisë.

Ja deklarata e plotë e Këshillit të Sigurisë

Këshilli i Sigurisë i Kosovës dënon fuqishëm eskalimin në dhunë të protestës së organizuar nga partitë opozitare në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Duke e njohur dhe respektuar të drejtën për protestë paqësore, Këshilli i Sigurisë i Kosovës fton organizatorët e saj të ushtrojnë përgjegjësinë që u takon për t’i larguar nga rrugët e kryeqytetit të Kosovës, të gjithë protestuesit e dhunshëm.

Këshilli i Sigurisë kërkon nga partitë opozitare të heqin dorë nga ky skenar për përdorimin e dhunës dhe mjeteve të rrezikshme, për rrënimin e rendit institucional e kushtetues të Kosovës.

Është për keqardhje, që duke arsyetuar veprimin e protestuesve të dhunshëm, organizatorët e protestës, në mënyrë të qartë po marrin përsipër sulmet ndaj institucioneve të shtetit dhe sfidimin e Policisë së Kosovës në kryerjen e detyrës zyrtare për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike.

Këshilli i Sigurisë i Kosovës kërkon nga organizatorët e protestës që të bashkëpunojnë me organet e shtetit për t’i vënë përpara drejtësisë përgjegjësit për pasojat e protestës, nga e cila janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, disa protestues, por edhe disa qytetarë, kalimtarë të rastit. Është përgjegjësi e organizatorëve të protestës lëndimi i njerëzve dhe dëmi material në pronat publike dhe private.

Këshilli i Sigurisë i Kosovës u jep mbështetje të plotë institucioneve kompetente të rendit dhe ligjit në Kosovë për menaxhimin e situatës së krijuar dhe për ruajtjen e institucioneve të shtetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Këshilli i Sigurisë i Kosovës kërkon nga organet e rendit dhe të ligjit, që konform ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të marrin të gjitha masat për hetimin e plotë të ngjarjeve të sotme dhe vënien e përgjegjësve përpara drejtësisë.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin